19 March 2008

Lajtmotivi Im Krijues

Toni Milaqi " The ride in the beach" (acrylic on canvas, 100x80 cm, 1999)

Asnjëherë nuk është çështje e thjeshtë për piktorët (artistët) të sendërtuarit e mendimeve të tyre në lidhje me pikturën. Dhe po kaq e vështirë është edhe të shkruarit mbi problematikat e tyre krijuese. Ne këtë sens nuk do të mundesha edhe unë te zbërthej me fjalë veprat e mia. E vetmja mënyrë është të flas për filozofinë që pluskon, apo edhe për shkaqet që më shtyjnë të krijoj këto vepra.

Kur përleshesh me probleme jetësore;
Kur do të fluturosh, por nuk ke krahë;
Kur do të japësh një grusht në barkun e tiranisë shtetërore, dhe nuk mundesh;
Kur do të ndryshosh botën, dhe e vetmja gjë që ia del mbanë është të vëresh se sa utopike është kjo;
Kur dëshiron netëve të ftohta dimërorë, në një qiell blu të thellë, të shurrosh hënën, dhe sa arrin të kryesh është të stërqullësh vetveten;
Kur këngët e kanarinave, me të verdhat, të kuqet, e portokallitë magjepse të pendëve, bëhen gri nga smogu i së përditshmes;
Kur ndryshku i zinxhirëve moralë/socialë, ka përpirë gjithçka rreth teje...

...e vetmja gjë që do të bësh është të kapërdish brenda thellësisë së unit tënd diellin, dhe të përpiqesh, sado absurde të duket kjo, të regjistrosh miliardat e ngjyrave te tij.
Ky akt titan e njëkohësisht heretik, në më të shumtën e rasteve është një gjest i tejskajshëm i cili përpin/djeg pluhurin e së përditshmes, mbush jetën tënde me një energji të paparë, por dhe me etje për të eksploruar botën, si edhe pafundësinë e ngjyrave të saj. Kjo energji shpesh herë mund të të rrëmbejë kopshteve të parajses/lëndinave të dëshirave, dhe është kaq bukur aty...

Problemet fillojnë padyshim këtu, në momentin që si çdo gjë që ka rrënjë në tokë, do të kthehesh sërish në hapësirat publike prej te cilave ke ardhur. Me siguri në valixhet e tua do të mbartësh qoftë edhe disa grimca të ëndrrave qiellore të cilat përjetove. Dhe atëherë kupton se je kaq i varfër të shprehësh përmes artit ato ç'ka ndjeve, kaq i pafuqishëm...
Veçse kjo s'të bën aspak pesimist, sepse pikërisht ato gjurmë euforie shpirtërore të cilat gozhdove në telajot e tua, janë të vetmet gjurmë të mbetura të lumturisë absolute, që ti vetë rrojte qënësishmi si njeri...

Adhuroj të qënurit piktor edhe në ato momente kur kuptoj se sa tragjik është të përftuarit e realitetit nëpërmjet këtij prizmi...