03 April 2008

Galeria Kombetare e Arteve ne koherat e koleres

The National Gallery of Arts -Tirana, Albania.

Shkas per kete shkrim ishte e-mail-i qe mora nga Fani Zguro me titull: "BATERITË E FUNDIT TË GALERISË KOMBËTARE". Ndjeva nevojen per t'u pergjigjur, pasi jam teresisht kunder me mjaft mendime te thena aty.

Galeria Kombetare e Arteve ka qene dhe eshte -per mua- tempulli i perdhosur i artit, i deshires, i pasionit, i nevojes, i dijes, i njohjes, i shprehjes, i krijimtarise artistike, i endrrave. Shkaqet/faktoret e ketij degradimi jane te shumta dhe te njejta me ato te cdo lloj dukurie  apo fenomeni qe merr trajte ne kete bote. Gjithcka eshte e lidhur ne menyre te pandare me kushtet, vendin dhe kohen e ekzistences se ketij institucioni.

Qysh ne fillesat e saj GKA-ja ishte shprehja me optimiste e demagogjise, e mediokritetit dhe e propagandes te sistemit te kaluar totalitar, shprehja me perfekte e mohimit te vlerave te mirefillta artistike, nje nga organet me gjumeprures te jetes artistike te vendit, opium i vertete perkundrejt cdo tentative per zhbirim te universit krijues te artistit. Nje organizem idilik i persekutimit te krijimtarise se vertete artistike.

Nocioni themeltar i saj ish i thjeshte:
Percimi tek masat, i Ideologjise Marksiste -Leniniste nepermjet artit , si edhe paraqitja artistikisht e parimeve/principeve te Diktatures se Proletariatit.
Nje institucion arti nuk mund te kuptohet si i tille kur shpirti dhe mendja e artistit cungohen, censurohen, e vriten. Nuk mund te flasim per art ne momentin kur artisti (krijuesi, punetori i artit) burgoset pas kanonesh/shabllonesh estetike, morale, ideologjike, e sociale. Si pasoje pjesa derrmuese e veprave te paraqitura ne kohe ne kete organizem kulturor ishte e seleksionuar jo ne baze parimesh estetike, filozofike, e artistike, por ne baze principesh ideologjike, propagandistike, e demagogjike te cilat i sherbenin klases ne pushtet dhe ne nje kontekst me te gjere sistemit komunist.
Drejtuesit e ketij institucioni, si edhe ata qe u perqarkeshin, ishin padyshim pjese perberese e realitetit te dekompozuar te shoqerise shqiptare, dhe ne shume raste edhe pjelles te ketij dekompozimi intelektual dhe artistik ne qarqet vizuale shqiptare. Atyre zerave qe u perpoqen te sjellin dicka te re me artin e tyre, iu pre koka qysh ne lindje, duke siguruar keshtu vazhdimesine jetike te Njeriut te ri syveshur dhe erresire-rrethuar shqiptar.

Te njejtat raporte Pushtet-Artist, u trasheguan edhe ne vitet e mepasme (mbas viteve 90) ne hapesirat pamore shqiptare. Shumica derrmuese e aktiviteteve te zhvilluara ne GKA ishin shprehja e dominimit politik te drejtuesve, apo kuratoreve perkates te ketij institucioni. GKA-ja u kthye ne pashalleqet e medha, nga ku kalonin dhe ndaheshin fondet nderkombetare (shih: Bienalen e Tiranes, etj...), nga ku krijoheshin karrierat nderkombetare dhe mitet e artisteve dhe kuratoreve te sotem shqiptare.

Nuk eshte e rastesishme qe ne aktivitetet e ndryshme anembane botes (edhe ne Itali, edhe ne Suedi, edhe ne Gjermani, edhe ne Amerike, edhe ne France, edhe ne Greqi, edhe ne Turqi....) ku ftohej edhe Shqiperia, pjesemarres ishin te njejtet emra, te njejtet artiste. Per vite e vite te tere. Padronet por edhe ciraket e oborreve mbreterore te kuratoreve shqiptare. Loja zhvillohej (dhe zhvillohet) ne nje qark te mbyllur, dhe lojtaret gjithnje te njejte, monotone deri ne perhumbje, e medioker deri ne pafundesi. Nje cirk shetites nderkombetar me vlera teper te diskutueshme artistike. Shprehje dhe dominim i padiskutueshem i qarqeve komerciale qe i kane marre frymen artit te vertete.

Ti miku im Fani je paksa konfuz. Ajo c'ka dominon ne shkrimin tend eshte ngjyrimi dhe lufta e interesave personale, apo e grupit qe ti perfaqeson, per kontrollin e hapesirave politike brenda kuadrit te familjes te artisteve vizuale shqiptare.

Te quash: " ... kolosë të padiskutueshëm të artit bashkekohor ... " : Andre Seranno, Pipilotti Rist, Vanessa Beecroft, do te me falesh por eshte gafe.
Te flasesh sot per "artistë brilantë  shqiptarë", duke nenkuptuar te "emeruarit" e padroneve aktuale te GKA-se eshte te pakten qesharake.
Keto karriera "brilante", s'jane gje tjeter vecse shprehja me e qarte e arrogances dhe imponimit mbytes te Star System dhe tregjeve komerciale te artit ne horizontet vizuale globale apo periferike.

Per c'vlera artistike flet kur thua: " ...një insititucion që duhet të prezantojë vlerat më të mira artistike që ky komb prej më shumë se 10 vjetësh po i prezanton kudo nëpër botë..." ?!?!?!

Ku qendron risia e artisteve ne fjale, ku qendron e vecanta dhe individualja ne artin e te siperpermendurve?! Nje majmuneri e atyre qe tregu i artit kerkon/imponon. Sikur te hiqje emrat qe ndodhen perkrah puneve te tyre, askush s'do te kuptonte autoret dhe vendin nga vijne, perfaqesojne, e prezantojne keta autore. Mediokriteti krijues ne lulezimin te tij total.

Mos vrit kuptimin e fjaleve me kaq lehtesi miku im!

Kolose dhe brilante jane Goethe, Shakespeare, Beethoven, Rembrandt, e Picasso, nuk jane hyzmeqaret e devotshem te tregjeve dhe bursave te artit.
Thua: "... se te vjen turp të përmendësh sot emrin e GKA-së ...", pse kur je krenuar me te mor' mik ?! GKA-ja ishte perfaqesimi i artit propagandistik te realizmit socialist, e me pas lulezimi total i komercialitetit dhe sharlatanizmit vizual. Kurre s'ka qene shtepia e vertete e vlerave artistike.

Te permendesh si: "... Inciative brilante ..." ate te Onufrit 2007, me kurator Ervin Hatibin -nje te verber vizual- eshte te pakten mjerane. Eshte po kaq absurde dhe e te njejtes ekuivalente me shembullin se nje mami mund te bej nderhyrje kirurgjikale ne zemer.
Me c'kritere dijeje beri ky "kurator" seleksionimin e prurjeve artistike, kur nuk ka njohje te vertete profesionale te arteve vizuale. Dhe mos me thuaj me ate te poetit, sepse personalisht kam njohur mjaft poete dhe shkrimtare (disa syresh edhe teper te afirmuar) qe s'kane idene se c'eshte piktura, skulptura dhe artet vizuale ne teresi.

Onufri 2007 ishte edhe nje here tjeter shprehje mediokriteti, punesh siperfaqesore, dhe rezultante e dominimit te nje klani te caktuar qe perpiqet te kontrolloje GKA-ne.

Galeria Kombetare e Arteve do te filloje te marri fryme vetem atehere, kur te mos perbeje nevoje per zhvatje fondesh kombetare dhe nderkombetare, apo te jete sinteza e klaneve qe perpiqen te okupojne hapesirat vizuale shqiptare me qellim fitimin.

Galeria Kombetare e Arteve do te kthehet ne nje shtepize arti vetem atehere, kur kritere do te perbejne vlerat dhe jo mendesite e shtremberta.

Galeria Kombetare e Arteve do te filloje te jetoje vetem ne castet, kur do te kthehet ne perfaqesuese te vertete te atyre sa ndodhin ne ambientet underground te artisteve pamore ne Shqiperi, apo kudo ku gjenden ata.

Arti do te pushtoje mjediset e GKA-se vetem atehere, kur do te fillojme te mendojme dhe te jetojme me te.

(Shkrimi i mesiperm eshte replika e atij ne vijim:

BATERITË E FUNDIT TË GALERISË KOMBËTARE
Për fatin ‘melankolik’ të artit shqiptar, Galeria Kombëtare e Arteve të Tiranës është i vetmi institucion jo vetëm shtetëror, por edhe dinjitoz, që prezanton rregullisht prej dekadash artin figurativ dhe të traditës dikur, dhe atë të ashtuquajturin në fillimin e viteve ‘90 artin bashkohor. Fillimi i këtyre viteve solli padyshim një entuziazëm dhe dëshirë për të reaguar dhe aplikuar atë cka për 40 vjet u ndrydh me mënyrën më artizane, primitive dhe ambulante që mund të projektonte njeriu. Por meqë edhe arti sikurse cdo aspekt tjetër shoqëror është drejtpërsëdrejti i lidhur me situatat historike dhe politike (ndonëse me shumë vonesë) në vitet ‘90 dhe më tej në Tiranë piktorë, skulptorë, artistët e rinj dhe studentët e akademisë së arteve reaguan nëpërmjet një arti, i cili mbi të gjitha fliste për konceptin e lirisë, clirimin e tabuve dhe gjithcka që nuk funksionoi me kohën e shkuar.
Galeria Kombëtare e Arteve ishte pikërisht laboratori i këtij kërkimi dhe për më shumë se dhjetë vjet në hapësirat e saj u realizuan konkurset ndërkombëtare të arteve pamore dhe fotografisë Onufri dhe Marubi, Bienalja e Tiranës dhe një sërë ekspozitash kolektive dhe personale, ku spikatin artistët ndërkombëtarë si Phil Collins dhe Olafur Eliasson. Në këto edicione të gjithë ne jemi dëshmimtarë të prurjeve brilante si Onufri 1998, ku artistët pjesëmarrës ishin kolosë të padiskutueshëm të artit bashkohor. Andre Seranno, Pipilotti Rist, Vanessa Beecroft, Maurizio Cattelan etj, sollën përpara publikut shqiptar një vizion të ri për të kuptuart qëllimin e artit sot. Aktivitet e zhvilluara në këto vite janë padyshim ato që monitorojnë suksesin e Galerisë Kombëtare, energjinë më të bukur në vite dhe një shembull, i cili tashmë duket se ka humbur përfundimisht, duke i lënë vendin zbrastëisë dhe hicit.
Por cfarë na ofron Galeria Kombëtare e Arteve sot. Për të kuptuar këtë mjafton ti hedhim një sy programit e dy viteve të fundit të saj. Jo për mungëse memorjeje, por në të nuk do të gjejmë asgjë me vlerë dhe dinjitoze. Gjithcka ka ofruar ky institucion është material banal, trash dhe shija më e keqe që mund ti jetë prezantuar deri më sot publikut shqiptar.
Nëse të gjitha insitucionet analoge ndërkombëtare realizojnë cdo vit ekspozita personale dhe kolektive duke përfshirë artistë ndërkombëtarë dhe projekte ambicioze në bashkëpunime të ngushta me njëra tjetrën, GKAja nuk ofron asgjë të tillë. Gjithcka që kemi parë në këtë institucion janë ekspozitat ordinere dhe mjerane nga piktorë ambulantë me varka dhe histori të rrënuara refugjatësh të konvertuar nga punëtorë ndërtimi, në realizuesh peizazhesh dhe ikona qesharake. Kurrikulumi i GKAsë në periudhën e fundit është cnjerëzor dhe i frikshëm. Për më tepër sot arti shqiptar i cili është konfirmuar në arenën ndërkombëtare me artistë brilantë si Anri Sala, Adrian Paci, Sislej Xhafa, Alban Hajdinaj etj, nuk ka njohur as edhe një ekspozitë të tyren ne hapësirat e GKAsë. Po pse ndodh kjo? Pse ndodh që publiku shqiptar cdo javë asiston në inagurime mediokre dhe asnjë prej këtyre emrave apo artistë të huaj ndërkombëtarë nuk shfaqen në programin e GKAsë. Ky fakt meriton dhe justifikon vetëm një emër. Injorancë. Totalitarizmi i saj është kaq universal sa asaj mund ti shtojmë vetëm neglizhencë, mungesë përgjegjësie dhe informacioni, paralizë totale të cdo iniciative, energji negative dhe cdo mizerabilitet i ngjashëm më këto. Të vjen turp të përmendësh sot emrin e këtij institucioni në sistemin dhe ambientet e huaja. Galeria Kombëtare është kthyer jo në një makth, por në një haur, burg lopësh, kolektiv i carmatosur nga cdo pasion dhe vizion të drejtë për artin. Nëse marrin një shembull krahasues, vetëm disa muaj më parë asistova në realizimin e edicionit të fundit të konkursit Onufri, i kuruar nga Ervin Hatibi dhe Rubens Shima. Ajo cka më skandalizoi nuk ishte vetëm një situatë e vetme, por gjithcka. Inciativa brilante dhe pasioni i dy kuratorëve nuk mjaftoi për realizimin e të vetmit aktivitet serioz gjatë gjithë 2007 në GKA. Rregullisht deri në orët e fundit përpara inagurimit të këtij konkursi drejtoria e GKAsë dhe më konkretisht drejtori i saj Genc Mulliqi ka sabotuar me të gjitha format këtë iniciativë dhe vetëm këmbëngulja e zv drejtorit Rubens Shima, arriti t’a shpëtojë këtë edicion. Fonde të bllokuara, pagesa të përgjysmuara, fletërrufe dhe idiotësira të tilla që të kujtojnë kohën e xhaxhit ishin statusi i vërtetë i këtij Onufri. Puna e dy kuratorëve u minoua me të gjitha format dhe ky është persekutimi më skizofren që një institucion shtetëror mund ti shkaktojë vetvetes.
Rasti i Onufrit nuk është fillikat. Gafat trashanike të paimagjinueshme nga drejtori I GKAsë Genc Mulliqi janë tashmë një menu, të cilën nuk mund t’a hasësh në asnjë vend tjetër analog. Nëse i referohemi insitucioneve fqinje në rajon si Platform Garanti në Turqi apo edhe Exit në Pejë do të vërejmë se organizatorët e tyre më gjithë vështirësitë financiare ftojmnë rregullisht në hapësirat e tyre artistët më brilantë të artit bashkhor. Asgjë e tillë nuk ndodh me institucionin shqiptar. Por pse ky institucion, i vetmi i kësaj natyre që dispinon kryeqyteti ka arritur fundin e cdo parimi intelaktual dhe artistik. Përgjigja është e qartë dhe shumë e thjeshtë. Këtu individë të cilët nuk meritojnë as drejtimin e azilëve vihen në drejtimin e institucionit të vetëm të artit, i cili edhe në kohët më të errëta të Byrosë nuk kishte arritur nivele kaq bazike.
Atëherë cduhet bërë? Duhet të vazhdojmë me këto ritme të turpshme dhe katastrofike për kulturën dhe artin shqiptar apo ka ardhur momenti që dinjiteti i tij të vihet në vend. Problemi këtu qëndron se të gjithë ne jemi mësuar me të keqen sistematike të individëve injorantë dhe problematikë, të cilët jo vetëm po e turpërojnë sistemin e artit, por po e vendosin atë në nivele të parikuperueshme. Galeria Kombëtare e Arteve nuk është pronë për t’iu shitur mediokritetit, injorancës dhe errësirës totale, por një insititucion që duhet të prezantojë vlerat më të mirë artistike që ky komb prej më shumë se 10 vjetësh po i prezanton kudo nëpër botë, dhe vendi nga i cili ata startuan për këtë mison brilant, tashmë po u përgjigjet me mizerje dhe banalitet të paparë deri më sot.

FANI ZGURO)