25 May 2009

Kronikë e një Vdekjeje të Paralajmëruar

Toni Milaqi "The Lake" (acrylic on paper, 85x65 cm, 2006)

Një zë në shkretëtirë

Shkas për këto radhë u bë shkrimi mjaft prekës i Fatos Lubonjës me titull: "Liqeni jemi ne". Them prekës pasi nëse një njeri/shkrimtar/artist është në gjëndje të përçojë përmes mendimeve, apo veprës së tij, ato ç'ka turma ndjen dhe mendon, atëherë atë (krijuesin) shumë bukur mund t'a përfytyrojmë si zëdhënësin shpirtëror të saj; Dhe duke folur kaq rrjedhshëm për sentimente të tilla si p.sh. ai i Liqenit në mendësinë e kryeqytetasve, s'ka se si të mos ngacmojë edhe ndjenjat e tyre. Qëllimisht përdora termin shkrimtari/artisti, dhe jo gazetari/analisti, pasi analiza dhe qëndrimi kritik në vëzhgimin e realitetit janë pjesë përbërëse e hulumtimeve edhe e të parit, ndërsa skalitja e fjalës së shkruar (që vihet re tek Lubonja) s'është e thënë të jenë objekt kërkimesh apo domosdoshmëri për të dytin.

Në rastin e Lubonjës aftësia për të krijuar një realitet paralel përmes shkrimeve të tij, i cili shpesh i shpall luftë realitetit vrastar/banal, bëhet me një formë të tillë shprehjeje dhe me një freski të tillë krijuese (ndonëse konçize, e të kursyer), e cila shumë pak të përbashkëta ka me një vështrim të pangjyrë analitik/teknokrat.

Toni Milaqi "Painter by the Lake" (acrylic on canvas, 100x80 cm, 1996)

Qyteti

E pranoj se më pëlqeu fakti që dikush foli në mënyrë publike kaq qartë mbi këtë temë, e cila më ka preokopuar vizualisht prej kohësh, dhe mbi të cilën kam shkruar një vit me parë tek "Arratisja". Mendoj po kështu, se problematika mbi Liqenin është një nga temat më imediate të së ardhmes, të asaj se çfarë do t'i ofrojë banuesve të tij qyteti i Tiranës, dhe se çfarë fisiognomie karakteristike do t'i shfaqë ai vizitorit të huaj.

Toni Milaqi "The Dance" (acrylic on canvas, 100x80 cm, 2001)

Nuk dua të flas në këtë shkrim për akset e tjera mjaft shqetësuese të qytetit, si p.sh. : problemet kaotike urbanistike, apo amoku i pashoq i manisë për të ndërtuar vend e pa vend, apo tek krimet që jane bërë dhe bëhen sot e kësaj dite ndaj hapësirave arkitekturore, vizuale dhe estetike të kryeqytetit tonë të dashur, apo tek mish-mashi konceptual i ndërtimeve në Tiranë. Dua të ndalem vetëm tek Liqeni Artificial dhe kodrat përreth tij...

Toni Milaqi "Sex" (acrylic on canvas and mixed technique, 120x90 cm, 2003)

Dualizmi

Ka një paradoks brenda meje, që prej 17 vjetësh jetoj larg Tiranës-qytetit tim të lindjes. Provoj një dualizëm habitës emocionesh sa herë që kthehem për së largu. Mezi pres të prek tokën amë, të çmallem me gjithçka që më mungon nga vendi ku linda, ku kalova fëmijërinë, adoleshencën time, dhe pikërisht në çastet që mbërrij e zhytem në jetën e qytetit, një forcë e çuditshme demoniake më bën të dua të iki sa më larg dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Diçka më largon, më shtyn tutje, a thua se urëzat që më lidhnin me atë tokë janë këputur njëherë e përgjithmonë.

Toni Milaqi "Conclusion" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2006)

Metamorfoza

Asgjë nga qyteti i sotëm s'ka shijen që kishte dikur në fëmijërine time. Asgjë s'më krijon sensin e diçkaje të njohur dhe intime. As Sahati, as Muzeu Historik, as Banka, as monumenti i Gjergj Kastriotit, nuk janë më të njëjta. As rrugët s'janë po ato, as njerëzit, as ritmet e jetës, as ajri që pluskon mbi ne. Gjithkund ke ndjesinë se fantazma e Tiranës së dikurshme që vërtitet në kokën tënde, s'është aspak reale, dhe se ekziston si e tillë vetëm tek ti.

Toni Milaqi "Couple" -II- (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2007)

Egoizmi

Tek shkruaj këto radhë nuk ushqej iluzionin që ato sa them mund ti hyjnë në punë ndokujt, as nuk jam nga ata që nuk mund të rrojnë dot me të tashmen, apo dhunën e pamëshirtë të saj përmes ligjeve të evolimit. Thjesht këtu flas për qytetit tim të fëmijërisë, dhe të askujt tjetër. Për shokët e mi, për rrugët e mia, për shkollën time, për mësueset e mia, për femrat që unë desha, për bliret dhe manjolat e mia, për plepat dhe pishat e mia, për dhimbjet dhe dashuritë e mia. Dhe kur të gjitha këto i sheh të thyera, as vetë s'e kupton se sa shpejt ligështohesh...

Toni Milaqi "Waiting for the Barbarians " (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2008)

Liqeni

Në mes të gjitha këtyre, Liqeni ishte diamanti më vezullues i Tiranës. Ishte oazi, ekstaza natyrore (ndonëse me fillesa artificiale) prehja, gëzimi, ngjyra, aroma, ikja, përvjedhja, romantika, muzika, thembra e Akilit kryeqytetas. Aty ku jo vetëm natyra, por edhe njerëzit, përjetonin ringjalljen e madhe. Ishte mushkëria ekologjike e qytetit.

Me të drejtë Lubonja në shkrimin e tij thotë: "Liqeni jemi ne". Nëse do t'a përfytyronim këtë oaz natyror si mushkërinë gjigande të qytetit, pikërisht tani kur thuajse gjysma e Liqenit është tharë e helmuar, kur pemët janë prerë e janë lënë në mëshirë të fatit, dhe ndërtimet barbare janë shtuar si kërpudha, pikërisht tani kur sëmundja ka gllabëruar tërësisht mushkëritë e sfilitura, a mundet vallë të jetë Tirana e shëndetshme?

Toni Milaqi "Bacchanal" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2008)

Tek Unë

Për sa i përket artit tim, Liqeni i Tiranës ka qënë gjithnjë një muzë natyrore. Thonë se atdheu është ai vend, në të cilin ke kaluar fëmijërine tënde. Disa shembuj të punëve të mia -ndër vite- bazuar mbi këtë subjekt, mund të shihen edhe në këtë postim.
Vështirë të shkundësh nga supet e tua dashuritë e mëdha, dhe padyshim në jetën time Liqeni Artificial i Tiranës ishte një e tillë...

Toni Milaqi "The Painter by the Lake" (acrylic on canvas, 100x80 cm, 2009)