Toni Milaqi "The proposal" (acrylic on canvas, 100x80 cm, 1998)
Kur në Flakë
Kur në flakë të qiririt zë mendonem net-për-net
Dh'e ndjej shpirtin e kulluar nëpër dritën që më tret
Prej skëterrës se pa matë më del bot' e ëndërruar,
vetëm ti, o im-e dashur net-për-net më rri larguar
Po çdo ëndërr që më shfaqet prej skëterrës së pafund
çdo mendim i llaftaruar që më dhemb e më përtund,
Duke rënë prej së lartash posi pikë zemërate
T'i përshkohet për-së-thelli bukuris' së qenies sate.
T'i përshkohet mes-për-mesi dlirësis' së shpirit tënd,
Ta merr pamjen e fytyrës, bëhet shkronjëz e kuvend.
Ai del prej shkretëtire ment' e mi të m'i stolisë
E ka tingull llaftarie, ka verbimin e magjisë,
Ndrin i kthjellët e i pastër si pasqyrëz' e një kroj
Pa nëm fytyrën tënde ta vështroj... nuk ta vështroj...
O! fytyr' e vjershëruar që më mbush me dëshërime!
Q'i fal gaz përjetësie dashuris' së zemrës sime!
Që më bën kur ment' e mia regëtijnë varg e varg
Të të ndjej aq fare pranë, të më jesh aq shumë larg...
Llazar Sotir Gusho (Lasgush Poradeci)