Njerëz të vrazhdë në stacione autobuzësh. Presin. Trupa të thyer, të zhubrosur prej pritjes. Ka kohë që kane humbur pamjen njerëzore. Ka vite që enden lodhshëm në një qytet të grinjtë dhe të përzishëm .
Ishte pikërisht atëhere kur kasapët pushtuan botën dhe lulëzuan thertoret. Atëherë kur era e gjakut stërqullte frikshëm qiejt e shprishur, agimeve. Në atë kohë kur u internuan buzëqeshjet dhe u prenë kokat dëshirave. Kur ekzekutuan vesën mëngjesore dhe gjelbërimin e natyrës. Pikërisht atëherë kur errësira e dendur përpiu lulet e qershive. Jargavanët u kryqëzuan diku përbri Krishtit. Në atë kohë kur një shqiponjë gjigante, e pamëshirtë, shqyente pothuajse çdo buzëmbrëmje shpretkat e xixëllonjave, duke kredhur ëndrrat në terr.
Shumë pak gjurmë njerëzore do të vëresh tashmë tek banorët e sotëm të qytetit X . Me kalimin e kohës, humbën të gjitha shqisat, humbën ndjenjat dhe mendimet...
Kasapët tashmë u larguan, duke u rrëmbyer dhunshëm edhe "tik-taket" e zemrave. Banorët, po aty, veçse pa sy, hundë, duar , këmbë, zemra e mëlçi. Edhe tani kryejnë të njëjtat rituale jetësore si më parë. I sheh në stacione, tek presin urbanët që vonojnë kaq shumë. Janë aty, kufoma të gjalla kundërmuese të një qyteti që pikon nga çdo çati trishtim dhe melankoli...