29 May 2010

Endrra të Thyera

Toni Milaqi "Who's the Boss?" (acrylic on paper, 69.5x49.5 cm, 2010)

Ekzistojnë në realitetin paralel-subjektiv të një artisti tema të cilat uzurpojnë gjithësinë e tij emocionale, dhe që e ushqejnë moralisht, intelektualisht, e shpirtërisht, në odisenë e tij krijuese. Ekzistojnë motive, imazhe, ngjyra, tinguj, zëra, e aromëra, të cilat ngjizen në subkoshiencën e tij, duke funksionuar si motorë jetëdhënës të nevojës për t'u shprehur.
Pak a shumë kjo ndjesi më shoqëron sa herë vërej portretin, që im atë më dhuroi në vitin 1988. Bëhet fjalë për vitin në të cilin fillova studimet në liceun artistik, kohë në të cilën një univers i tërë i magjishëm, ai i artit, u shpalos triumfalisht para meje.
Ndonëse portreti në fjalë nuk futet në kategorinë e punëve të rëndësishme të Aristidhit, dhe ndonëse gjuha piktorike e përdoruar aty nuk mund të them se më ngazëllen, seç ka diçka që më elektrizon, më tërheq, dhe më bën të dua t'a qëmtoj. Duke e vëzhguar me kujdes arrij të kuptoj, se im atë ka ditur të mbërthejë në punën e tij diçka mjaft të njohur, familjare dhe intime për mua. Vërej në vështrimin tim zgjimin e qënies por dhe arrogancën e 14-vjeçarit, vetëkënaqësinë dhe vetëbesimin, optimizmin por dhe ironinë e moshës, pastërtinë e karakterit por edhe mungesën e përvojës, turfullimin e ëndrrave dhe etjen për ti realizuar ato. Isha unë, ishte shembëlltyra e personalitetit tim njerëzor gozhduar në pikturën e tim ati, dhe ai padyshim më njihte mirë. Vetëm një njeri që të njeh mirë, mund të të lexojë kaq qartë...

Vitet kaluan. Shumë ujra rrodhën në burime, dhe të gjitha këto tanimë më duken mjaft të largëta, a thua se nuk kanë të bëjnë me të shkuarën time, por me diçka krejt të huaj. Ku shkoi vallë ai djaloshi 14-vjeçar me karakter konfrontues?! Ku shkoi nevoja për të pushtuar botën? Ku shkoi vetëbesimi dhe ndjesia se je ti mesia aq i shumëpritur? Ku shkoi fodullëku, zjarri, dhe romantizmi rinor? Ku shkoi dëshira për të rrojtur veç ndjenja supreme? Ku shkoi adoleshenti që donte të shfronësonte Zotin, për t'u ulur triumfator në fronin e tij?
Puna ime "Who's the Boss?" është një meditim mbi të gjitha këto. Një koment mbi ëndrrat e thyera djaloshare, mbi egërsinë dhe brutalitetin social të shoqësisë së sotme globale, si edhe një nevojë për të ritreguar (pas një rrugëtimi 22 vjeçar) me një formë tjetër, historinë që dëgjova prej buzëve të tim ati, diku aty në fund të vitit 1988.

Aristidh Milaqi " Portrait of Toni Milaqi" (oil on cardboard, 32x25 cm, 1988)

21 May 2010

CheapArt -Thessaloniki 10



Ftesë

Kam kënaqësinë -për të gjithë ata që kanë mundësinë, dëshirën dhe predispozitën- t'ju ftoj në ekspozitën kolektive/ndërkombëtare "CheapArt -Thessaloniki 10", në të cilën jam pjesëmarrës. Ekspozita organizohet nga galeria CheapArt, me përkrahjen e Prefekturës së Selanikut dhe Bashkisë së Kalamaria-së. Evenimenti artistik do të zhvillohet në Selanik në datat 7-27 qershor 2010, me pjesëmarrjen e 130 artistëve grekë dhe të huaj, në ish kampin ushtarak Kodra. Inagurimi 7 qershor 2010, ora 21.00 .

Toni Milaqi