29 October 2009

"Gazeta Telegraf" vjedh shkrimet e blogut: "Arti në Kohërat e Kolerës"

Gazeta Telegraf: "Me Ne Nis Dita Ndryshe..."

Eshtë e habitshme, sa me lehtësi hasim fenomenin e vjedhjes intelektuale, përpos një morish fenomenesh të tjera negative, që lulëzojnë në panoramën mediatike të shtypit të shkruar shqiptar. Eshtë vërtet për t'u habitur me mjerimin intelektual, të rrogëtarëve, të cilët mbushin një numër të madh faqesh në gazetat shqiptare. Eshtë për të ardhur keq, kur sheh vjedhjen, dhe përvetësimin e punës meditative të tjetërkujt, të jetë kthyer në ideologji bazë, si edhe në praktikë të vetme pune në mjaft gazeta shqiptare.

Duke shfletuar shtypin shqiptar, dhe më konkretisht "Gazetën Telegraf" , hasa brenda saj një artikull (i cili bën pjesë në sumplementin kulturor) të datës 9 tetor 2009, me titull: "Pse Refuzoi Guri Madhi, të hiqte Mehmetin Tablloja" të personit që nënshkruan me emrin Leonard Veizi. Duke lexuar hyrjen e artikullit, kuptoj se  i nderuari  L. Veizi nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka vjedhur pjesë të analizës sime në blogun "Arti në Kohërat e Kolerës", të datës 29 qershor 2009, me titull: "Lloqe Kavaje" , dhe të gjitha këto pa cituar aspak burimin e informacionit. Pjesa e vjedhur vijon më poshtë:

"Historia

Vepra e përfunduar prej G. Madhit u paraqit në ekspozitën e
nëntorit 1974. Komisioni mbikëqyrës i kësaj ekspozite i përbërë prej anëtarësh të Komitetit Qendror dhe "artistësh" e cilësoi si të pambaruar, me probleme të theksuara kryesisht në modulimin e figurës së E. Hoxhës, e cila ishte trajtuar përmes perceptimit disi ekspresiv, jo fotografik të Madhit. I sugjerohet artistit ta rishikoj, ripikturoj veprën, gjë që nuk u pranua prej tij. Vendoset
që figura e Enver Hoxhës të ripunohet prej piktorit Zef Shoshi, i cili konsiderohej si një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të soc-realizmit shqiptar. Portreti i këtij të fundit disi fotografik-natyralist -që ne shohim sot - është produkt i retushimit të Zef Shoshit, duke dalluar qartë nga teknika e G. Madhit, dhe trajtimet e personazheve të tjerë të veprës..."
Eshtë për t'u habitur veprimi i Leonard Veizit, pasi në blog citoj se: "Ndalohet rreptësisht të kopjuarit, të importuarit dhe të publikuarit e materialeve të këtij blogu pa dijeninë dhe aprovimin (me shkrim) të autorit..."

I drejtohem në këtë letër të hapur Drejtuesve të "Gazetës Telegraf", si edhe Kryeredaktorit të saj, duke ju thënë se:

Ju vë në dijeni sot, 29 tetor 2009, fenomenin e përvetësimit të punës sime intelektuale prej artikullshkruesit Leonard Veizi, dhe rrjedhimisht edhe prej gazetës suaj, duke shpresuar që ju vetë si staf drejtues, të distancoheni publikisht përballë këtij veprimi. Shpreh dëshirën time, që ky akt abuziv të mos përsëritet më në të ardhmen. Në rast të kundërt, ju bëj të ditur se nuk do të nguroj t'u drejtohem organeve të Drejtësisë Shqiptare, për këtë shkelje flagrante të së Drejtës së Autorit, dhe të kërkoj dënimin e Organit Tuaj Informativ, si edhe të gazetarit përvetësues.

Sa për gazetarin Leonard Veizi, ju them miku im, se akti juaj nuk është as shenjë maturie dhe as shenjë pjekurie intelektuale. Vjedhja është vjedhje, dhe si e tillë duhet dënuar. Nëse një veprim i tillë do të ripërsëritet në të ardhmen, gjuha që do të përdor ndaj jush, do të jetë e ndryshme.

Gjithë të mirat!
Toni Milaqi

03 October 2009

Në Emër të Popullit

"Monument for the socialism" (Photo by Michel Setboun, Albania, 1981)

"Propaganda Poster, Albania" (Photo by Erik Stewart, 1988)

"Communist Monument, Albania" (Photo by Thomas Aelbrecht, Albania)

"Communist Albania" (Photo by photowala28 / Jane Roselawn, Albania, 2006)

Kohët e fundit, më ngacmon artistikisht ideja e hulumtimit të simboleve vizuale të regjimit nacional-komunist shqiptar. Simbolet komuniste, të cilat i hasje kudo në periudhën e diktaturës, janë të shumta dhe tepër interesante për vëzhgim e analizë. Prej studimit të tyre dalin konkluzione thelbësore, të mënyrës se si ushtrohej filozofia marksiste-leniniste në truallin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Mund të ndahen këto simbole politike/propagandistike në dy kategori të mëdha.

Në të parën dallojmë simbole me karakteristika ndërkombëtare si: "ylli, drapëri dhe çekani, kurorat e kallinjve të grurit, grushti i mbledhur, portretet e katër klasikëve të komunizmit, flaka e revolucionit, libri apo kordelet e kuqe, oxhaqet dhe shtyllat e tensionit të lartë", të cilat importohen kryesisht prej Bashkimit Sovjetik dhe Kinës.

Në grupin e dytë vërejmë simbole me karakteristika nacionale (shqiptare) si: "shqiponja dykrerëshe (që në fakt rrjedh prej periudhës bizantine të trojeve që pas 1912 u identifikuan si Shqipëri, dhe që më tepër se simbol nacional, ështe simbol ikumenik), flamuri kombëtar, harta e shtetit, logo e PPSH, portreti i Enver Hoxhës, figura e ushtarit, pushka dhe kazma".

Këto dy të fundit janë kokë e këmbë pjella të mendësisë shqiptare, dhe leximi i tyre në aspektin filozofik/pamor/psikologjik, na qartëson atë që ndodhi në Shqipëri për dyzetepesë vjet me radhë.
Kazma dhe pushka, simboli i shkatërrimit dhe i militarizimit. Vallë a nuk ndodhi kjo gjë në Shqipërinë komuniste? Nuk u shkatërruan, ato mijëra objekte kulti/kulturore/historike, ato afreske e ikona, ato biblioteka e ajo literaturë që gjendej në kishat dhe manastiret e panumërta, dhe bashkë me to, ato vlera kolosale të artit bizantin e pasbizantin që patën fatkeqësinë të jenë krijuar në truallin e njësisë gjeografike, e cila më 1946 do të shpallej/thirrej si Republika Popullore e Shqipërisë? Nëse kazma ishte simboli i shkatërrimit, dhe pushka i militarizimit të gjithë jetës së vendit, simbioza e çmendurisë ushtarake, e bunkerizimit dhe e afsheve luftarake, përse nuk hasim në masë një simbol ndërtues?! Ka momente që në parrullat propagandistike shohim tek-tuk edhe mistrinë (vegël e ndërtuesit), por nuk mund të thuhet se është imazh primar, i të njëjtës peshë, dhe i të njëjtit potencial përfaqësues, si ai i pushkës dhe i kazmës.

Këto simbole emblematike të totalitarizmit nacional-komunist shqiptar, gjendeshin kudo. Edhe rrugëve të qyteteve, edhe në uzina e fabrika, edhe në dyqane e lokale, edhe në shkolla e kampe pushimi, edhe në salla mbledhjesh e zyra të gjithfarë tipi, madje jo në pak raste edhe në ambientet intime e shtëpitë e vetë njerëzve.
"Edhe Zoti ka nevojë për reklamë, prandaj bien këmbanat." - thotë diku Nikos Kazanxaqis. Sistemi komunist kishte nevojë të përçonte doktrinën e kuqe në masën e gjerë, dhe rrënjosja e principeve të kësaj doktrine, kushtëzonte ndër të tjera edhe ekzistencën e kudogjendur të simboleve të tija vizuale.

Në fakt, brezi im (i viteve '70) ishte brezi i fundit i plejadës famëkeqe të Njeriut te Ri Shqipëri. Fryt i atij eksperimenti historik, që u orvat, dhe deri diku ia arriti, të shpërbëjë në mënyrë gati totale trashëgiminë dhe dijen e deriatëhershme në leximin e historisë, të gjithçkaje që lidhej me të shkuarën e trevave dhe të banorëve të shtetit ende të ri shqiptar.

Si fëmijë (ashtu si mjaft të tjerë), nuk mund ta kuptoja botën përtej slloganeve, shablloneve, por edhe simboleve komuniste. Ishin pjesë e jetës sime, dhe deri diku identifikohesha me to. Madje më kujtohet se dikur kam dalë një fotografi me kapele partizane, me yll të kuq në ballë, duke shtrënguar një pushkë druri në dorë. Po kështu, skuadra ime e dashur Partizani kishte për simbol yllin me topin e futbollit në qendër. Nuk i shoh pra, me përbuzje tanimë ato simbole. Përkundrazi më zgjojnë ndjenja nostalgjie për naivitetin dhe dlirësinë e viteve fëminore.

Por përpos nostalgjisë të një bote të parë me sytë e fëmijës, a ka vallë vend për interpretim, zhbirim meditativ dhe analizë, si edhe për një përqasje sa më të afërt të simbolikës vizuale nacional-komuniste shqiptare? Dhe përse do të na duhet të bëjmë diçka të tillë sot?
Sigurisht, që kjo përqasje ndaj sistemeve diktatoriale, krijon të njëjtën analogji konceptive, me veprimin e një shkencëtari që i afrohet gjithë kureshtje kraterit të një vullkani të shuar, me shpresën se duke e studiuar, do të mësojë më tepër për të, dhe se kjo njohje do t'i vlejë në një farë mënyre në të ardhmen. Pasi vullkani është aty, duke dihatur në thellësi të tokës; nuk u zhduk, thjesht po fle. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për sistemet diktatoriale. Është detyra jonë, jo t'i mohojmë dhe të harrojmë, por t'i njohim esencialisht, sepse vetëm duke bërë diçka të tillë, do të mund të krijojmë imunitete ndaj këtyre sëmundjeve kanceroze të historisë sonë njerëzore.

Nga ana tjetër është sot komoditet, të mund të luash artistikisht me emblema, situata, e nocione të caktuara, që vetëm tre dekada më parë artistët e kishin krejtësisht të pamundur t'u afroheshin, dhe që nëse do të tentonin të bënin diçka të tillë, mund t'a paguanin edhe me jetën e tyre.

Eshtë komoditet të marrësh ato simbole, dhe t'i shpërbësh në formë, duke i rikrijuar, duke i bërë të thyeshme, e duke u vrarë autoritetin totalitar. Eshtë grishëse ti zhveshësh ato imazhe pamore nga era e gjakut, nga cinizmi më i paskrupullt social/politik, dhe nga mjerimi aq i thellë intelektual, dhe t'u japësh një jetë të re. Eshtë e natyrshme të duash të thyesh çelikun e kallupeve sociale, që u përpoqën të ndrydhin gjithësinë tënde njerëzore, dhe me copat e thyera të ndërtosh një urë të shëndoshë, që të lidhë të shkuarën me të ardhmen, dhe që të bëjë sa më pak të dhimbshme peshën e së tashmes...

Toni Milaqi "Communist Albania" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Lapidar" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Communist Era Monument" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Thinking about Communist Era in Albania" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Sexy Star" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Hammer and Sickle" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Bunker" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2009)

Toni Milaqi "From Albania with Love" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2009)

Toni Milaqi "Slogans -Communist Albania" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2009)