07 May 2008

Mbi Realizmin Socialist Shqiptar

"Propaganda Poster, Albania"

Nuk eshte i thjeshte studimi, njohja dhe aq me teper perkufizmi apo percaktimi etik i doktrinave te ndryshme social-filozofiko-estetike ne boten e artit. Nuk eshte e thjeshte me dy fjale te permbledhesh nje krijimtari "artistike", qe lulezoi per afer nje gjysem shekulli jo vetem ne vendet e ish kampit socialist, por edhe ne shume vende te tjera te botes. Thjesht nje perqasje e ketij fenomeni social - i cili shfrytezoi artin, por s'ishte art- do te ishte me e dobishme.

Rrenjet e kesaj rryme sigurisht i zbulojme fill pas Revolucionit te Tetorit (1917) ne Rusi. Ishin ato ndryshime sociale, e kozmo-historike ne kohe moderne qe paten nje ndikim te madh ne cdo fushe te jetes, dhe sigurisht edhe ne ato te filozofise, te arteve vizive, te letersise, te muzikes, te kinematografise (ndonese kjo e fundit ish nje forme e re e te shprehurit).

Fillimet nisen me romantiken dhe endrrat per nje bote me te drejte, e me te barabarte. Shume personalitete artistike te kohes perkrahen parimet dhe utopine komuniste. Rasti i Mayakovsky-t apo i Brecht-it, i Ricos apo Prokofiev-it, i Sartre-t apo i Picasso-s, jane tregues se sa kishin tronditur realitetin global te kohes idete komuniste. Porse ato ç'ka predikonte ideologjia komuniste, nevoja, deshira dhe krijimi i nje bote te bazuar mbi verdiktin e shumices ndaj pakices, mbi dominimin e padiskutueshem te diktatures se proletariatit, do te ishte edhe grushti perfundimtar qe kjo ideologji do t'u jepte vlerave te verteta artistike, ne ate ç'ka me vone u quajt Arti i Realizmit Socialist.

Pikerisht nevoja per ilustrim politik te atyre qe partite komuniste te kohes deshironin te percillnin tek masat e gjera te njerezve, trysnia propagandistike por edhe sociale e klases pushtetare komuniste, lufta deri ne skaj ndaj çdo personaliteti artistik/njerezor qe devijonte nga vija e kuqe marksiste-leniniste, si dhe diktatura e shabllonizmit ideologjik mbi kerkesat dhe vlerat e mirefillta filozofike, estetike, e artistike, bene qe divorci i artit me utopine komuniste te behej qe heret i dukshem dhe i qarte.

Nuk mund te pjelle art nje shoqeri tek e cila mungon liria e ndijimeve apo mendimeve. Nuk mund te behet art kur deshira per eksplorim (ne trajte, apo edhe ide) shfaroset. Nuk behet art ne momentin kur internon risite dhe nevojen per to. Si pasoje konservimi ne mendim dhe forme, i atyre qe artisti duhej te trajtonte, u kthye ne filozofi udheheqese te doktrines te Realizmit Socialist.

Abdurrahim Buza "Azem Galica and combatants" (oil on canvas, 50x40 cm, 1976)

***

Realizmi Socialist ne fushen e arteve figurative shqiptare ka specifikat e veta. Perfaqesuesit kryesore te shkolles shqiptare studiuan apo edhe u specializuan ne vende te ish kampit socialist, duke sjelle ne atdhe parimet si edhe frymen e "doktrines se kuqe". Ky brez i ri artistesh iu bashkangjit brezit te meparshem qe kishte kryer shkolla akademike artistike (kryesisht ne Itali e Greqi) dhe qe kishte pershtatur skrupulozitetin akademik ne kuader te shabllonizmit meditativ dhe emocional te Realizmit Socialist.

Nga ana konceptuale hapesirat vizuale u mbushen me shpata e pushke, kazma e lopata, ushtare e militare, fshatare e punetore. Kendveshtrimi filozofik i veprave nuk mund te pranonte asgje qe s'permbante "fillin e kuq komunist", dhe parimet marksiste-leniniste qofte ne pikture, qofte ne skulpture, por sigurisht edhe ne muzike, letersi apo kinematografi. Kryesisht tema militare, punetore dhe fshatare, ne te cilat dominonte gjithnje "Njeriu i Ri" i Partise.

Nje nevoje e qenesishme e sistemit komunist ishte edhe ajo e zgjimit te ndergjegjes kombetare. Ne kushtet e izolimit te eger qe klasa politike ne fuqi denoi popullin shqiptar, ishte i domosdoshem krijimi i nje mitologjie etnike. Karakteristika keto qe do te vishnin izolimin e gjate dhe te pameshirshem, si edhe internimin nga bota, me petkun e krenarise per racen dhe per kombin. Nje mori veprash me bazament te diskutueshem historik u shfaqen ne artet figurative shqiptare, duke bere te lulezoje retorika e nje patriotizmi mbytes. Trysnia social-politike komuniste (e veshtruar kjo permes soc-realizmit) ushqeu realitetin shqiptar duke rritur keshtu breza te tere njerezish mes shabllonizmin ideor, mediokritetin artistik dhe erresires se interpretimit historik te realitetit shqiptar apo atij nderkombetar .

Mungesa e lirise se shprehjes dhe kufizimi i kerkimeve ideore, beri qe era e mykut te zevendesoje delirin romantik apo entuziazmin fillestar te artisteve te viteve 1950 ne Shqiperi. Çdo lloj prirjeje per te folur me nje gjuhe disi te ndryshme, per te zbuluar mjete te reja shprehese ne art u asgjesua dhe u shkaterrua qysh ne embrion (si psh: ne rastet e artisteve Edison Gjergo, Edi Hila , Maks Velo...).

Shaban Hysa "Further" (oil on canvas, 253x195 cm, 1966)

***

Per nga gjuha shprehese arti i Realizmit Socialist ishte ndertuar mbi koncepte e parime akademike. Kendveshtrimi konservator -i realitetit - ne ide, ilustrohej edhe me nje qendrim konservator ne forme, duke lene shume pak vend apo hapesira per shprehje dhe karakteristika personale. Une vete jam deshmitar i ambienteve mbytese artistike te cilat merrnin jete qysh ne ateliete e Liceut Artistik "Jordan Misja", per te vazhduar me vone dhe ne Institutin e Arteve. Krimi me i madh ne keto shkolla arti ishte se shperbehej cdo grimce personaliteti/individualiteti artistik e njerezor. Qellimi ishte te krijuarit e Njeriut te Ri, e si rrjedhoje edhe e Artistit te Ri, i cili ishte i mbrujtur kembe e koke nga mediokriteti soc-akademik i te shprehurit ne art. Varferia e hapesirave per eksplorim dhe diktatura e skematizmit artistik, benin qe shpeshhere talente me te vertet te medha te vdisnin qe ne djep, mes pamundesise per te eksploruar brendine e tyre, per t'u shprehur, dhe paaftesise per t'iu kundervene atij sistemi aq autoritar, arrogant, e shkaterrues vlerash.

Ekzistenca e tabuve ne subjekt, ne perceptim, ne trajtim, e ne ndjenje ishte edhe arsyeja e deshtimit te plote te kesaj doktrine filozofiko-estetike. Persiatja tematike, stilistike, estetike, filozofike, konceptuale, e kompozicionale, bente te dukshme edhe ne syte me te pastervitur shfytyrimin e ketij fenomeni social ne fushat e arteve figurative. Mungesa e lirise krijuese, e eksperimentimit artistik, kufizimet ideore dhe ideologjike, si edhe dominimi i demagogjise apo i propagandes politike ne cdo qelize te krijimtarise artistike, çuan -fatkeqesisht- kete orvatje romantike te fillim shekullit te 20 ne degradimin total. Renia e sistemeve komuniste solli si pasoje edhe vdekjen e kesaj forme te shprehuri -diku aty ne fillimin e viteve 1990- duke çliruar keshtu artistet nga burgu kolektiv por edhe individual i kesaj rryme famekeqe.

Sigurisht qe kur flasim per periudhen e soc- realizmit ne Shqiperi, ekzistojne edhe shembuj artistesh, apo vepra qe munden te distancohen deri ne nje fare mase (ne saje te faktoreve te ndryshem historik e social) nga realiteti dogmatik artistik shqiptar. Disa nga keto raste do te jene objekte analize dhe studimi ne shkrime te ardhshme.

Nexhmedin Zajmi "Tregim nga lufta nacional-çlirimtare" (oil on canvas, 132.5 x 207 cm, 1954)

Sali Shijaku "Punetoret ne studion e piktorit" (oil on canvas, 250x206 cm, 1974)

Danish Jukniu "Barinjte ne bjeshke" (oil on canvas)