25 May 2009

Kronikë e një Vdekjeje të Paralajmëruar

Toni Milaqi "The Lake" (acrylic on paper, 85x65 cm, 2006)

Një zë në shkretëtirë

Shkas për këto radhë u bë shkrimi mjaft prekës i Fatos Lubonjës me titull: "Liqeni jemi ne". Them prekës pasi nëse një njeri/shkrimtar/artist është në gjëndje të përçojë përmes mendimeve, apo veprës së tij, ato ç'ka turma ndjen dhe mendon, atëherë atë (krijuesin) shumë bukur mund t'a përfytyrojmë si zëdhënësin shpirtëror të saj; Dhe duke folur kaq rrjedhshëm për sentimente të tilla si p.sh. ai i Liqenit në mendësinë e kryeqytetasve, s'ka se si të mos ngacmojë edhe ndjenjat e tyre. Qëllimisht përdora termin shkrimtari/artisti, dhe jo gazetari/analisti, pasi analiza dhe qëndrimi kritik në vëzhgimin e realitetit janë pjesë përbërëse e hulumtimeve edhe e të parit, ndërsa skalitja e fjalës së shkruar (që vihet re tek Lubonja) s'është e thënë të jenë objekt kërkimesh apo domosdoshmëri për të dytin.

Në rastin e Lubonjës aftësia për të krijuar një realitet paralel përmes shkrimeve të tij, i cili shpesh i shpall luftë realitetit vrastar/banal, bëhet me një formë të tillë shprehjeje dhe me një freski të tillë krijuese (ndonëse konçize, e të kursyer), e cila shumë pak të përbashkëta ka me një vështrim të pangjyrë analitik/teknokrat.

Toni Milaqi "Painter by the Lake" (acrylic on canvas, 100x80 cm, 1996)

Qyteti

E pranoj se më pëlqeu fakti që dikush foli në mënyrë publike kaq qartë mbi këtë temë, e cila më ka preokopuar vizualisht prej kohësh, dhe mbi të cilën kam shkruar një vit me parë tek "Arratisja". Mendoj po kështu, se problematika mbi Liqenin është një nga temat më imediate të së ardhmes, të asaj se çfarë do t'i ofrojë banuesve të tij qyteti i Tiranës, dhe se çfarë fisiognomie karakteristike do t'i shfaqë ai vizitorit të huaj.

Toni Milaqi "The Dance" (acrylic on canvas, 100x80 cm, 2001)

Nuk dua të flas në këtë shkrim për akset e tjera mjaft shqetësuese të qytetit, si p.sh. : problemet kaotike urbanistike, apo amoku i pashoq i manisë për të ndërtuar vend e pa vend, apo tek krimet që jane bërë dhe bëhen sot e kësaj dite ndaj hapësirave arkitekturore, vizuale dhe estetike të kryeqytetit tonë të dashur, apo tek mish-mashi konceptual i ndërtimeve në Tiranë. Dua të ndalem vetëm tek Liqeni Artificial dhe kodrat përreth tij...

Toni Milaqi "Sex" (acrylic on canvas and mixed technique, 120x90 cm, 2003)

Dualizmi

Ka një paradoks brenda meje, që prej 17 vjetësh jetoj larg Tiranës-qytetit tim të lindjes. Provoj një dualizëm habitës emocionesh sa herë që kthehem për së largu. Mezi pres të prek tokën amë, të çmallem me gjithçka që më mungon nga vendi ku linda, ku kalova fëmijërinë, adoleshencën time, dhe pikërisht në çastet që mbërrij e zhytem në jetën e qytetit, një forcë e çuditshme demoniake më bën të dua të iki sa më larg dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Diçka më largon, më shtyn tutje, a thua se urëzat që më lidhnin me atë tokë janë këputur njëherë e përgjithmonë.

Toni Milaqi "Conclusion" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2006)

Metamorfoza

Asgjë nga qyteti i sotëm s'ka shijen që kishte dikur në fëmijërine time. Asgjë s'më krijon sensin e diçkaje të njohur dhe intime. As Sahati, as Muzeu Historik, as Banka, as monumenti i Gjergj Kastriotit, nuk janë më të njëjta. As rrugët s'janë po ato, as njerëzit, as ritmet e jetës, as ajri që pluskon mbi ne. Gjithkund ke ndjesinë se fantazma e Tiranës së dikurshme që vërtitet në kokën tënde, s'është aspak reale, dhe se ekziston si e tillë vetëm tek ti.

Toni Milaqi "Couple" -II- (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2007)

Egoizmi

Tek shkruaj këto radhë nuk ushqej iluzionin që ato sa them mund ti hyjnë në punë ndokujt, as nuk jam nga ata që nuk mund të rrojnë dot me të tashmen, apo dhunën e pamëshirtë të saj përmes ligjeve të evolimit. Thjesht këtu flas për qytetit tim të fëmijërisë, dhe të askujt tjetër. Për shokët e mi, për rrugët e mia, për shkollën time, për mësueset e mia, për femrat që unë desha, për bliret dhe manjolat e mia, për plepat dhe pishat e mia, për dhimbjet dhe dashuritë e mia. Dhe kur të gjitha këto i sheh të thyera, as vetë s'e kupton se sa shpejt ligështohesh...

Toni Milaqi "Waiting for the Barbarians " (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2008)

Liqeni

Në mes të gjitha këtyre, Liqeni ishte diamanti më vezullues i Tiranës. Ishte oazi, ekstaza natyrore (ndonëse me fillesa artificiale) prehja, gëzimi, ngjyra, aroma, ikja, përvjedhja, romantika, muzika, thembra e Akilit kryeqytetas. Aty ku jo vetëm natyra, por edhe njerëzit, përjetonin ringjalljen e madhe. Ishte mushkëria ekologjike e qytetit.

Me të drejtë Lubonja në shkrimin e tij thotë: "Liqeni jemi ne". Nëse do t'a përfytyronim këtë oaz natyror si mushkërinë gjigande të qytetit, pikërisht tani kur thuajse gjysma e Liqenit është tharë e helmuar, kur pemët janë prerë e janë lënë në mëshirë të fatit, dhe ndërtimet barbare janë shtuar si kërpudha, pikërisht tani kur sëmundja ka gllabëruar tërësisht mushkëritë e sfilitura, a mundet vallë të jetë Tirana e shëndetshme?

Toni Milaqi "Bacchanal" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2008)

Tek Unë

Për sa i përket artit tim, Liqeni i Tiranës ka qënë gjithnjë një muzë natyrore. Thonë se atdheu është ai vend, në të cilin ke kaluar fëmijërine tënde. Disa shembuj të punëve të mia -ndër vite- bazuar mbi këtë subjekt, mund të shihen edhe në këtë postim.
Vështirë të shkundësh nga supet e tua dashuritë e mëdha, dhe padyshim në jetën time Liqeni Artificial i Tiranës ishte një e tillë...

Toni Milaqi "The Painter by the Lake" (acrylic on canvas, 100x80 cm, 2009)

14 May 2009

Duke pritur Messiah-n

Toni Milaqi "The Angel" (acrylic on paper, 75x55 cm, 2000)

Të dhimbshme tingëllonin kujat e maceve tek gërricnin zhurmshëm qiejt. Të pakënaqura nga ritualet e përzishme tokësore, kërkonin me ngulm dëshmi të jetës së epërme. Kërkonin që mugëtira e ngrysur të zhdukej, dhe Messiah të shfaqej përmes saj. Kërkonin një shenjë qiellore, që t'i jepte vlerë të re ekzistencës. Një xhest hyjnor, një akt që të mund të kalonte kufijtë e së vdekshmes. Diçka që të veniste dyshimet e tyre mbi Perënditë, dhe t'u ripërtërinte shpresat...

Dhe ndërsa mendonin të tëra këto, një mbrëmje pranvere nën qiej të tejmbushur me aromëra jargavanësh e dorëzonjash, befas vunë re Atë. Përmes resh gjithëngjyrëshe dhe një drite idilike, një ëngjëll krahëbardhë me dhëmbë të mprehtë si thika, u shfaq mbi kokat e tyre. Si të shushatura vështruan macet njëra-tjetrën, krijesa që u varej mbi krye s'ishte gjë tjetër veçse nje Buçe qiellore...

09 May 2009

Flete Ditaresh

Toni Milaqi "Lost in Thoughts, Self-Portrait" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2009)

Gjithe veprimtaria artistike e nje piktori s'eshte gje tjeter vecse nje aktivitet i panderprere vezhgues mbi gjithcka rrethuese, por edhe mbi vetveten. Do t'a konsideroja kete akt si nje lloj ditari individual, i cili ekspozohet por edhe pasurohet prej faktoresh te jashtem si "vendi" dhe "koha". Pikerisht nen kete trysni artisti duhet te akumuloje sa me teper nga moria e informacionit dhe diturise qe fiton perdite, por edhe te arrije te shprehet/konkludoje artistikisht mbi gjithsa i preokupojne mendjen dhe shpirtin.

Nen kete prizem veprat e artit s'jane gje tjeter vecse flete te vecanta hulumtuese te nje ditari personal, te cilat vetem nese flasin per te verteta universale (permes nje gjuhe kreative/origjinale), mund te kthehen edhe ne pasuri te pervojes dhe dijes kolektive...

Toni Milaqi "Self-Portrait" (pencil on paper, 21x29,7 cm, 2004)

01 May 2009

Komplote

Toni Milaqi "The Conspiracy of Julius Civilis" (acrylic on canvas, 130x100 cm, 1996)

Shpesh ne jete hasim personazhe, dukuri apo ngjarje, qe stigmatizojne tere kendveshtrimin dhe perceptimin tone njerezor. E kam thene jo pak here se Rembrandt-i eshte per mua nje figure e tille. Nje nga veprat e tij, e cila ka lene gjurme te pashlyera tek une, eshte "Komploti i Julius Civilis-it". Ajo qe me impresionon tek kjo tabllo, pervec dinamikes kompozicionale, drites, grafikes, teknikes gjeniale, dhe galerise se pashoqe te karaktereve te krijuar, eshte edhe vete historia e saj.

"Komploti" i Van Rijn-it u nis si nje porosi e keshillit te bashkise se Amsterdamit, e cila ne vitin 1660 sapo ishte strehuar ne nje ndertese te re. Tablloja do te stoliste se bashku me tre vepra nga piktore te tjere, muret e zbrazta te godines bashkiake.
Duhet thene se batavini Julius Civilis konsiderohet si kryengritesi i pare hollandez (69 pas Krishtit), i cili bashke me te tjere krere te fiseve batave (Hollanda e sotme) betohen te debojne romaket nga vendi i tyre.

Pasi Rembrandt-i e perfundoi pikturen dhe ajo u ekspozua per disa muaj ne ambientet e bashkise, anetaret e keshillit bashkiak vendosen t'ia kthejne serisht autorit, me pretekstin se puna ishte mjaft e vecante, dhe se nuk duhej te dallonte kaq shume nga veprat e tjera. Dhe ndonese piktori plak mendonte se tablloja ne fjale ishte kryevepra e tij, per perfaqesuesit e bashkise duhej medoemos te beheshin ndryshime. Pikerisht atehere Van Rijn-i duke mos duruar dot mendjengushtesine, si edhe fyerjen e bere, e copetoi -ne nje moment gjaknxehtesie- vepren me thike, duke dashur t'i jape fund debateve mbi te. Tablloja qe disponojme sot eshte nje fragment i piktures se plote, dhe shpetoi fale perkushtimit te njerit prej nxenesve te Rembrandt-it asaj kohe.

Qasja ime mbi kete veper te hollandezit te madh eshte produkt i fazes sime primitive (1996), dhe eshte rezultante e deshires per te trajtuar kete subjekt me nje forme te re, pa u larguar shume nga thyerja konceptive e shperndarjes se personazheve mbi ate kuadrat viziv qe ka mbetur prej vepres se dikurshme te Van Rijn-it.

Pjeset me poshte i perkasin librit "Rembrandti" te shkrimtarit Gledis Shmit, dhe flasin pikerisht per temen ne fjale.

Rembrandt Harmenszoon van Rijn "The Conspiracy of Julius Civilis" (oil on canvas, 309x196 cm, 1661)

***

-Edhe vete Civiliusi eshte nje figure sic ju pelqen juve, -shtoi Jani.- Sic dihet, ai ka qene plak, i fuqishem e i vrazhde, si vellai juaj, ashtu sic e keni pikturuar me helmete te praruar. Ky eshte njeriu, per koken e te cilit ishte vene cmim. Ai ishte gjysme i verber, Taciti thote se kishte humbur njerin sy. Kur mendoj se si do te dale ne tabllone tuaj kjo fytyre me nje sy...

Edhe Rembrandti per kete po mendonte. Fytyra e Civiliusit iu shfaq perpara ne vetmine e zeze te pyllit te Tevtoburgut, e forte si graniti, krenare si shqiponja. Njesoj si Adriani me helmete te praruar, njesoj si vete piktori ne hotelin "Korona", Civiliusi nuk u thye dhe fytyra e tij shprehte nje perbuzje te hapur per shoqerine e larte, qe e kishte denuar me vuajtje. Madheshtia e vrazhde dhe e pathyeshme e kesaj fytyre i shkonte per shtat kurores qe i rrethonte ballin e rrudhur te batavit dhe ndeshkimi qe lajmeronte nuk ishte kanosje e kote; ai i arriti radhet e pushtuesve romake; ndoshta do t'i arrinte edhe borgjezet amsterdamas, ashtu si gjithe sundimtaret e verber e moskokecares te kesaj bote. [1]

***

-Kurre se kisha perfytyruar nje tabllo te tille.
-Kete askush nuk e perfytyronte dot. Nje tabllo si kjo s'e ka pare bota.
Tylpa i hoqi syte nga fytyra e mbretit dhe i hodhi ne fytyrat e komplotisteve te tjere. Ato ngjanin si maska, por ishin fantasmagorike, jashte kohes, te shkeputura nga shqetesimet e vogla, dukeshin sikur dilnin nga erresira parahistorike duke leshuar e duke mbartur mbi vete nje shkelqim te cuditshem qe vetetinte nga shpatat, korracat, gotat metalike e duke shkrire ne syte gjole te thella te territ te padepertueshem. Secili prej tyre nuk ishte aq uni i vet sa c'ishte nje pjese e se teres se madherishme e ne ndeshjen e shpatave te tyre kishte nje afrim, sikur, sipas nje zakoni te lashte, secili do te priste doren e do te derdhte ne venat e veta gjakun e fqinjit.
[2]

***

Me durim, por pak si me pertim, sikur ishte mbushur gjer ne gryke me kete ngjarje, Titusi tregoi c'kishte ndodhur ne zyren e kryetarit te bashkise Van Spihel. Zotin Van den Fondel dhe disa te anetare te keshillit te qytetit nuk e kenaqi edhe aq tablloja e Van Rijnit, e tani, kur edhe tri pikturat e tjera ishin varur ne mur, ata te pakenaqur, shprehen ate, per te cilen ishte hapur ne qytet fjale e qe kishte ardhur gjer ne vesh te Titusit; se nuk duhej qe njera prej pikturave te ndryshonte kaq fort nga tri te tjerat. Po tablloja nuk u hodh poshte... a e kupton Hendrikja kete? "Civiliusi" iu kthye autorit vetem per nje kohe, per disa perpunime. [3]

***

-C'ndryshime?
Zeri i Rembrandtit ishte po aq i mbytur sa me pare, por ama se si iu fryne damaret e qafes se trashe dhe te ballit, se si i mblodhi grusht duart qe i vareshin midis gjunjeve, Titusi nuk mundi t'i shihte, se po rrinte shume larg. [...]
Titusi e preu fjalen: i ati u ngrit si ari i ndjekur duke perplasur kembet u capit neper dysheme. Ku po vente? Te tryeza qe tundej, e qe aty me thike ne dore, i terbuar e me fytyren prush te kuqe, u kthye prape. Per nje cast frika sikur e paralizoi Hendrikjen e shtangur. Mos valle Rembrandti u cmend, aq sa t'ia ngulte thiken ne gjoks te birit?
-Te bej ndryshime, the? -uleriti piktori, dhe jehona ia perhapi zerin ne gjithe depon e zbrazet. -Tani ke per te pare se si do t'i bej ndryshimet.
Pa leshuar thiken nga dora iu vervit tabllose, nguli ne te tehun e pernjeheresh cau drurin...; pastaj verviti thiken, i ra edhe nje here telajos, e flaku e me te dyja duart duke u kapur pas cepave te cara, i copetoi me aq force, sa piktura e care kuiti si nje qenie e gjalle.
- Bubu! C'po ben ashtu, baba?
- Po bej c'me do qejfi, -iu gjegj Rembrandti, rrembeu jelekun nga varesja, hapi deren dhe doli ne terr.
Hendrikja, qe qendroi ne depo, e pa kur djaloshi vuri doren tek e cara e shemtuar, sikur te mos ishte i zoti te besonte se telajo qe shqyer me te vertete, gjersa e provoi me gishtat e tij te dridhur. Ai ishte zbehur, po shtrengonte barkun me dore sikur po i vinte te vjelle, e ajo s'e linte dot vetem. Po Hendrikja kishte ndenjur shume kohe me femijet, ndersa Rembrandti, i keputur, qe kerrusur nen grushtat e skamjes, te turpit dhe te pleqerise.
-Ketu s'ke me c'te besh. Sapo te marresh veten, nisu per ne shtepi, -i tha ajo e u sul pas burrit te saj te dashur, ne terr, ne naten e shkrete... [4]

Gladys Schmitt, "Rembrandt"
(perktheu Klio Evangjeli)

***

Shenime:

Gledis Shmit, "REMBRANDTI", Shtepia botuese "Naim Frasheri", perktheu Klio Evangjeli, Tirane 1986.

1-faqja 558
2-faqja 565
3-faqja 571
4-faqja 577