Përse sot artet nuk kanë lulëzimin që kishin -bie fjala- një shekull më parë?! Kur them artet e kam fjalën kryesisht për pikturën, skulpturën, letërsinë, muzikën, teatrin…
Ekzistojnë shumë faktorë në përgjigjen e kësaj pyetje. Një syresh -nga më thelbesorët- është raporti që kanë sot njerëzit me artin. Ka të bëjë me kushtet dhe mënyrën e të jetuarit, me nevojat njerëzore.
Në të shkuarën arti ishte përveçse bagazh dijeje, kulture dhe njohjeje e botës, edhe një mënyrë argëtimi, jo shumë e kushtueshme. Në operat e Verdit mund të ndeshje edhe njerëz të varfër (sigurisht ne vendet e rezervuara për ta). Një ekspozitë të impresionistëve në Paris mund t’a vizitonte kushdo. Çdokush gëzonte të drejtën të kryente ritualet kishtare, duke kontaktuar në këtë mënyrë me shenjtët e Xhotos, madonat e Rafaelit, apo ëngjëjt e El Grekos. Në një tragjedi antike greke, spektator mund të ishte çdo qytetar, akoma edhe ai më modesti. Po kështu arti i Fidias dhe i Praksitelit gjendej rrugëve, duke u bërë kështu pronë e të gjithëve. Në shekujt pasardhës prej leximit të një libri, mund të mësoje, e në të njëjtën kohë të shtegëtoje, të vizitoje njerëz dhe vende të ndryshme (dhe të gjitha këto pa shpenzime të mëdha).
Pra arti gëzonte edhe karakteristika të tilla si ajo e informacionit, e argëtimit, e diturisë, e komunikimit ndërnjerëzor, e kërkimeve spirituale; sigurisht kishte edhe vlerën e tij monetare -të të qënurit njëkohësisht mall.
Në relacionin artist-publik (turmë), elementi kryesor ishte ai i komunikimit. Jap dhe marr. Artisti bënte të shpërthenin (përmes veprës së tij) emocione, ndjenja, imazhe, mendime, problematika, shqetësime, përpiqej të analizonte frikat, dëshirat, tabutë, nevojat; dhe merrte nga publiku duartrokitjen (që do të thoshte të ardhura dhe vazhdimësi), ose fishkëllimat apo refuzimin (që do të thoshin uri dhe vështirësi ekzistenciale).
Me kalimin e kohës, me hyrjen në jetën tonë të aparatit fotografik, të kameras, të mediave, të radios, të televizorit dhe internetit, të gazetave dhe revistave, të standartit më të lartë ekonomik, ndryshuan dhe relacionet shoqërore të njeriut me artin. Ky i fundit humbi rolin e tij “si një dritare për të njohur dhe vëzhguar botën”, pra rolin e tij informues. Humbi rolin e tij dokumentues; po ashtu edhe atë argëtues. I vetmi element që trashëgoi dhe që lulëzoi kryesisht këto vitet e fundit, është ai i anës së tij monetare; duke i dhënë përfundimisht një grusht të fuqishëm vlerave, si edhe kërkimeve të mirëfillta artistike.
Në ditët tona pak rëndësi ka cilësia e veprës së artit. E rëndësishme është që produkti i prodhuar të shitet. Sistemit të sotëm të vlerave nuk i interesojnë risitë, apo gjetjet artistike. Nuk i intereson të hedhë dritë dhe të fokusojë mbi arritjet. Për të parësore është aftësia që mund të posedojë prodhimi-malli (i ashtëquajtur artistik) në tregjet komerciale dhe bursat e artit. Nuk i interesojnë kërkimet dhe hulumtimet, por fitimi.
Në këtë aspekt shoqëria e sotme globale ka edhe ajo piktorët e skulptorët e saj; edhe shkrimtarët e poetët; edhe muzikantët e dramaturgët e vërtetë. Ajo që nuk posedon kjo shoqëri është "nevoja për artin". Arti sot nuk është informacion. Nuk është argëtim. Nuk është dokumentim i kohës. Nuk është nevojë. Arti sot është lluks; ky është qorrsokaku dhe fatkeqësia e tij më e madhe…
Në këtë aspekt shoqëria e sotme globale ka edhe ajo piktorët e skulptorët e saj; edhe shkrimtarët e poetët; edhe muzikantët e dramaturgët e vërtetë. Ajo që nuk posedon kjo shoqëri është "nevoja për artin". Arti sot nuk është informacion. Nuk është argëtim. Nuk është dokumentim i kohës. Nuk është nevojë. Arti sot është lluks; ky është qorrsokaku dhe fatkeqësia e tij më e madhe…