Ishte kënaqësi sot e-mail-i që mora prej mikut tim Gëzim Panariti (menaxher arti dhe kordinator i mjaft aktiviteteve në GKA). Duke shkelur disi (me dashje) privatësinë, desha ta publikoj atë, i shtyrë nga nevoja që kemi për të dëgjuar zëra dhe mendime të tilla. Më shkruan Gëzimi:
Toni përshëndetje dhe shpresoj të jesh mirë.
Po të shkruaj pasi një ditë po mendoja për Edison Gjergon, dhe ndërkohë pashë edhe shkrimet e tua në internet për të. Më erdhi shumë mirë që nuk jam vetëm unë që mendoj se është një artist i madh.
Para shumë vitesh kam nxjerrë në linjë "Metalurgun" dhe më vinte mirë kur vizitorëve i bënte përshtypje të thellë, kjo statujë e lirisë shqiptare. Po të dërgoj fotot e punëve të ekspozuara në GKA dhe ndoshta i bashkojmë forcat një ditë për të ekspozuar dhe folur më shumë për veprën e tij. Galeria e Beratit është e gatshme ti vërë emrin Edison Gjergo Galerisë së Arteve (për momentin Edward Lear...). Duke të uruar çdo të mirë!
Gëzim Panariti
Edison Gjergo "The Young Girl" (1972, National Gallery of Arts, Albania)
Mendimet e mia për artin e Gjergos i kam shprehur mjaft herë edhe në këtë blog. Ajo që më befason është çdo gjurmë e re, e panjohur për mua që has kohë pas kohësh prej gjithësisë së tij artistike. Me portretin e mësipërm të vajzës së re me shami në kokë (ndoshta veshje popullore - por kjo e fundit pak rëndësi ka), isha njohur qysh kur fotoja ekspozohej në faqen elektronike të Galerisë Kombëtare, e cila tanimë nuk funksionon. Një portret-bocet, i shpejtë, i shkathët, i cili sendërtohet prej një vizatimi tepër virtuoz, dhe freskisë së teknikës pikturale. Bien në sy thjeshtësia në modulimin e vëllimeve, sipërfaqet e sheshta, dhe forca e ngjyrës. Ka raste që më kujton disi personazhet e Modilianit.
Duke parë fotografitë e bashkangjitura me e-mail-in, ajo që më ngacmoi është piktura "Metalurgu". Është e pamundur të japësh vlerësim për një vepër arti përmes internetit, dhe aq më tepër kur fotografia nuk merr përsipër të sjellë tek shikuesi të fshehtat e veprës origjinale. Në këtë rast ajo që provokoi fotografia e Gëzimit tek unë, ishte një lloj cytjeje dhe padurimi të brendshëm për të parë, studiuar dhe shijuar këtë vepër nga afër në një të ardhme sa më te shpejtë.
Sa për Edisonin, nuk ka ai nevojë për ne, s'është më këtu. Nuk mund ta burgosim më, as ta internojmë, as të shkërmoqim më personalitetit e tij njerëzor, as ta përbuzim dhe ta injorojmë më nuk mundemi; ai shtegëtoi rrugicave qiellore. Jemi ne, ata për të cilët përbën boshllëk i pafalshëm, mosevidendimi i artit të tij. Shoqëria jonë do të ishte shumë më e varfër pa mundur dot të deshifrojë artistë, mendimtarë, intelektualë dhe njerëz si Edison Gjergo. Duke vendosur veprën e Edisonit në ballin e vlerave të artit shqiptar, nuk qetojmë shpirtin e tij (që ne vetë e vramë), qetojmë shpirtrat tanë. Duke zbuluar dhe njohur madhështinë e tij krijuese, si edhe universin e tij artistik, nuk pasurojmë atë, pasurojmë veten tonë...
Edison Gjergo's Art at National Gallery of Arts, Albania (photography by Gëzim Panariti, 2009)
Dhe diçka e fundit, që më erdhi ndër mend tek lexoja rreshtat e e-mail-it; arti vërtet bëhet nga njerëz si Edisoni, nga qënie fluturake, ëndërrimtare, vetëshkatërruese, nga krijesa që posedojnë dhunti dhe aftësi te adhurueshme, por arti nuk mund të rrojë pa përkujdesjen, mënçurinë dhe dashurinë e njerëzve si Gëzimi.
Arti vërtet lind si rezultat i nevojës për shprehje të artistit përmes proçesit të krijimit, por rron në kohë si rezultat i nevojës së shoqërisë/komuniteteve për njohje, dije, komunikim, si shprehje e kërkimeve filozofike/spirituale/estetike, si edhe në sajë të dashurisë dhe përkushtimit njerëzor.
Veprat e artit kanë nevojë për dashuri. Nëse fillojmë të mendojmë në këtë mënyrë, do të bëhemi shumë herë më të ditur, më të fuqishëm, e më të mençur nga ç'jemi; vetëm kështu do të bëjmë hapa përpara si individë dhe si bashkësi njerëzore...
Dashuria- thuhet se një ditë do të shpëtojë botën...