15 June 2009

Mbi Pavdekësinë

Toni Milaqi "The Aging Process -I-" (photography, 2009)

Nëse do të konsideronim mplakjen fizike, por edhe shpirtërore, si lajmëtarët e parë të vdekjes, dhe këtë të fundit si armikun kryesor të çdo gjëje të gjallë, a mundet vallë të bënim kompromis me to?

Kush është ajo veprimtari njerëzore që mund të garantojë jetëgjatësinë e ekzistencës - fizike e shpirtërore- dhe njëkohësisht të vonojë sa më shumë proçesin e vdekjes?

Toni Milaqi "The Aging Process -II-" (photography, 2009)

Nëse me të sjellurit në jetë të fëmijëve (trashëgimtarëve), do të mund të thoshim se bëmë detyrën tonë në raport me vazhdimësinë e species njerëzore, ç'mund të thuhet për jetëgjatësinë e universit tonë të brendshëm (meditativ dhe emocional)? Apo mos vallë ai zhduket me largimin fizik të njeriut nga jeta?

Mendoj se jo. Të gjithë veprimtaritë intelektuale të njeriut, si edhe çdo përçapje e re që i kundërvihet errësirës rrethuese, padyshim që largojnë vdekjen, dhe sigurojnë më së miri vazhdimësinë e ekzistencës.

Toni Milaqi "The Aging Process -III-" (photography, 2009)

Por duke folur për njeriun dhe pavdekësinë, kush më mirë se arti dhe artisti do të mund të ilustronin këtë argument? Kush mund të thotë se shpirtrat e Omerit, e Shekspirit, e Velaskesit, e Betovenit, e Delakruasë, e Klesë, e Pollok, etj, nuk gjenden në çdo qelizë, në çdo emocion apo mendim që ngjizet dhe që buron prej veprave të tyre?
Kush mund të thotë se Leonardo nuk ngjallet nga çdo buzëqeshje e Mona Lizës? Kush mund të pohojë se Vivaldi nuk merr frymë pas çdo tingulli dhe note muzikore, sa herë kemi fatin të dëgjojmë diku veprat e tij? Kush mund të thotë se pas çdo nazi erotik të personazheve në pikturat e Karavaxhios, nuk gëlon sensualiteti përvëlues i vetë krijuesit të tyre? Kush mund të thotë se Gogeni nuk na shkel syrin, sa herë hasim siluetat grishëse të mulateve të tij?