21 February 2010

Mbi Trëndafilin e kuq dhe Demonë të Tjerë

Toni Milaqi "Of Red Rose and Other Demons" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2010)

Aroma e atij trëndafili të kuq, që në mënyrë aq torturuese i shprishte gjumin, dhe që rrotullohej përmes luginave të trurit ashtu tinëzisht netëve, gjithë vrik, me arrogancë e prepotencë, kishte diçka të thyeshme, të cilën nuk mund të deshifronte plotësisht. Një ndjesi brishtësie, e dhimbshme, e pushtonte të tërin edhe kur gjumi e kishte braktisur, dhe gjurmët e vegimit i ndjente ende të ngecura mbi qerpikë. E ndonëse nuk donte të mendonte për të kuqen vezulluese, e cila me aq kapadaillëk për të kushedi se sa të satën herë i okuponte ëndrrat, e haste atë sërish aty, imponuese, kokëfortë dhe këmbëngulëse.

Nëse ai vegim, që në pamje të parë nuk i kujtonte asgjë, të ishte real, do të ndjente një farë lehtësimi, por si i bëhej në rast të kundërt; sikur gjithçka të ishte një orvajtje tekanjose e mendjes së tij? Si i bëhej sikur ajo aromë idilike të mos kishte asnjë rrënjë tokësore e bazë reale, por të ishte produkt sharman i fantazisë së tij? Dhe nëse kjo e fundit do të ishte e vërtetë, përse provonte kaq shumë dhimbje gjithnjë në zgjim? Si mund të vuash për diçka që s'njeh?! Si mund të provosh një ndjesi të tillë humbjeje për diçka që s'ekziston?!

Toni Milaqi "Of Red Rose and Other Demons" -detail (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2010)