Toni Milaqi "The Angel" (acrylic on paper, 75x55 cm, 2000)
Të dhimbshme tingëllonin kujat e maceve tek gërricnin zhurmshëm qiejt. Të pakënaqura nga ritualet e përzishme tokësore, kërkonin me ngulm dëshmi të jetës së epërme. Kërkonin që mugëtira e ngrysur të zhdukej, dhe Messiah të shfaqej përmes saj. Kërkonin një shenjë qiellore, që t'i jepte vlerë të re ekzistencës. Një xhest hyjnor, një akt që të mund të kalonte kufijtë e së vdekshmes. Diçka që të veniste dyshimet e tyre mbi Perënditë, dhe t'u ripërtërinte shpresat...
Dhe ndërsa mendonin të tëra këto, një mbrëmje pranvere nën qiej të tejmbushur me aromëra jargavanësh e dorëzonjash, befas vunë re Atë. Përmes resh gjithëngjyrëshe dhe një drite idilike, një ëngjëll krahëbardhë me dhëmbë të mprehtë si thika, u shfaq mbi kokat e tyre. Si të shushatura vështruan macet njëra-tjetrën, krijesa që u varej mbi krye s'ishte gjë tjetër veçse nje Buçe qiellore...