20 July 2010

Mbi Natyralizmin në Pikturë

Achilleas Droungas "Nature Morte" (oil on canvas)

Asnjëherë nuk kam arritur të shijoj këndvështrimin natyralist/fotografik në pikturë. Gjithnjë më është dukur skrupuloziteti akademik një formë pompoze, e pakuptimtë, bajate dhe aspak kreative.
Sa për piktorët që ende sot lëvrojnë këtë formë të shprehjes, do t'i cilësoja si monotonë, me mungesë të theksuar fantazie, të paaftë, zanatçinj (në asnjë mënyrë krijues), të vdekur artistikisht. Po kështu, asnjëherë nuk kam kuptuar se përse duhet të kacafytet me telajon një piktor, për muaj të tërë, kur në të njëjtin konkludim vizual mund të arrinte me një shkrepje të vetme të aparatit fotografik?!
Të pikturuarit në mënyrë natyraliste/akademike/fotografike, mund të kënaqë syrin e pastërvitur të masës (e paditur, në pjesën dërrmuese të saj), por nuk mund të konsiderohet  Art.
Pikërisht sepse Arti nuk është një pasqyrë e vobektë, memece, e realitetit. Eshtë diçka tjetër, ndoshta një sferë paralele, që mund të ketë pika takimi me realitetin, por që nuk mund të jetë me asnjë kusht një kopje dydimensionale e tij.
Eshtë llava që na vlon përbrenda, ajo që na bën artistë. Eshtë dufi i shpirtit, marrëzia e unit...