29 June 2009

Lloqe Kavaje

Guri Madhi "Moscow conference 1960" (265x210 cm, oil on canvas, 1974)

Kohët e fundit më tërhoqi vëmendjen emisioni "Zonë e ndaluar" i gazetarit Andi Bushati (1.6.2009) në TV Klan, në të cilin u shfaq dokumentari "Imazhet e Pambledhura të Moskës", dhe ku i ftuar ishte arkitekti & piktori Maks Velo. E veçanta e këtij emisioni ishte se u përpoq të hedhë dritë mbi historinë e një prej pikturave më emblematike të soc-realizmit shqiptar: "Mbledhja e 81 Partive në Moskë, 1960" (Guri Madhi), duke na bërë dëshmitarë të asaj se si funksiononte kjo doktrinë ideologjike përmes gjuhës së saj vizuale në ambientin shqiptar.

Historia

* Vepra "Mbledhja e 81 Partive në Moskë, 1960" ishte një porosi e Komitetit Qëndror të Partisë në shtatorin e vitit 1973, me rastin e tridhjetë vjetorit të çlirimit të Shqipërisë dhe njëkohësisht të përurimit të godinës së re të Galerisë Kombëtare të Arteve, në ambientet ku ndodhet aktualisht.

* Vinte menjëherë mbas Pleniumit të katërt, i cili goditi rëndë çdo tendencë/prirje/ndikim "modernist/borgjezo-revizionist" në kulturë dhe arte.

* Porosia e kësaj pikture ishte në vazhdën e një fushate të ndërmarë nga organet e Partisë për trajtimin/pasqyrimin e "temave të mëdha" përmes artit, ose e thënë ndryshe si shprehja më elokuente e rolit/funksionit propagandistik që duhet të luanin artet dhe artistët sipas mendësive të klasës në pushtet.

* Figura e Enver Hoxhës mund të trajtohej në pikturë vetëm nga një numër tepër i vogël piktorësh, të cilët në të shkuarën kishin dhënë prova "devotshmërie politike" dhe "aftësish artistike" (shih: skrupulozitet akademik ndaj dogmës së soc-realizmit). Ndonëse në mjaft vepra të Guri Madhit vëmë re një formë më të çliruar materializimi teknik, përmes një penelate të gjerë dhe ekspresive, mund të thuhet se si artist i përmbushte në mënyrë rigoroze kriteret e mësipërme.

* Vepra e përfunduar prej G. Madhit u paraqit në ekspozitën e nëntorit 1974. Komisioni mbikqyrës i kësaj ekspozite i përbërë prej anëtarësh të Komitetit Qëndror dhe "artistësh" e cilësoi si të pambaruar, me probleme të theksuara kryesisht në modulimin e figurës së E. Hoxhës, e cila ishte trajtuar përmes perceptimit disi ekspresiv/jo fotografik të Madhit.

* I sugjerohet artistit ta rishikoj/ripikturoj veprën, gjë që nuk u pranua prej tij. Vendoset që figura e Enver Hoxhës të ripunohet prej piktorit Zef Shoshi, i cili konsiderohej si një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të soc-realizmit shqiptar, dhe nga të paktët artistë që mund të trajtonin figurën e udhëheqësit. Portreti i këtij të fundit disi fotografik/natyralist -që ne shohim sot- është produkt i retushimit të Zef Shoshit, duke dalluar qartë nga teknika e G. Madhit, dhe trajtimet e personazheve të tjerë të veprës.

Guri Madhi "Moscow conference 1960" -after repainted (265x210 cm, oil on canvas, 1978)

* 1978- Prishja me Kinën. I kërkohet G. Madhit të zhduket nga tablloja delegacioni kinez. Ndërhyrja kryhet. Figurat e kinezëve mbulohen me bojë.

*1981- Mehmet Shehu vret veten. Në pikturën në fjalë ai ndodhet përbri figurës së E. Hoxhës. Kërkohet sërisht prej autorit të ndërhyjë në vepër për të asgjesuar prej saj figurën e armikut M. Shehu. Guri Madhi shprehet se një veprim i tillë do të shkatërronte anën e saj kompozicionale, dhe se piktura s'do te vlente më. Që nga ajo kohë vepra u hoq nga qarkullimi, për t'u futur në fondin e zi të G.K.A.-së.

Piktura

"Mbledhja e 81 Partive" nuk solli ndonjë surprizë në artin shqiptar. Bëhet fjalë për një vepër skematike, demagogjike (e cila himnizon stereotipin e "vitalitetit shqiptar", përkundrejt karikaturizimit të të "huajve barbarë"), pompoze në shprehje, tepër e kursyer në ngjyrë (në kundërshti me mjaft vepra të tjera të autorit), me një monotoni konceptive në modulimin e personazheve.

Konteksti

Në fakt që të kuptojmë më mirë kushtet historike në të cilat u krijua piktura, duhet nënvizuar edhe koha e krijimit të saj. Nënkuptoj faktin se kjo vepër erdhi menjëherë pas Pleniumit të katërt, në vitin 1974, kohë në të cilën iu dha një goditje mjaft e rëndë prirjeve moderniste kryesisht në arte. Të shumta ishin gjyqet parodi, burgimet, internimet, pushkatimet, dënimet, arbitrariteti cinik i nomeklaturës komuniste ndaj intelektualëve dhe artistëve të kohës.
Në këtë aspekt nuk mund të pretendohet për cilësi dhe vlera të mirëfillta prej artit zyrtar të asaj kohe.

Bijtë e mosdijes

E solla këtu këtë histori për të bërë më të dukshme rolin unikal që mund të luajnë artet, apo veprat e artit në leximin e së shkuarës, në deshifrimin e saj. Akoma edhe në rastin e pikturave në fjalë, që nuk shquhen për pasuritë apo risitë e tyre artistike, mund të marrim një informacion bindës të mënyrës se si sendërtohej dhe se ç'rol luante arti në Shqipërinë komuniste. Duke folur mbi këtë subjek Maks Velo thotë: "Këtu kemi të materializuar, të fokusuar, të koncetruar tërë çmendurinë shqiptare." .

Rrugëtimi në jetë i kësaj pikture të G. Madhit është shprehja më e qartë mbi mënyrën se si perceptohej e shtjellohej në Shqipërinë totalitare historia (si shkencë), dhe evenimentet e ndryshme historike në veçanti. Eshtë treguesi më perfekt i retushimeve/fallcifikimeve të pafundme historike me të cilat u brumosën breza e breza të tëra të rinj shqiptarë. Një shembull ideal jo i çmendurisë shqiptare siç thotë M. Velo, por i obskurantizmit kriminal që mbolli dhe mbarështoi ai sistem aq i egër diktatorial në shoqërinë shqiptare për pesëdhjetë vjetë me radhë.

Forma e përqasjes/interpretimit historik (në varësi të kohës) të versionit zyrtar shqiptar mbi mbledhjen e Moskës, na bën të kuptojmë qartë vlerën dhe seriozitetin e konkluzioneve shkencore në trajtimin e etapave të ndryshme historike, duke u nisur nga Pellazgët, Ilirët, Bizanti, Lufta e dytë Botërore, apo konkludimet mbi Epirin, artin kristian/bizantin dhe pasbizantin në trojet e Shqipërisë së sotme, për të cilat kaq herë është folur edhe në këtë blog.

Duke ditur historinë e pikturës "Mbledhja e 81 Partive në Moskë, 1960"Guri Madhit, jemi në gjendje të kuptojmë rolin prioritar dhe funksionin utilitar të artit të realizmit socialist në mbarëvajtjen e ekuilibreve sociale brenda burgut të pamëshirshëm nacional/komunist shqiptar.

Zef Shoshi "Moscow conference 1960" (oil on canvas, 1980)

p.s. Dua të shtoj se të njëjtën temë e trajtoi më vonë edhe Zef Shoshi, në një aludim tepër formalist/të vakët artistik, më të sigurtë politikisht, duke fshirë nga skena historike prezencën kineze, dhe duke lartësuar edhe më kompozicionalisht figurën pompoze të E. Hoxhës.