30 March 2008

Individi dhe Shteti

Toni Milaqi "Blue execution" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2007)

Nje element paresor i analizes time mbi boten, brenda kuadrit te artit, ka qene dhe eshte edhe ai i te studiuarit te lidhjes se Individit me Shtetin. Analize kjo qe sa here thellohem mbi te, kaq here me ben te ndihem teresisht i zbrazet dhe njekohesisht i revoltuar si njeri.
Prezenca shteterore, apo ajo e Pushtetit, ka shume forma shfaqje tek Individi. E ndesh ate tek kushtetuta, tek ligjet, tek liria e mendimit, e fjales, e te shprehurit, tek menyra se si ushtrohet politika, tek ekonomia, tek relacionet sociale te shoqerive me Individin (kam ketu parasysh te drejtat per arsim, kulture, shendetesi, sigurime shoqerore, arritjet e ndryshme sociale...)
Por ajo qe mua personalisht me mbyt eshte cdo shfaqje dhe prezence militare, ushtarake apo e organeve te ruajtjes se rendit, shprehje keto ne te cilat hasim haptazi brutalitetin shteteror, anen e hekurt te Pushtetit.

Toni Milaqi "The death of Hope" (acrylic on canvas and mixed technique, 130x100 cm, 2001)

Historia ka treguar gjithfare shembujsh te pafund te egersise, cinizmit, dhe dhunes shteterore. Luftera te pambarimta ne emer te "Popullit", te "Shoqerise", te "Idealeve", te "Rendit", te "Zotit", te "te Drejtave te Njeriut", te "Paqes", te "Demokracise", te "Stabilitetit Kombetar dhe Nderkombetar".
Ka shume forma per te kamufluar egersine dhe brutalitetin e mekanizmave militare, ushtarake e policeske. Esenca eshte e njejte qysh nga Mesopotamia, Egjipti, Greqia, Roma, Bizanti, Vatikani, Franca e Napolonit, Anglia, Gjermania e Hitlerit, Bashkimi Sovjetik, Amerika e Kina.
Gjithnje dhuna e hekurt e shteterore vjen si pasoje rrjedhuese e ekspansionit te klases ne pushtet, e etjes per sa me shume fitime.

Toni Milaqi "Authority touch" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2007)

Nje artist, nje intelektual s'ka se si te rrije indiferent kundrejt ketyre shfaqjeve te dhunshme te pushtetit, te cdo tipi qofshin ato. Nje artist s'mund te jete anashkalues. Nuk mund te rrish pafolur kur ndesh kasaphanen e Shtetit perkundrejt Individit. Fenomen ky kaq thellesisht i analizuar nga Franc Kafka ne veprat e tij. Me vjen tani nder mend tregimi "Para ligjit" apo "Metamorfoza".
Prekja e Pushtetit eshte e eger, e fatkeqesisht Individi eshte gjithnje i lakuriqte, i pambrojtur, dhe i vetem, perballe ketyre perbindeshave social te krijuar prej vete tij.

27 March 2008

Gjumi i Arsyes, Pjell Perbindesha

Toni Milaqi : " The Sleep of Reason Produces Monsters " (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2007)

Gjithnje me ka interesuar ne punen time krijuese, bashkebisedimi me mjeshtrat e se shkuares. Nje lloj debati artistik, nje lloj tendence per te rifolur -por me nje sens te ndryshem- per problematikat e tyre krijuese, per konceptet e tyre filozofike, artistike, njerezore.

"Asnje poet, asnje artist i cilido arti, vetem nuk e ka kuptimin e plote. Rendesia e tij, te cmuarit e tij eshte te cmuarit e marredhenies se tij, me poetet dhe artistet e vdekur."
(Tomas Eliot)

Nje nga gjerat me te veshtira per nje artist, eshte te krijuarit e nje personaliteti artistik; te krijuarit e nje fisiognomie te qenesishme, unike, e teresisht te vecante nga te tjeret.

Gjithnje esenca e artit perendimor (kam ketu parasysh antikitetin grek, romak, rilindjen europiane, e duke ardhur deri ne ditet e sotme), ka qene lufta e artistit per te shprehur ne nje forme teresisht unikale, cdo trajte te subjektivitetit te tij njerezor; Subjektivitet ky, qe do t'a percaktonim si te madh, kur ne brendesi te tij perfshin sa me shume nga universi i problematikave, frikave, deshirave, nevojave, anktheve, endrrave, mendimeve, e ndjenjave te sa me shume njerezve . Njekohesisht, do te flisnim per nje krijimtari te gjithepushtetshme artistike, ne rastin e atyre artisteve, shkelqimi dhe vezullimi i te cileve do te kish sa me shume qendrushmeri ne kohe.

Pra fillimisht, e nevojshme per nje artist eshte te krijuarit e personalitetit artistik. Por kjo ne vetvete nuk mjafton. Artisti si nje krijese endrrimtare fluturake dhe e shqetesuar, eshte padyshim i etur per cdo shfaqje te re te perceptimit dhe kendveshtrimit te tij artistik.

Nje artist nuk mund te perserise veten, qofte ne trajte (ne forme), qofte ne konceptim ( ne ide). Dicka e tille do te ish e barararte me vdekjen e tij artistike. Hemingway vrau veten pikerisht per kete, sepse nuk mundej te sillte asokohe asgje te re ne krijimtarine e tij artistike. Duke qene se qendra e gravitetit te tij ekzistencial ishte arti, pikerisht kur humbi aftesine e te shprehurit nepermjet tij, humbi edhe deshiren per te jetuar. Ishte e kote te jetonte kur nuk posedonte elementin thelbesor dhe perfaqesues te qenies se tij; te shprehurit nepermjet artit, te qenurit artist.

Pra etja per te rene eshte edhe nevoja per t'u pervjedhur nga personaliteti i krijuar artistik, nevoja per te fluturuar ne te tjere qiej, per te njohur te tjere zotera.

"Poezia (arti) nuk eshte shfrenim emocionesh, por ikje nga emocioni; nuk eshte shprehje e personalitetit por ikje nga personaliteti. Por natyrisht vetem ata qe kane personalitet dhe emocione, e dine c'do te thote t'u ikesh ketyre gjerave."
(Tomas Eliot)

Francisco de Goya: "The Sleep of Reason Produces Monsters " - No. 43 from "Los Caprichos" (Etching and aquatint, 1796-98)

Ne debatin me mjeshtrat e se shkuares, eshte e rendesishme te perpiqesh te thuash ide te levruara shume here, me nje kendveshtrim teresisht te ri. T'i japesh atyre kengeve te sterthena , ngjyra teresisht te reja, duke krijuar tek spektatori ndjesine se po degjon dicka per here te pare.

"Nuk eshte puna e poetit te gjeje emocione te reja, por te perdore te zakonshmet, dhe duke i perpunuar ne poezi, te shprehe ndjenja qe nuk gjenden fare ne emocionet aktuale."
(Tomas Eliot)

Ne relacionin tend me figurat historike te artit, duhet te ruash zjarrin e tyre, por duhet te vrasesh pushtetin e tyre artistik, per te krijuar vend per hapesirat e tua personale.

Artistet kane nje lidhje teper te ngaterruar me gjurmet e artit ne kohera. Jane ne te njejten kohe adhurues , por edhe vrastare te baballareve te tyre artistik. Vetem ne saje te ketij qendrimi dualist, mund te perparojne dhe te formojne personalitetin e tyre krijues.

Nje lidhje e tille eshte edhe e imja me Gojen. Adhurim, por edhe nevoje per ta mohuar e per te thene dicka te re, mbi gjera te thena, e te sterthena.

24 March 2008

Erotika ne Art

Gjithnje me ka preokupuar si artist trajtimi i Erotikes ne art. Sa te lire jemi te shprehemi nepermjet nje vepre arti per sa ndjejme, mendojme, e na shqetesojne unin? Ka kufinj liria ne art? Dhe nese ka, kush jane kufinjte e saj? Deri ne c'mase mund te shprehim haptazi problematikat tona njerezore dhe artistike? Ekzistojne tabu ne art?

Per t'iu pergjigjur te gjitha ketyre pyetjeve, por dhe shume te tjerave, duhet ne radhe te pare ti pergjigjemi pyetjes: "C'eshte arti?" .

Per mendimin tim arti eshte nje nga ato stade te zhvillimit njerezor, qe ben te kuptueshme ndarjen e njeriut nga kafsha. Eshte ajo forme e eperme e qenies, e cila ndonese nuk ka asnje karakter utilitar, perben nje aspekt thelbesor te ekzistences njerezore pergjate mijevjecareve te historise. Nje perpjekje per vetanalize te universit tone. Eshte forma e shprehjes se aspiratave, instikteve, frikave, deshirave, nevojave, endrrave, ndjenjave, mendimeve, mentalitetit, botekuptimit tone njerezor. Eshte percapja jone per t'u barazuar me Zoterat e Qiejve. Arti eshte ushqim i shpirtit.

"Nese bota do te ish e qarte, atehere arti nuk do te ekzistonte." (A.Kamy)

"Arti dhe vetem arti. Ne kemi artin per te mos vdekur nga e verteta." (Nice)
Le te kthehemi tani tek liria ne art. Duke shqyrtuar hapesirat e lirise, pikesepari le t'i shqyrtojme ato per nga ana tematike (permes nje vepre artistike). Ekzistojne valle tema tabu? Nese arti eshte shprehja me e fuqishme e unit tone, e botes sone emotive dhe konceptuale atehere ia vlen te themi - per te qene mbi te gjitha te sinqerte me vetveten - se nuk ka tema tabu.
Ato c'ka na sundojne shpirtin e na ndersyjne trurin, duhet te jene ne menyre te padiskutueshme edhe shprehja tematike e vepres se krijuar artistike. Kete nenkuptonte edhe Emil Zola kur therriste : " Nuk ka rendesi tema . Gjithcka eshte art", per te vazhduar me: " Mendja e njeriut te zakonshem mendon ne menyre dualiste. Drita, hija; e embla e hidhura; e mira e keqja. Ne natyre nuk ekziston aspak ky dualizem. Ne bote s'ka as te keqe , as te mire. Ka qenie ne veprim. Kur pershkruajme nje veprim, ne pershkruajme ne te njejten kohe jeten; kur ne i japim ketij veprimi emer- bie fjala "degjenerim", apo "amoralitet"- ne ketu hyjme ne sferen e paragjykimeve subjektive." .
S'ka tabllo te pahijshme! Ka tabllo , apo libra te konceptuar dhe te shkruar keq.

"Roli i artit , eshte te shprehe dicka qe tere veprimtarite e tjera nuk mund t'a shprehin: te pavetedijshmen, aspiratat e mjergullta, jo racionalen." (Alberto Moravia)
"Artisti nuk eshte gjykates. Ai eshte avokat i vazhdueshem i krijeses njerezore, sepse kjo krijese njerezore eshte ende gjalle." (A.Kamy)
Perderisa arti eshte shprehje e aspiratave tona te mjergullta, e te vertetave tona njerezore, mundet valle te mos jete edhe nje pasqyre e realitetit tone te brendshem shpirteror, e sensualitetit tone, e dashurise apo e demoneve te tjere qe na perqarken?!

Sensualiteti yne, si edhe bota e instikteve qe gjallon brenda nesh, kane qene, jane dhe do te jene tema numer nje e artit. Sipas Frojdit:
" Baza e cdo gjeje, e cdo veprimtarie njerezore dhe e krijimtarise artistike jane instiktet; sidomos ato seksuale . Kerkesat e instikteve shtypen nga veprimi i faktoreve social, politik, moral, etj; prandaj ato jane te strehuara ne subkoshiencen tone. Keto kerkesa mund te plotesohen ne trajte te sublimuar, dmth. imagjinare, ne fushen e artit ".
Pra te levruarit artistikisht te sensualitetit, te anes tone seksuale (pa dorashka e tabu), eshte ajo qe na ben te njohim brendine tone shpirterore, apo te hulumtojme mbi fenomenet dhe dukurite me uzurpuese te unit. Nje lloj katarsi i qenies.

"Njih vetveten, kerko te verteten mbi boten ne vetveten tende." ( Sokrati)
Njohja e njeriut dhe e ambientit rrethues eshte edhe obligimi themeltar i artit. Po kaq primare jane te trajtuarit artistikisht te ndjenjave, nevojave, deshirave , frikave, por edhe perpjekja per pergjigje e pyetjes se: "Nga vijme, kush jemi, e ku shkojme?".
Duke iu kthyer "erotikes" mund te thuhet se eshte nje nga temat me te trajtuara te artisteve ne kohera. E hasim ate ne nje mori veprash qe i perkasin civilizimeve te ndryshme, te hershme e te vona, civilizimeve prehistorike, antike, mesjetare, te atyre moderne, e duke mberritur deri ne ditet e sotme. Levrimi i Erotikes ne art eshte tentativa, perpjekja, percapja e njeriut per te zbuluar dhe njohur vetveten. Eshte shprehja e diturise njerezore, eksplorimi i vullkanit qe na djeg ne gji.

"Le ti lejme moralistet te na predikojne turpin, e mjeket kujdesin; t'i leme artistet, keta mashtrues te mashtruar gjithnje nga vetvetja, t'i kendojne bashkimit te paperlyer te shpirtit me lumturine jomateriale.....Ne duam para se gjithash perkedheljen qe te deh, te rremben, te rraskapit, te ndez, qe eshte gllaberuese, qe te ben te lutesh, te ben te kryesh te gjitha "krimet" dhe te gjitha veprimet e guximshme."
(Gi De Mopasan)

22 March 2008

Homazh Per Edison Gjergon

Edison Gjergo "Epika e yjeve te mengjesit" (oil on canvas, 179x119.5 cm, 1971)

Kisha degjuar te flitej shpesh nga babai im per Edison Gjergon (1939 -1989). Kishte patur fatin ta njihte personalisht. Kishte pare nga afer ne ekspozita te ndryshme punet e tij. Sa here e degjoja te fliste per Edisonin ndjeja zerin e tim eti te ngjyrosej me nje lloj malli per vitet  '60, me zgjimin e kujtimeve per romantizmin e brezit te tij, me ndjesine e mungeses per brishtesine naive te atyre njerezve.
Isha i sigurt se adhurimi i tim ati per artin e Gjergos, ishte thjesht shprehje e nostalgjise, dhe jo e vlerave qe mund te mbarte vepra e tij. Mendoja se kishim te benim me nje tjeter piktor demagog-propagandistik nga ata qe qarkullonin me shumice ne hapesirat pamore, me nje tjeter pjelle te realitetit medioker artistik qe lulezonte ne Shqiperi, por per cudine time e verteta do te ishte teresisht e ndryshme...
Brezi im u rrit pa mundur te njohe pikturen e Edison Gjergos, si pasoje e denimit te tij ne periudhen e diktatures komuniste. Me pas ne vitet e vakumit social-politik (i cili vazhdon edhe sot) ishte po kaq e veshtire te qenit ne kontakt me keto vepra...

***
Te tera keto deri ne vitin 2005, kur ne nje vizite ne Galerine Kombetare pashe per here te pare nga afer artin e Edisonit.
Gjendesha ne sallen e Realizmit Socialist . Te gjithe sallen e vizitova brenda dhjete minutash. Derisa hasa vepren e Edisonit: ”Epika e yjeve te mengjesit". U shtanga, pa mundur dot te heq syte prej atij burimi drite. Nje elektricitet i marre vizual, shpartallues, turfullues ndjeja te me godiste pameshirshem . Papritmas koha u ndal, duke me permbytur me ndjesi gati-gati tronditese. Rrija e rrija, veshtroja dhe s’kisha te ngopur. Diku prej kanavaces filluan te kacavirren e me pas te kapllojne tere sallen tingujt e pare te lahutes se vjeter, ne fillim te larget, e me pas teper kumbues; derisa qenia ime u permbyt prej tyre. Veshet filluan te me bucisnin, shtegetoja, fluturoja... Ishte nje pikture magjike! Nje vullkan ndjesish. Vibrimet demoniake te penelit, tregonin per tallaze te verteta brenda gjithesise emotive te artistit. Nje veper e perkryer ekspresioniste, me elemente te theksuar kubist (si psh. "thyerjet" e formes tek fytyrat, duart, veshjet e heronjve kryesore apo edhe tek grupi i njerezve ne planin e fundit). Nje piktor virtuoz, zoterues i nje teknike teper imponuese, por edhe nje "shkaterrues" dhe "shperberes" i formave klasike, duke krijuar nje univers te ri, te gjithpushtetshem. Kobalti provokues i  fytyrave, forma, drita, ngjyra, stilizimi, kompozimi, perceptimi i vepres, nuk me ngjasonim me asnje norme apo forme te Realizmit Socialist.
Tematika, perzgjedhja e subjektit ka ne vetvete interes teper te madh. Lautari plak -figura qendrore e vepres- perngjason me nje figure mitike te dale prej shekujve. Nje ure lidhese mes se shkuares dhe se ardhmes. Syte e tij hermetikisht te mbyllur, te zhytur thelle ne labirinthet e shpirtit, koka e tij paksa e kthyer pjerrtazi por qe gjithsesi me kahje drejt qiejve, pasiviteti nostalgjik si edhe deliri sharman qe e ka kaperthyer te terin, nuk mund te jete pjelle e asnje principi te "vijes se kuqe komuniste" qe duhet te mbizoteronte tek cdo veper e soc-realizmit. Eshte ai qe flet (kendon); eshte ai qe sundon veshtrimet e te rinjve dhe shpirtrat e tyre. Simboli i rapsodit endacak, i muzikantit, simboli i artistit. Keshtu e sheh Gjergo rolin e ketij te fundit, ne zemer te shoqerise ku jeton, por dhe ne balle te saj. I veshur me maturine e viteve; i kredhur ne mendime; levrues emocionesh; syfikur -nje pasardhes legjitim dhe i denje i Homer-it te lashte grek; sfidues i muzgut social dhe udherrefyes ne monopatin e drites se endrrave.
Prezenca e erresires (e nates) ne ambientit ku ka vendosur personazhet, vetem si  e paqellimte nuk mund te konsiderohet. Nje aludim i drejteperdrejte mbi realitetin shqiptar te kohes. Porse nga ky realitet i erret lindnin edhe krijesa vezulluese si rapsodi plak, spektatoret e tij, apo edhe vete Edisoni...

Edison Gjergo "The Epic of the Morning Stars" (oil on canvas, 179x119.5 cm, 1971)

S’di sa qendrova aty. Me zgjoi zeri i rojes se Galerise: “Na falni, por do te mbyllim Galerine”. Akoma sot ndjej therjen qe i beri brendise sime kobalti i asaj pikture.

***
Ishte kjo pikture edhe fillimi i fundit te tij. Vepra u demaskua si "nxirje e realitetit" dhe Edisoni si artist me "ndikime te huaja". Fundi ishte i pashmangshem, burgjeve, kampeve te perqendrimit dhe ambienteve karantine te diktatures.
Shume vepra u zhduken nga Galerite dhe fondet e tyre. Shume te tjera (te permasave te medha), u copetuan nga piktoret medioker te kohes, per t'u marre kanavacat dhe per te pikturuar ne to "kuaj me cizme meksikane". Kam degjuar qe Galeria Kombetare ka vetem tre pune te Gjergos ne fondet e saj...

***
Edison Gjergo ishte nje artist brilant. Nje krijese anarshiste, kryenece dhe veteshkaterruese, sepse donte te ishte i lire.
Edison Gjergo ishte nje shqiponje e eger. Vdiq ne fluturim, i vrare nga mizerja, meskiniteti, injoranca, cmira, persekutimi i mediokritetit te turmes. Sot, vepra e tij krijuese eshte nje pishtar udherrefyes, dhe Gjergo vete eshte padyshim personaliteti me i fuqishem, me kompleks, me rrezatues i shekullit te njezet ne artet figurative shqiptare, i permasave nderkombetare. Qofte edhe ato pak pune te mbetura, ato gjurme te shpirtit dhe te mendjes se tij jane fanare artistik, filozofik, e njerezor. Eshte testamenti i "brezit te humbur" te prinderve te mi per brezin tim.
"Epika e yjeve te mengjesit" eshte epika e triumfit te madheshtise krijuese dhe njerezore, ndaj tiranise se sistemeve diktatoriale; eshte epika e triumfit te drites ndaj erresires...

20 March 2008

Spektatoret

Toni Milaqi " Viewers " (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2005)

Sa te lire jemi per t'u dhene krahe endrrave tona? Sa te lire jemi per te rrojtur qofte edhe shkendija te lumturise absolute (nese ajo do te ekzistonte), pa pasur nder kembe e nder duar zinxhiret etik apo moral te shoqerive njerezore prej te cilave kemi lindur dhe jemi formuar?

Dashuria qofte ne rrafshin emotiv (ndjenja), qofte ne ate fizik (seksi), eshte padyshim nje nga katalizatoret me thelbesore te qenies sone, te ekzistences, te koshiences, apo te subkoshiences tone. Eshte nje element qe e mbartim brenda universit tone qysh nga momenti qe mberrijme ne kete bote, e deri kur te braktisim ate. Nje gjithesi ndjenjash qe mund te na shtyje ne orvatjet me te marra te trurit e te zemres. Qe ujit e i jep jete kreativitetit tone, por edhe instikteve me barbare e te egra te cilat flene brenda nesh. Dashuria mund te na shnderroje bujarisht ne zotera te qiellit, por edhe ne demone te frikshem, me te njejten lehtesi.

Ne art shpesh ajo pershkruhet si uragan, si bubullime ndjenjash, si ylber, si vullkan... nje fenomen okupues i qenies tone. Shkaterruese dhe ndertuese mrekullish ne te njejten kohe. Si nje perendi e gjithpushtetshme.

Cfare ndodh kur perpiqesh kete uragan ta ndrydhesh mes formash etike, fetare, e morale? Cfare ndodh kur kesaj gjithesie ndjesish te pa trajte, te paforme, e teresisht anarkiste, ti perballesh kallupet strikte te shoqerive tona konservatore? Cfare ndodh kur perpiqesh te mbyllesh rrezet e diellit ne nje kutize shkrepseje?!

19 March 2008

Duke Biseduar me Breket

Toni Milaqi " Talking to panties " (acrylic on canvas and mixed technique, 130x100 cm, 2001)

Zgjohesh nga gjumi. Mengjes. Erresira dalengadale fillon e shperbehet. Syte e tu notojne ende ne boten e endrrave. Imazhe pafund, te cartura. Ngrihesh, do te ecesh ... rrezohesh ... merr fryme me zor. Nje lloj mpirjeje trupore, paralize. Ndihesh i gozhduar, ndonese asgjekundi nuk shfaqen gozhda, a pranga, a zinxhire. Gjumi ka ikur, larg. E per habine tende, ne kundershti me trupin, mendja eshte ajo qe kthjellohet, letargjia qe e kish kaperthyer tretet. Cuditerisht fillon te shohesh qarte, si kurre ndonjehere.
Sheh boten. Luftera, kudo. Per pushtet, para, fame. Njerez te rrekur ne keto luftera. Te tjere- viktima. Pa koke, pa kembe, pa duar.
Peshku i madh, gjithnje e ha te voglin.
Dhe ti vec vezhgon. Kembet s'te binden, as duart. Paraliza te gelltit te terin. Pak nga pak edhe trurin. Syte e ty - dy mina. Pamundesi per te vepruar. Je aty - i gozhduar, me pranga te padukshme ...
C'ironi! Perralla e lashte e Prometeut gjithnje moderne, gjithnje aktuale.
Njeriu i kthyer ne mall.
Njeriu=1 makine=10 televizore=100 kg patate=1000 pale breke.

Lajtmotivi Im Krijues

Toni Milaqi " The ride in the beach" (acrylic on canvas, 100x80 cm, 1999)

Asnjëherë nuk është çështje e thjeshtë për piktorët (artistët) të sendërtuarit e mendimeve të tyre në lidhje me pikturën. Dhe po kaq e vështirë është edhe të shkruarit mbi problematikat e tyre krijuese. Ne këtë sens nuk do të mundesha edhe unë te zbërthej me fjalë veprat e mia. E vetmja mënyrë është të flas për filozofinë që pluskon, apo edhe për shkaqet që më shtyjnë të krijoj këto vepra.

Kur përleshesh me probleme jetësore;
Kur do të fluturosh, por nuk ke krahë;
Kur do të japësh një grusht në barkun e tiranisë shtetërore, dhe nuk mundesh;
Kur do të ndryshosh botën, dhe e vetmja gjë që ia del mbanë është të vëresh se sa utopike është kjo;
Kur dëshiron netëve të ftohta dimërorë, në një qiell blu të thellë, të shurrosh hënën, dhe sa arrin të kryesh është të stërqullësh vetveten;
Kur këngët e kanarinave, me të verdhat, të kuqet, e portokallitë magjepse të pendëve, bëhen gri nga smogu i së përditshmes;
Kur ndryshku i zinxhirëve moralë/socialë, ka përpirë gjithçka rreth teje...

...e vetmja gjë që do të bësh është të kapërdish brenda thellësisë së unit tënd diellin, dhe të përpiqesh, sado absurde të duket kjo, të regjistrosh miliardat e ngjyrave te tij.
Ky akt titan e njëkohësisht heretik, në më të shumtën e rasteve është një gjest i tejskajshëm i cili përpin/djeg pluhurin e së përditshmes, mbush jetën tënde me një energji të paparë, por dhe me etje për të eksploruar botën, si edhe pafundësinë e ngjyrave të saj. Kjo energji shpesh herë mund të të rrëmbejë kopshteve të parajses/lëndinave të dëshirave, dhe është kaq bukur aty...

Problemet fillojnë padyshim këtu, në momentin që si çdo gjë që ka rrënjë në tokë, do të kthehesh sërish në hapësirat publike prej te cilave ke ardhur. Me siguri në valixhet e tua do të mbartësh qoftë edhe disa grimca të ëndrrave qiellore të cilat përjetove. Dhe atëherë kupton se je kaq i varfër të shprehësh përmes artit ato ç'ka ndjeve, kaq i pafuqishëm...
Veçse kjo s'të bën aspak pesimist, sepse pikërisht ato gjurmë euforie shpirtërore të cilat gozhdove në telajot e tua, janë të vetmet gjurmë të mbetura të lumturisë absolute, që ti vetë rrojte qënësishmi si njeri...

Adhuroj të qënurit piktor edhe në ato momente kur kuptoj se sa tragjik është të përftuarit e realitetit nëpërmjet këtij prizmi...

Ftese ne Studio

Toni Milaqi "The Panic" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2005)

Përshëndetje!

Si postim të parë në këtë ditar personal do të doja te bëja një prezantim. Quhem Toni Milaqi (Elton Milaqi). Jam artist, piktor. Duke ndjerë dhe parë prezencën jo fort të madhe të artistëve figurativ në hapësirat virtuale-internetiste shqiptare, si edhe vakumin e mendimit profesional në lidhje me artet vizive, ndjeva të nevojshme të krijoj këtë kënd.

Ky blog do te ketë për qëllim prezantimin e punës dhe të koncepteve të mia në një hapësirë më të gjerë, duke përdorur një gjuhë sa më të thjeshtë, si edhe të trajtuarit e problematikave artistike, sociale, morale, e filozofike, të cilat lidhen drejtpërdrejt me artet vizuale, apo artet në tërësi.
Konsiderojeni këtë nevojë për komunikim si një “ftese në studio” të një artisti, si një tentativë për të zhdukur barierat ndërmjet krijimit të një vepre arti, dhe përftimit te saj.

Jeni të mirëpritur të gjithë, nëse e ndjeni të nevojshme për t’u shprehur, apo për të dialoguar në lidhje me nocionet e mia, por edhe me temat e prezantuara këtu.

(Mars 2008)