03 November 2009

Skulptura Shqiptare, Nga Stalini tek Muji dhe Halili


Një Dokumentar
Teksa shkruaja disa kohë më parë shkrimin "Do të marr Çiften, do të dal për gjah", e teksa sillja ndër mend Monumentin e Stalinit- vepër e skulptorit Odhise Paskali (vendosur në ish Kombinatin e Tekstileve "Stalin", Tiranë), brenda meje rrotullohej pyetja se cili vallë ishte fati i monumentit, dhe ku gjendej ai tanimë? Ashtu rastësisht përgjigjen ma dha dokumentari mjaft interesant i kineastit Fatmir Koçi, i vitit 1995, me titull "Alternative Head".

Dokumentari ka një personazh qëndror, Vladimir Metanin, i cili punon ne fonderinë e derdhjes së veprave të artit në Tiranë. Njihemi përgjatë filmit me ambientet e fonderisë, të cilat ishin kthyer, diku aty në fillim të viteve 1990, në një pikë grumbullimi të statujave dhe monumenteve të socrealizmit që i përkisnin kryesisht shesheve/hapësirave publike. Shohim monumentet e Enver Hoxhës, të Stalinit e Leninit. E pikërisht atëherë dëgjojmë Vladimirin të thotë: "Unë kam pasur fat; Po të mos ishin bërë monumentet e këtyre zotërinjve, kurrë s'do të kisha realizuar punët e mia..." .

"Vladimir Metani working in an old Factory, Tirana, Albania" (Photo by Michel Setboun)

"Vladimir Metani working in an old Factory, Tirana, Albania" (Photo by Michel Setboun)

Vladimir Metani
Në një shkrim të datës 12 janar 2004, në gazetën "Koha Jonë", me titull: "Artisti që krijon dhe derdh në bronx legjendat shqiptare", gazetarja Vali Qyrfyçi na bën një prezantim të Vladimir Metanit:

"Metani ka lindur në vitin 1951 në Elbasan... Pas shkollës 7-vjecare, Vladimiri ndjek shkollën e rezervave të punës dhe më pas vazhdon shkollën e mesme, në politeknikum, për mekanik, pa shkëputje nga puna. Në fund të viteve '60 fillon punën në fonderinë e derdhjes së veprave artistike në Tiranë. Aty vazhdon të punojë dhe sot e kësaj dite... Vladimiri gjithmonë me modesti deklaron se është autodidakt, por dhe i vetmi skulptor në vend që i realizon tërësisht veprat e veta, që nga ideja, në allçi dhe deri në derdhjen përfundimtare..."
 
Varrmihësi
Duke ndjekur filmin dokumentar të Fatmir Koçit, ndjen një lloj stepjeje, tek has kaq qartë imazhin tejet të shfytyruar të tranzicionit shqiptar në këtë njëzet vjeçarin e fundit. Shohim me rrëngjethje Vladimirin të godasë me vare, pa i bërë syri tërt, një monument gjigand mermeri të bardhë. E shohim të këndojë "rusisht" përballë një shtatoreje bronxi, me duar të shqyera, të Leninit. E shohim më pas të marrë pjesët e shqyera nga monumentet, t'i shkrijë, e me to të krijojë ato që ai i quan vepra mbi personazhet mitologjike shqiptare.

Diku në dëshmitë fotografike të Michel Setboun, zbuloj Metanin, në fonderi, të pozojë triumfator përfund këmbëve të Monumentit të Stalinit, të realizuar nga O. Paskali. Vetëm atëherë kuptova fatin e vërtetë të asaj shtatoreje, të një prej veprave më përfaqësuese të realizmit socialist shqiptar; me siguri arti i Paskalit duhej të flijohej për t'i dhënë jetë miteve dhe legjendave kombëtare shqiptare që kishin mësyrë fantazinë e shfrenuar të Vladimir Metanit.

Vrasësit
 Në fakt, në këtë tragjedi, nësë Vladimiri me të tjerë shokë metalurgë, kryen rolin e varrmihësit të mjaft prej veprave themelore të skulpturës monumentale shqiptare, vrasjen e vërtetë nuk e kryen ata. Vrasësit e vërtetë janë të gjithë përfaqësuesit kryesorë të klasës politike shqiptare të këtyre njëzet viteve të fundit. Të gjithë ata presidentë e kryeministra, ministra e zv-ministra, ata deputetë e kryetarë bashkish, ata drejtorë të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe ata nëndrejtorë; që udhëheqin shtetin shqiptar në këtë katrahurë të vërtetë institucionale, në këtë batak shpirtëror dhe mjerim të thellë ekonomik e social.

Pyetje Retorike
Përse vallë sa herë që ndryshojnë situatat politike në Shqipëri, duhet të asgjesohen të gjitha gjurmët e së shkuarës? Përse vallë duhej të zhdukeshin ato punë kaq përfaqësuese të skulpturës së socrealizmit shqiptar? Sepse frymëzuesit e këtyre veprave ishin diktatorë?! Po atëherë pse nuk i vëmë flakën edhe piramidave egjiptiane, apo çdo lloj gjurme në arkitekturë, pikturë, e skulpturë, që përshkruan jetën e faraonëve egjiptianë, si edhe tiraninë e pamëshirtë të atyre kohërave (shumëherë më të egër se periudha komuniste shqiptare)? Përse nuk djegim Luvrin apo Hemirtazhin, muzeun e Pradës apo kishat e Vatikanit? Përse të mos shkatërrojmë murin kinez?! A mos vallë bëmat e Papatit, e mbretërve dhe perandorëve të ndryshëm, e diktaturave të të gjitha formave, ishim më progresiste? A mos vallë regjimet social-politike të rrugëtimit tonë njerëzor në këtë botë, ishin më demokratike? Bazuar në të njëjtat mendësi, ç'na duhen sot veprat e Velaskesit dhe të Gojës, tek na përshkruajnë fodullëkun irritues të familjeve mbretërore spanjolle? Pse nuk asgjesojmë të gjitha pikturat e Davidit apo të Engërit tek na përplasin turinjve arrogancën e një batakçiu ushtarak si Napoloni, i cili zhyti botën në gjak, për të kënaqur egon e tij militare si edhe interesat e klasës franceze në pushtet?

Reflektim
Nuk i zhdukim të gjitha këto, sepse prej çdonjërës prej atyre periudhave dhe atyre veprave në veçanti, mund të mësojmë. Mësojmë rrugën e përgjakur nga ku kaluam, dhe sakrificat të cilat na u desh të bënim si specie njerëzore. Mësojmë të shohim të metat tona në sy. Të shohim degradimet, qorrsokakët dhe ashpërsinë e totalitarizmave të çdo tipi, të shohim sa mikroskopik e bëmë personalitetin njerëzor në kohë të tilla. Duke hedhur vështrimin në thellësi të diktaturës, duke e analizuar atë, mund të themi se përparojmë, se ecim përpara.

Por duke menduar të gjitha këto, kam frikë se për çfarë flas përbën lluks për klasën politike shqiptare, për realitetin social shqiptar, për artin e mjeruar shqiptar, për individin e ngratë që rron në Shqipëri, në këto kohëra famëkeqe dhe dritëshkurtëra të kolerës...

"Vladimir Metani's Work" (Photo by Marco, Fellow of Eagles, 2007)

"Vladimir Metani's Work" (Photo by Marco, Fellow of Eagles, 2007)

(P.S. -Fotografitë më sipër, janë disa punë nga Vladimir Metani.)