Showing posts with label Barbare. Show all posts
Showing posts with label Barbare. Show all posts

03 November 2009

Skulptura Shqiptare, Nga Stalini tek Muji dhe Halili


Një Dokumentar
Teksa shkruaja disa kohë më parë shkrimin "Do të marr Çiften, do të dal për gjah", e teksa sillja ndër mend Monumentin e Stalinit- vepër e skulptorit Odhise Paskali (vendosur në ish Kombinatin e Tekstileve "Stalin", Tiranë), brenda meje rrotullohej pyetja se cili vallë ishte fati i monumentit, dhe ku gjendej ai tanimë? Ashtu rastësisht përgjigjen ma dha dokumentari mjaft interesant i kineastit Fatmir Koçi, i vitit 1995, me titull "Alternative Head".

Dokumentari ka një personazh qëndror, Vladimir Metanin, i cili punon ne fonderinë e derdhjes së veprave të artit në Tiranë. Njihemi përgjatë filmit me ambientet e fonderisë, të cilat ishin kthyer, diku aty në fillim të viteve 1990, në një pikë grumbullimi të statujave dhe monumenteve të socrealizmit që i përkisnin kryesisht shesheve/hapësirave publike. Shohim monumentet e Enver Hoxhës, të Stalinit e Leninit. E pikërisht atëherë dëgjojmë Vladimirin të thotë: "Unë kam pasur fat; Po të mos ishin bërë monumentet e këtyre zotërinjve, kurrë s'do të kisha realizuar punët e mia..." .

"Vladimir Metani working in an old Factory, Tirana, Albania" (Photo by Michel Setboun)

"Vladimir Metani working in an old Factory, Tirana, Albania" (Photo by Michel Setboun)

Vladimir Metani
Në një shkrim të datës 12 janar 2004, në gazetën "Koha Jonë", me titull: "Artisti që krijon dhe derdh në bronx legjendat shqiptare", gazetarja Vali Qyrfyçi na bën një prezantim të Vladimir Metanit:

"Metani ka lindur në vitin 1951 në Elbasan... Pas shkollës 7-vjecare, Vladimiri ndjek shkollën e rezervave të punës dhe më pas vazhdon shkollën e mesme, në politeknikum, për mekanik, pa shkëputje nga puna. Në fund të viteve '60 fillon punën në fonderinë e derdhjes së veprave artistike në Tiranë. Aty vazhdon të punojë dhe sot e kësaj dite... Vladimiri gjithmonë me modesti deklaron se është autodidakt, por dhe i vetmi skulptor në vend që i realizon tërësisht veprat e veta, që nga ideja, në allçi dhe deri në derdhjen përfundimtare..."
 
Varrmihësi
Duke ndjekur filmin dokumentar të Fatmir Koçit, ndjen një lloj stepjeje, tek has kaq qartë imazhin tejet të shfytyruar të tranzicionit shqiptar në këtë njëzet vjeçarin e fundit. Shohim me rrëngjethje Vladimirin të godasë me vare, pa i bërë syri tërt, një monument gjigand mermeri të bardhë. E shohim të këndojë "rusisht" përballë një shtatoreje bronxi, me duar të shqyera, të Leninit. E shohim më pas të marrë pjesët e shqyera nga monumentet, t'i shkrijë, e me to të krijojë ato që ai i quan vepra mbi personazhet mitologjike shqiptare.

Diku në dëshmitë fotografike të Michel Setboun, zbuloj Metanin, në fonderi, të pozojë triumfator përfund këmbëve të Monumentit të Stalinit, të realizuar nga O. Paskali. Vetëm atëherë kuptova fatin e vërtetë të asaj shtatoreje, të një prej veprave më përfaqësuese të realizmit socialist shqiptar; me siguri arti i Paskalit duhej të flijohej për t'i dhënë jetë miteve dhe legjendave kombëtare shqiptare që kishin mësyrë fantazinë e shfrenuar të Vladimir Metanit.

Vrasësit
 Në fakt, në këtë tragjedi, nësë Vladimiri me të tjerë shokë metalurgë, kryen rolin e varrmihësit të mjaft prej veprave themelore të skulpturës monumentale shqiptare, vrasjen e vërtetë nuk e kryen ata. Vrasësit e vërtetë janë të gjithë përfaqësuesit kryesorë të klasës politike shqiptare të këtyre njëzet viteve të fundit. Të gjithë ata presidentë e kryeministra, ministra e zv-ministra, ata deputetë e kryetarë bashkish, ata drejtorë të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe ata nëndrejtorë; që udhëheqin shtetin shqiptar në këtë katrahurë të vërtetë institucionale, në këtë batak shpirtëror dhe mjerim të thellë ekonomik e social.

Pyetje Retorike
Përse vallë sa herë që ndryshojnë situatat politike në Shqipëri, duhet të asgjesohen të gjitha gjurmët e së shkuarës? Përse vallë duhej të zhdukeshin ato punë kaq përfaqësuese të skulpturës së socrealizmit shqiptar? Sepse frymëzuesit e këtyre veprave ishin diktatorë?! Po atëherë pse nuk i vëmë flakën edhe piramidave egjiptiane, apo çdo lloj gjurme në arkitekturë, pikturë, e skulpturë, që përshkruan jetën e faraonëve egjiptianë, si edhe tiraninë e pamëshirtë të atyre kohërave (shumëherë më të egër se periudha komuniste shqiptare)? Përse nuk djegim Luvrin apo Hemirtazhin, muzeun e Pradës apo kishat e Vatikanit? Përse të mos shkatërrojmë murin kinez?! A mos vallë bëmat e Papatit, e mbretërve dhe perandorëve të ndryshëm, e diktaturave të të gjitha formave, ishim më progresiste? A mos vallë regjimet social-politike të rrugëtimit tonë njerëzor në këtë botë, ishin më demokratike? Bazuar në të njëjtat mendësi, ç'na duhen sot veprat e Velaskesit dhe të Gojës, tek na përshkruajnë fodullëkun irritues të familjeve mbretërore spanjolle? Pse nuk asgjesojmë të gjitha pikturat e Davidit apo të Engërit tek na përplasin turinjve arrogancën e një batakçiu ushtarak si Napoloni, i cili zhyti botën në gjak, për të kënaqur egon e tij militare si edhe interesat e klasës franceze në pushtet?

Reflektim
Nuk i zhdukim të gjitha këto, sepse prej çdonjërës prej atyre periudhave dhe atyre veprave në veçanti, mund të mësojmë. Mësojmë rrugën e përgjakur nga ku kaluam, dhe sakrificat të cilat na u desh të bënim si specie njerëzore. Mësojmë të shohim të metat tona në sy. Të shohim degradimet, qorrsokakët dhe ashpërsinë e totalitarizmave të çdo tipi, të shohim sa mikroskopik e bëmë personalitetin njerëzor në kohë të tilla. Duke hedhur vështrimin në thellësi të diktaturës, duke e analizuar atë, mund të themi se përparojmë, se ecim përpara.

Por duke menduar të gjitha këto, kam frikë se për çfarë flas përbën lluks për klasën politike shqiptare, për realitetin social shqiptar, për artin e mjeruar shqiptar, për individin e ngratë që rron në Shqipëri, në këto kohëra famëkeqe dhe dritëshkurtëra të kolerës...

"Vladimir Metani's Work" (Photo by Marco, Fellow of Eagles, 2007)

"Vladimir Metani's Work" (Photo by Marco, Fellow of Eagles, 2007)

(P.S. -Fotografitë më sipër, janë disa punë nga Vladimir Metani.)
 

29 October 2009

"Gazeta Telegraf" vjedh shkrimet e blogut: "Arti në Kohërat e Kolerës"

Gazeta Telegraf: "Me Ne Nis Dita Ndryshe..."

Eshtë e habitshme, sa me lehtësi hasim fenomenin e vjedhjes intelektuale, përpos një morish fenomenesh të tjera negative, që lulëzojnë në panoramën mediatike të shtypit të shkruar shqiptar. Eshtë vërtet për t'u habitur me mjerimin intelektual, të rrogëtarëve, të cilët mbushin një numër të madh faqesh në gazetat shqiptare. Eshtë për të ardhur keq, kur sheh vjedhjen, dhe përvetësimin e punës meditative të tjetërkujt, të jetë kthyer në ideologji bazë, si edhe në praktikë të vetme pune në mjaft gazeta shqiptare.

Duke shfletuar shtypin shqiptar, dhe më konkretisht "Gazetën Telegraf" , hasa brenda saj një artikull (i cili bën pjesë në sumplementin kulturor) të datës 9 tetor 2009, me titull: "Pse Refuzoi Guri Madhi, të hiqte Mehmetin Tablloja" të personit që nënshkruan me emrin Leonard Veizi. Duke lexuar hyrjen e artikullit, kuptoj se  i nderuari  L. Veizi nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka vjedhur pjesë të analizës sime në blogun "Arti në Kohërat e Kolerës", të datës 29 qershor 2009, me titull: "Lloqe Kavaje" , dhe të gjitha këto pa cituar aspak burimin e informacionit. Pjesa e vjedhur vijon më poshtë:

"Historia

Vepra e përfunduar prej G. Madhit u paraqit në ekspozitën e
nëntorit 1974. Komisioni mbikëqyrës i kësaj ekspozite i përbërë prej anëtarësh të Komitetit Qendror dhe "artistësh" e cilësoi si të pambaruar, me probleme të theksuara kryesisht në modulimin e figurës së E. Hoxhës, e cila ishte trajtuar përmes perceptimit disi ekspresiv, jo fotografik të Madhit. I sugjerohet artistit ta rishikoj, ripikturoj veprën, gjë që nuk u pranua prej tij. Vendoset
që figura e Enver Hoxhës të ripunohet prej piktorit Zef Shoshi, i cili konsiderohej si një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të soc-realizmit shqiptar. Portreti i këtij të fundit disi fotografik-natyralist -që ne shohim sot - është produkt i retushimit të Zef Shoshit, duke dalluar qartë nga teknika e G. Madhit, dhe trajtimet e personazheve të tjerë të veprës..."
Eshtë për t'u habitur veprimi i Leonard Veizit, pasi në blog citoj se: "Ndalohet rreptësisht të kopjuarit, të importuarit dhe të publikuarit e materialeve të këtij blogu pa dijeninë dhe aprovimin (me shkrim) të autorit..."

I drejtohem në këtë letër të hapur Drejtuesve të "Gazetës Telegraf", si edhe Kryeredaktorit të saj, duke ju thënë se:

Ju vë në dijeni sot, 29 tetor 2009, fenomenin e përvetësimit të punës sime intelektuale prej artikullshkruesit Leonard Veizi, dhe rrjedhimisht edhe prej gazetës suaj, duke shpresuar që ju vetë si staf drejtues, të distancoheni publikisht përballë këtij veprimi. Shpreh dëshirën time, që ky akt abuziv të mos përsëritet më në të ardhmen. Në rast të kundërt, ju bëj të ditur se nuk do të nguroj t'u drejtohem organeve të Drejtësisë Shqiptare, për këtë shkelje flagrante të së Drejtës së Autorit, dhe të kërkoj dënimin e Organit Tuaj Informativ, si edhe të gazetarit përvetësues.

Sa për gazetarin Leonard Veizi, ju them miku im, se akti juaj nuk është as shenjë maturie dhe as shenjë pjekurie intelektuale. Vjedhja është vjedhje, dhe si e tillë duhet dënuar. Nëse një veprim i tillë do të ripërsëritet në të ardhmen, gjuha që do të përdor ndaj jush, do të jetë e ndryshme.

Gjithë të mirat!
Toni Milaqi

16 September 2009

Do të marr Çiften, do të dal për Gjah

The Textile Combine "Stalin", Tirana, Albania. (Photo by A. Milaqi, 2009)

Dashuria e parë

Zona e ish Kombinatit të Tekstileve "Stalin"Tiranë, apo siç e thërrisnim shkurt: e "Kombinatit", është një hapësirë gjeografike/urbane me të cilën më lidhin ndjesi të veçanta. Eshtë vendi ku linda, ku kalova pesë vitet e para të jetës sime, ku provova ndijimet e para, ku u dashurova për herë të parë (në kopësht, me një vajzë mjaft të bukur pesëvjeçare, të cilën e quanin Erisa, me flokë të praruar që përfundonin me dy bishtaleca të hijshme). Eshtë vendi ku provova zhgënjimin e parë, pikërisht në momentin kur familja ime u zhvendos nga Kombinati, për në qëndër të Tiranës (1979), dhe ku do të më duhej të ndahesha njëherë e përgjithnjë nga mikja ime e kopshtit, për të mos e parë më kurrë. Pikërisht nga ajo ndjesi humbjeje, këmbëngula që motra ime e sapolindur të quhej Erisa, duke nderuar kështu miken vogëlushe.

Xhaxhallarët

Kombinati i tekstileve është një vend me simbolika të mëdha për mua. Familja e tim ati, më 1950, u shpërngul nga Derviciani (Dropull), për të banuar, për të punuar, dhe për ti dhëne jetë kombinatit të sapohapur atëherë. Njerëzit e mi (xhaxhallarët, nuset e tyre, hallat, kushërinjtë) bëjnë pjesë në atë kategori prej mijëra vetësh që kaluan vitet më të bukura të jetës së tyre në kombinat, që i dhanë frymëmarrje asaj vepre industriale, aq të rëndësishme për ekonominë e shtetit shqiptar, por edhe që e paguan me jetën e tyre atë përzgjedhje. Shumë syresh vdiqën diku rreth të gjashtëdhjetave, me mushkëri të bllokuara nga azma, sëmundje-rutinë, të cilën e hasje në masë në repartet e tezgjahut, të filaturës.
Kishin ëndrra xhaxhallarët e mi, diku aty në fillimin e viteve '50, se do të ndërtonin një botë të re, të drejtë, pa të shtypur dhe shfrytëzues. Vite më pas, kur u zgjuan prej opiumit propagandistik e delirive utopiste, dhe panë në pasqyrë vetveten, kuptuan se ishin tërësisht të lakuriqtë, të tradhëtuar, të shfytyruar, të vjedhur, të vrarë pas krahësh. U kishin shpartalluar ëndrrat, u kishin marrë jetën. Ishte mjaft vonë për të ndryshuar gjërat...

Monumenti

Shtatorja e Stalinit, e vendosur aty nga fundi i viteve 1950, ishte një monument tepër imponues, që i jepte ngjyrë sheshit përpara kombinatit, që përmbushte gjithë ato nevoja ideologjike/propagandistike të sistemit komunist shqiptar, por që dashje pa dashje përkonte edhe me simbolikën e idealeve më të pastra të atyre qindra mijëra njerëzve, të cilët besuan në utopinë e ndërtimit të një Jete të Re.

Vepër e skulptorit Odhise Paskali, e vendosur në qëndër të sheshit, duke treguar me dorë Lindjen (e diellit, e Botës së Re, kahjen gjeo-politike të Shqipërisë, Bashkimin Sovjetik), shtatorja ishte padyshim një orvatje mjaft e rafinuar e skulpturës monumentale shqiptare. Përmblidhte brenda saj mjaft karakteristika propagandistike-morale-politike, të cilat me çdo mënyrë dhe me çdo kusht duhet të nguliteshin në subkoshiencën e gjithkujt që e vështronte. Vendi ku ishte vendosur, ishte një zgjidhje perfekte. Ishte i pari imazh që shihte punëtori kur futej në kombinat, dhe i fundit kur dilte prej tij. Shtatorja lahej nga drita e mëngjesit në mënyrë ballore. Dora i drejtohej butësisht lindjes, diellit. Kapota (pallto) ushtarake, të ndërgjegjësonte për skizofreninë militariste të atij sistemi. Trupi i krekosur tregonte forcë. Ndërsa tiparet prej njeriu të fismë, njerëzor, por dhe të vendosur, janë mjaft të dallueshme, duke e bërë më të afërt /intime figurën e udhëheqësit sovjetik dhe të kauzës komuniste në tërësi.

Fotografia

Pak muaj më parë im atë vizitoi Tiranën, duke sjellë me vete ndër fotografi të ndryshme, edhe foton e mësipërme të Kombinatit. Kam vite që nuk kam kaluar aty; kam përshtypjen se nuk e kam parë kurrë atë shesh pa praninë e monumentit të Stalinit. Diku në fillim të viteve 1990 së bashku me rënien e regjimit totalitar nacional-komunist, u hoq edhe statuja prej piedestalit hijerëndë. Monumenti i dikurshëm, vepër e personalitetit më të fuqishëm të skulpturës shqiptare, e O. Paskalit, u flak si një vjeturinë, siç dëshmojnë edhe materialet filmike të M. Setboun.

Duke vëzhguar foton e tim ati (2009), ajo që bie menjëherë në sy është melankolia e thellë e asaj hapësire urbane. Vëren se sheshi është tkurrur, duke humbur kështu imazhin e dikurshëm të përmasave gjigande. Edhe funksioni i tij tashmë ka ndryshuar. Zemra e dikurshme tërë gjallëri e Kombinatit, sot nuk është e vështirë të kuptosh se është kthyer në një park parkimi maunesh dhe furgonësh. Piedestali i boshatisur, i shprishur, i ndotur prej posterave propagandistike/publiçistike të pinjollëve të rinj të klasës së vjetër politike shqiptare, ulëret për mëshirë.

Politikanët

Ishin këta politikanë, të njëjtët njerëz, që në regjimin e kaluar brohorisnin deri në ekstazë për fitoret socialiste, përposhtë madhështisë monumentale të shtatores. Ishin po ata që ndërruan kostumet e tyre, duke u vënë në krye të revoltave popullore të fillim viteve '90, dhe që i manipuluan në mënyrën më të paskrupullt ato. Ishin të njëjtën pushtetarë, apo pinjollët e tyre, që hodhën poshtë mjetet e vjetra ideologjike për kontrollin e turmës, dhe që valëvitën qiejve të Shqipërisë flamujtë e armiqve imagjinarë të deriatëhershëm. Qëllimi ishte i thjeshtë: të qënurit me çdo kusht në pushtet. Janë të njëjtët politikanë që sot ashtu si dhe dje, të marrin gjak në vetull po fole në mënyrë kritike mbi elementin mitologjik në artin nacional-romantik të Odhise Paskalit, për bustet e Gjergj Kastriotit, e Naimit, e Idriz Seferit, për shtatoren e Çerçizit apo të Flamurtarit. Janë po ata që përdhosën mizërisht monumentin e Stalinit, dhe në këtë mënyrë shkelën edhe nderin e krijuesit të tij. Sa pafytyrësi dëshmon kjo botë!

Kacavjerrja

Në vitin 2005 Enisa Cenaliaj do të hipte mbi piedestalin ku dikur ndodhej shtatorja, në shoqërinë e parrullës: "Mirësevini të dashur punëtorë". Nuk e di ç'lidhje mund të ketë me artet vizuale kjo kacavjerrje mbi bazamentin e monumentit të dikurshëm, por di që ky veprim është tregues i qartë i vakumit vizual/konceptiv që kalojnë artet pamore në Shqipërinë e këtyre njëzet viteve të fundit. Shumë bukur kjo performancë mund të inkuadrohej tek emisionet e "Portokallisë" apo tek gjithfarë emisionesh humoristike që gëlojnë në kanalet televizive shqiptare, por aspak nuk mund të konsiderohet si një akt që mund të thotë diçka në kontekst vizual.

Rezyme

Koha tregon se në kundërshti me mjaft popuj të tjerë, shqiptarët e kanë tërësisht të vështirë të mund të rrojnë me të shkuarën. E kanë tërësisht të pamundur të bashkekzistojnë me gjurmët historike të lëna prej saj. Heqja e monumentit të Stalinit nga sheshi qëndror i Kombinatit tregon edhe një herë papjekurinë politike të neo-shqiptarëve.

Koloseumi romak ishte vendi ku vdiqën në mënyrën më shtazore mijëra njerëz, për të kënaqur etjen e turmës dhe të klasës së atëhershme pushtetare për gjak. Megjithatë, askush nuk u orvat ta shkatërrojë. Sepse përpos mizërive dhe kanibalizmit njerëzor, shohim tek ai amfiteatër edhe vlerat e tij estetike, arkitekturore, inxhinjerike. Sepse prezenca e tij na bën më të pjekur tek mendojmë për katrahurën dhe degradimin total të shoqërisë njerëzore në faza të caktuara të historisë. Sepse ajo kryevepër e botës antike është ujitur me gjakun e mijëra gladiatorëve; sepse ai amfiteatër, nga një thertore, tanimë është kthyer në një pishtar human, që i bën thirrje reflekseve tona kundër skllavërisë së çdo tipi.

Pse të mos ndodhte kështu edhe me monumentin e Stalinit?! Të ishte aty, për të na kujtuar ëndrrat e thyera të xhaxhallarëve të tradhëtuar, për një botë më të mirë dhe më të drejtë. Të ishte aty, për të na treguar dërrasën e kalbur, nga ku nuk duhet të shkelim. Të ishte aty, për të na folur mbi tmerret e totalitarizmit, por edhe si një tregues i një realiteti pesëdhjetë vjeçar i cili nuk mund të mohohet.

Dhe në fund të fundit, nëse do të më duhej të përzgjidhja, do të preferoja pa as më të voglin ngurim veprën e Odhise Paskalit, se sa humorin e hollë të një vajze të lyer me miell, që kacavirret fodulle mbi një pirg betoni.

Stalin's Monument (by Odhise Paskali, 1957). The Textile Combine "Stalin", Tirana, Albania. (Anonymous, photography, 1974)

Stalin statue, hidden in a factory. (Photo by Michel Setboun)

Enisa Cenaliaj "Mirësevini të dashur punëtorë" (2005, Burimi i fotos: T.I.C.A.)

29 June 2009

Lloqe Kavaje

Guri Madhi "Moscow conference 1960" (265x210 cm, oil on canvas, 1974)

Kohët e fundit më tërhoqi vëmendjen emisioni "Zonë e ndaluar" i gazetarit Andi Bushati (1.6.2009) në TV Klan, në të cilin u shfaq dokumentari "Imazhet e Pambledhura të Moskës", dhe ku i ftuar ishte arkitekti & piktori Maks Velo. E veçanta e këtij emisioni ishte se u përpoq të hedhë dritë mbi historinë e një prej pikturave më emblematike të soc-realizmit shqiptar: "Mbledhja e 81 Partive në Moskë, 1960" (Guri Madhi), duke na bërë dëshmitarë të asaj se si funksiononte kjo doktrinë ideologjike përmes gjuhës së saj vizuale në ambientin shqiptar.

Historia

* Vepra "Mbledhja e 81 Partive në Moskë, 1960" ishte një porosi e Komitetit Qëndror të Partisë në shtatorin e vitit 1973, me rastin e tridhjetë vjetorit të çlirimit të Shqipërisë dhe njëkohësisht të përurimit të godinës së re të Galerisë Kombëtare të Arteve, në ambientet ku ndodhet aktualisht.

* Vinte menjëherë mbas Pleniumit të katërt, i cili goditi rëndë çdo tendencë/prirje/ndikim "modernist/borgjezo-revizionist" në kulturë dhe arte.

* Porosia e kësaj pikture ishte në vazhdën e një fushate të ndërmarë nga organet e Partisë për trajtimin/pasqyrimin e "temave të mëdha" përmes artit, ose e thënë ndryshe si shprehja më elokuente e rolit/funksionit propagandistik që duhet të luanin artet dhe artistët sipas mendësive të klasës në pushtet.

* Figura e Enver Hoxhës mund të trajtohej në pikturë vetëm nga një numër tepër i vogël piktorësh, të cilët në të shkuarën kishin dhënë prova "devotshmërie politike" dhe "aftësish artistike" (shih: skrupulozitet akademik ndaj dogmës së soc-realizmit). Ndonëse në mjaft vepra të Guri Madhit vëmë re një formë më të çliruar materializimi teknik, përmes një penelate të gjerë dhe ekspresive, mund të thuhet se si artist i përmbushte në mënyrë rigoroze kriteret e mësipërme.

* Vepra e përfunduar prej G. Madhit u paraqit në ekspozitën e nëntorit 1974. Komisioni mbikqyrës i kësaj ekspozite i përbërë prej anëtarësh të Komitetit Qëndror dhe "artistësh" e cilësoi si të pambaruar, me probleme të theksuara kryesisht në modulimin e figurës së E. Hoxhës, e cila ishte trajtuar përmes perceptimit disi ekspresiv/jo fotografik të Madhit.

* I sugjerohet artistit ta rishikoj/ripikturoj veprën, gjë që nuk u pranua prej tij. Vendoset që figura e Enver Hoxhës të ripunohet prej piktorit Zef Shoshi, i cili konsiderohej si një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të soc-realizmit shqiptar, dhe nga të paktët artistë që mund të trajtonin figurën e udhëheqësit. Portreti i këtij të fundit disi fotografik/natyralist -që ne shohim sot- është produkt i retushimit të Zef Shoshit, duke dalluar qartë nga teknika e G. Madhit, dhe trajtimet e personazheve të tjerë të veprës.

Guri Madhi "Moscow conference 1960" -after repainted (265x210 cm, oil on canvas, 1978)

* 1978- Prishja me Kinën. I kërkohet G. Madhit të zhduket nga tablloja delegacioni kinez. Ndërhyrja kryhet. Figurat e kinezëve mbulohen me bojë.

*1981- Mehmet Shehu vret veten. Në pikturën në fjalë ai ndodhet përbri figurës së E. Hoxhës. Kërkohet sërisht prej autorit të ndërhyjë në vepër për të asgjesuar prej saj figurën e armikut M. Shehu. Guri Madhi shprehet se një veprim i tillë do të shkatërronte anën e saj kompozicionale, dhe se piktura s'do te vlente më. Që nga ajo kohë vepra u hoq nga qarkullimi, për t'u futur në fondin e zi të G.K.A.-së.

Piktura

"Mbledhja e 81 Partive" nuk solli ndonjë surprizë në artin shqiptar. Bëhet fjalë për një vepër skematike, demagogjike (e cila himnizon stereotipin e "vitalitetit shqiptar", përkundrejt karikaturizimit të të "huajve barbarë"), pompoze në shprehje, tepër e kursyer në ngjyrë (në kundërshti me mjaft vepra të tjera të autorit), me një monotoni konceptive në modulimin e personazheve.

Konteksti

Në fakt që të kuptojmë më mirë kushtet historike në të cilat u krijua piktura, duhet nënvizuar edhe koha e krijimit të saj. Nënkuptoj faktin se kjo vepër erdhi menjëherë pas Pleniumit të katërt, në vitin 1974, kohë në të cilën iu dha një goditje mjaft e rëndë prirjeve moderniste kryesisht në arte. Të shumta ishin gjyqet parodi, burgimet, internimet, pushkatimet, dënimet, arbitrariteti cinik i nomeklaturës komuniste ndaj intelektualëve dhe artistëve të kohës.
Në këtë aspekt nuk mund të pretendohet për cilësi dhe vlera të mirëfillta prej artit zyrtar të asaj kohe.

Bijtë e mosdijes

E solla këtu këtë histori për të bërë më të dukshme rolin unikal që mund të luajnë artet, apo veprat e artit në leximin e së shkuarës, në deshifrimin e saj. Akoma edhe në rastin e pikturave në fjalë, që nuk shquhen për pasuritë apo risitë e tyre artistike, mund të marrim një informacion bindës të mënyrës se si sendërtohej dhe se ç'rol luante arti në Shqipërinë komuniste. Duke folur mbi këtë subjek Maks Velo thotë: "Këtu kemi të materializuar, të fokusuar, të koncetruar tërë çmendurinë shqiptare." .

Rrugëtimi në jetë i kësaj pikture të G. Madhit është shprehja më e qartë mbi mënyrën se si perceptohej e shtjellohej në Shqipërinë totalitare historia (si shkencë), dhe evenimentet e ndryshme historike në veçanti. Eshtë treguesi më perfekt i retushimeve/fallcifikimeve të pafundme historike me të cilat u brumosën breza e breza të tëra të rinj shqiptarë. Një shembull ideal jo i çmendurisë shqiptare siç thotë M. Velo, por i obskurantizmit kriminal që mbolli dhe mbarështoi ai sistem aq i egër diktatorial në shoqërinë shqiptare për pesëdhjetë vjetë me radhë.

Forma e përqasjes/interpretimit historik (në varësi të kohës) të versionit zyrtar shqiptar mbi mbledhjen e Moskës, na bën të kuptojmë qartë vlerën dhe seriozitetin e konkluzioneve shkencore në trajtimin e etapave të ndryshme historike, duke u nisur nga Pellazgët, Ilirët, Bizanti, Lufta e dytë Botërore, apo konkludimet mbi Epirin, artin kristian/bizantin dhe pasbizantin në trojet e Shqipërisë së sotme, për të cilat kaq herë është folur edhe në këtë blog.

Duke ditur historinë e pikturës "Mbledhja e 81 Partive në Moskë, 1960"Guri Madhit, jemi në gjendje të kuptojmë rolin prioritar dhe funksionin utilitar të artit të realizmit socialist në mbarëvajtjen e ekuilibreve sociale brenda burgut të pamëshirshëm nacional/komunist shqiptar.

Zef Shoshi "Moscow conference 1960" (oil on canvas, 1980)

p.s. Dua të shtoj se të njëjtën temë e trajtoi më vonë edhe Zef Shoshi, në një aludim tepër formalist/të vakët artistik, më të sigurtë politikisht, duke fshirë nga skena historike prezencën kineze, dhe duke lartësuar edhe më kompozicionalisht figurën pompoze të E. Hoxhës.

05 June 2009

Shfaqja e Re e Cirkut te Vjetër

Toni Milaqi "Are You Ready?" (acrylic on canvas and mixed technique, 30x24 cm, 2009)

Një përshëndetje të përzemërt trupës së cirkut që do të përfaqësojë Shqipërinë dhe artin shqiptar në Bienalen e Venecias '09!
Duhet shtuar se aktiviteti i mësipërm vjen menjëherë pas suksesit të paparë -të shënuar përgjatë turneut të ri europian- në Bienalen e Pragës.
Shpesh duke vëzhguar kllounët e kësaj trupe shëtitëse, nuk mund të mos pranoj se më ndihmojnë mjaft për të kuptuar më mirë limitet e arsyes dhe të llogjikës njerëzore. Por s'janë vetëm kllounët, ështe e tërë atmosfera mbizotëruese e arenës çudibërëse. Janë akrobatët e çdo tipi, me tasa në duar, me garuzhde, lugë, shishe, e kusi; janë kafshët nevrastenike që dridhen e spërdridhen nën tingujt e muzikës dhe fshikëllimat e kamzhikëve; janë padronët e tyre që korrin frytet e të qënurit i fuqishëm .

Në sulm përpara drejt fitoreve të reja! Kjo shfaqje e re e cirkut të mirënjohur, sigurisht që s'duhet humbur.

25 May 2009

Kronikë e një Vdekjeje të Paralajmëruar

Toni Milaqi "The Lake" (acrylic on paper, 85x65 cm, 2006)

Një zë në shkretëtirë

Shkas për këto radhë u bë shkrimi mjaft prekës i Fatos Lubonjës me titull: "Liqeni jemi ne". Them prekës pasi nëse një njeri/shkrimtar/artist është në gjëndje të përçojë përmes mendimeve, apo veprës së tij, ato ç'ka turma ndjen dhe mendon, atëherë atë (krijuesin) shumë bukur mund t'a përfytyrojmë si zëdhënësin shpirtëror të saj; Dhe duke folur kaq rrjedhshëm për sentimente të tilla si p.sh. ai i Liqenit në mendësinë e kryeqytetasve, s'ka se si të mos ngacmojë edhe ndjenjat e tyre. Qëllimisht përdora termin shkrimtari/artisti, dhe jo gazetari/analisti, pasi analiza dhe qëndrimi kritik në vëzhgimin e realitetit janë pjesë përbërëse e hulumtimeve edhe e të parit, ndërsa skalitja e fjalës së shkruar (që vihet re tek Lubonja) s'është e thënë të jenë objekt kërkimesh apo domosdoshmëri për të dytin.

Në rastin e Lubonjës aftësia për të krijuar një realitet paralel përmes shkrimeve të tij, i cili shpesh i shpall luftë realitetit vrastar/banal, bëhet me një formë të tillë shprehjeje dhe me një freski të tillë krijuese (ndonëse konçize, e të kursyer), e cila shumë pak të përbashkëta ka me një vështrim të pangjyrë analitik/teknokrat.

Toni Milaqi "Painter by the Lake" (acrylic on canvas, 100x80 cm, 1996)

Qyteti

E pranoj se më pëlqeu fakti që dikush foli në mënyrë publike kaq qartë mbi këtë temë, e cila më ka preokopuar vizualisht prej kohësh, dhe mbi të cilën kam shkruar një vit me parë tek "Arratisja". Mendoj po kështu, se problematika mbi Liqenin është një nga temat më imediate të së ardhmes, të asaj se çfarë do t'i ofrojë banuesve të tij qyteti i Tiranës, dhe se çfarë fisiognomie karakteristike do t'i shfaqë ai vizitorit të huaj.

Toni Milaqi "The Dance" (acrylic on canvas, 100x80 cm, 2001)

Nuk dua të flas në këtë shkrim për akset e tjera mjaft shqetësuese të qytetit, si p.sh. : problemet kaotike urbanistike, apo amoku i pashoq i manisë për të ndërtuar vend e pa vend, apo tek krimet që jane bërë dhe bëhen sot e kësaj dite ndaj hapësirave arkitekturore, vizuale dhe estetike të kryeqytetit tonë të dashur, apo tek mish-mashi konceptual i ndërtimeve në Tiranë. Dua të ndalem vetëm tek Liqeni Artificial dhe kodrat përreth tij...

Toni Milaqi "Sex" (acrylic on canvas and mixed technique, 120x90 cm, 2003)

Dualizmi

Ka një paradoks brenda meje, që prej 17 vjetësh jetoj larg Tiranës-qytetit tim të lindjes. Provoj një dualizëm habitës emocionesh sa herë që kthehem për së largu. Mezi pres të prek tokën amë, të çmallem me gjithçka që më mungon nga vendi ku linda, ku kalova fëmijërinë, adoleshencën time, dhe pikërisht në çastet që mbërrij e zhytem në jetën e qytetit, një forcë e çuditshme demoniake më bën të dua të iki sa më larg dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Diçka më largon, më shtyn tutje, a thua se urëzat që më lidhnin me atë tokë janë këputur njëherë e përgjithmonë.

Toni Milaqi "Conclusion" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2006)

Metamorfoza

Asgjë nga qyteti i sotëm s'ka shijen që kishte dikur në fëmijërine time. Asgjë s'më krijon sensin e diçkaje të njohur dhe intime. As Sahati, as Muzeu Historik, as Banka, as monumenti i Gjergj Kastriotit, nuk janë më të njëjta. As rrugët s'janë po ato, as njerëzit, as ritmet e jetës, as ajri që pluskon mbi ne. Gjithkund ke ndjesinë se fantazma e Tiranës së dikurshme që vërtitet në kokën tënde, s'është aspak reale, dhe se ekziston si e tillë vetëm tek ti.

Toni Milaqi "Couple" -II- (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2007)

Egoizmi

Tek shkruaj këto radhë nuk ushqej iluzionin që ato sa them mund ti hyjnë në punë ndokujt, as nuk jam nga ata që nuk mund të rrojnë dot me të tashmen, apo dhunën e pamëshirtë të saj përmes ligjeve të evolimit. Thjesht këtu flas për qytetit tim të fëmijërisë, dhe të askujt tjetër. Për shokët e mi, për rrugët e mia, për shkollën time, për mësueset e mia, për femrat që unë desha, për bliret dhe manjolat e mia, për plepat dhe pishat e mia, për dhimbjet dhe dashuritë e mia. Dhe kur të gjitha këto i sheh të thyera, as vetë s'e kupton se sa shpejt ligështohesh...

Toni Milaqi "Waiting for the Barbarians " (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2008)

Liqeni

Në mes të gjitha këtyre, Liqeni ishte diamanti më vezullues i Tiranës. Ishte oazi, ekstaza natyrore (ndonëse me fillesa artificiale) prehja, gëzimi, ngjyra, aroma, ikja, përvjedhja, romantika, muzika, thembra e Akilit kryeqytetas. Aty ku jo vetëm natyra, por edhe njerëzit, përjetonin ringjalljen e madhe. Ishte mushkëria ekologjike e qytetit.

Me të drejtë Lubonja në shkrimin e tij thotë: "Liqeni jemi ne". Nëse do t'a përfytyronim këtë oaz natyror si mushkërinë gjigande të qytetit, pikërisht tani kur thuajse gjysma e Liqenit është tharë e helmuar, kur pemët janë prerë e janë lënë në mëshirë të fatit, dhe ndërtimet barbare janë shtuar si kërpudha, pikërisht tani kur sëmundja ka gllabëruar tërësisht mushkëritë e sfilitura, a mundet vallë të jetë Tirana e shëndetshme?

Toni Milaqi "Bacchanal" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2008)

Tek Unë

Për sa i përket artit tim, Liqeni i Tiranës ka qënë gjithnjë një muzë natyrore. Thonë se atdheu është ai vend, në të cilin ke kaluar fëmijërine tënde. Disa shembuj të punëve të mia -ndër vite- bazuar mbi këtë subjekt, mund të shihen edhe në këtë postim.
Vështirë të shkundësh nga supet e tua dashuritë e mëdha, dhe padyshim në jetën time Liqeni Artificial i Tiranës ishte një e tillë...

Toni Milaqi "The Painter by the Lake" (acrylic on canvas, 100x80 cm, 2009)

08 February 2009

Nga Kazmat tek Buldozat

Fotografia e marre nga gazeta Shekulli (1.2.2009)

Duke lexuar shtypin shqiptar te diteve te fundit nuk ka si te mos te te beje pershtypje lajmi mbi heqjen nga qendra e qytetit te Shkodres e kompleksit skulpturor me titull "Pese heronjte e Vigut", veper kjo e skulptorit Shaban Haderi. Nje njoftim ky qe gjendet edhe ne artikullin e gazetes Shekulli me titull Shkodër, bashkia shkul "5 heronjtë e Vigut" . Nje lajm i tille eshte ne fakt sa i cuditshem por edhe mese normal, po te shqyrtosh relacionet e arteve me "Njeriun e Ri" (te celikosur ne periudhen e diktatures nacional-komuniste shqiptare) dhe te pjellave e tij, te cilat kontrollojne jeten politiko-ekonomiko-kulturore ne shoqerine e sotme shqiptare. Nuk eshte e veshtire te kuptosh se zelli i papare i sistemit te dikurshem totalitar per te zhdukur dhe manipuluar cdo gjurme te hershme ekzistence te artit prehistorik, antik, paleokristian, mesjetar, e pasmesjetar, si edhe mania e shkaterrimit te gjithckaje qe mendohej se nuk ishte e perafert me konceptet dhe nocionet komuniste, natyrshem u trashegua edhe ne ditet e sotme. Ai zell qe beri diku aty nga fundi i viteve "60 ne Shqiperi te kryhej nje genocid i papare shpirteror, kulturor dhe fetar, ajo demagogji e cila solli ne jete njerez-perbindesha, te paafte te bashkejetonin me asgje dhe me askend qe i kundervihej llogjikes dhe bindjeve te tyre politike, eshte mese e qarte se eshte ende gjalle, dhe fatkeqesisht e gjithepushtetshme ne realitetin e sotem shqiptar. Dhe s'ka si te jete ndryshe, pasi ne cdo segment te jetes pastotalitare shqiptare shohim te njejtat figura dhe te njejten kaste politiko-ekonomike, e cila kontrollon jeten e vendit, duke e denigruar ate dhe duke i marre frymen me te njejtin entuziazem kriminal qe e karakterizonte edhe ne periudhen e dogmatizmit te pashoq komunist.

Michel Setboun "Berat, Albania" (Photography, 1980)

Une vete, jam nje artist i cili ka ngritur zerin ne shkrime te meparshme perkundrejt dogmes famekeqe te Realizmit Socialist dhe pershtatjes se saj per afer 50 vjet ne ambientin shqiptar, por nuk mund te pranoj kurrsesi barbarine dhe kanibalizmin e sotem mbi ato gjurme te mbetura te shprehjes se socrealizmit. Me mire nje shoqeri me nje art te vaket dhe medioker, sesa nje shoqeri e privuar nga cdo gjurme qofte edhe e mefshte e tij. Popujt qe nuk mesojne nga e shkuara, apo edhe nga gabimet e tyre, nuk mund te ecin kurre perpara. Realiteti totalitar nacional-komunist shqiptar kishte specifikat e veta, kishte jetegjatesine e vet, ndikimin e tij mbi breza te tere njerezor. Nese do te mbyllim syte duke supozuar se nuk ka ndodhur kurre, apo do t'a injorojme pa mundur te reflektojme mbi fenomenet, karakteristikat, problematikat, demet, potencialet konstruktive dhe shkaterruese qe permbante, si edhe shkaqet e degradimit te ketij realiteti famekeq, asnjehere nuk kemi per te perparuar si individe apo bashkesi njerezish.

Nese shoqerite njerezore, gjithnje kur benin hapa perpara, do te asgjesonin gjithcka qe i perkiste te shkuares, asgje sot nuk do te kishte mbetur per te na lidhur me te. Sikur greket e lashte te shkaterronin gjithsa i perkisnin qyteterimeve egjiptiane ne arkitekture, inxhinjeri e art, sikur romaket te shkallmonin gjithcka greke, sikur bizanti te shperbente gjithcka antike, sikur rilindja t'i vinte kazmen gjithckaje qe kishte ndodhur para saj, sikur iluminizmi e romantizmi t'i vinin zjarrin veprave te rilindjes, e realizmi atyre romantike, dhe keshtu me radhe, a thua do te kishim privilegjin per t'u njohur dhe per te folur per paraardhesit tane, per konceptet dhe mendesise e tyre?

Michel Setboun "Berat, Albania" (Photography, 2006)

Shoqerite njerezore, e natyrisht edhe artet perparojne ne saje te pervojes dhe mencurise qe koleksionojme nga e shkuara, ne saje te deshires per te mos ngelur ne vend, etjes per risi dhe dije, ne saje te sakrificave dhe kembenguljeve per progres, nga ndergjegjesimi dhe analiza e rrugetimeve qe kemi bere per te arritur aty ku jemi, por edhe nga besimi ne nje te ardhme sa me te mire .

Fatkeqesisht ky agim i shekullit te '21, te pakten per realitetin shqiptar, ka shijen e plogesht te gjysmes se dyte te shekullit te kaluar. Kane ndryshuar thjesht ngjyrat dhe kahjet politike te kastes ne pushtet, jo lojtaret, as rregullat e lojes. Hegjemonia e pushtetit, si gjithnje prepotente e mbytese, dhe individi i pazot t'i perballet. Ne malet e Beratit tani qe kane filluar te zbehen gjurmet e corbes totalitare te diktatures se shkuar, shquajme trajtat e qarta te diktatit te ri. Kesaj radhe -permes "Coca Cola"- hegjemonia autoritare qe na qendron si cekan mbi koke, nuk ka karakteristika periferike, por globale. Dhe ndonese flamuj te rinj valeviten qiejve -me ngjyra marramendese dhe aureola genjeshtare, dhe ndonese ne te tjere zotera na duhet te besojme, dhe ndonese kudo predikohet se rrojme nje epoke te re ne marredheniet tona ndernjerezore, se di pse thelle brenda meje -tek shoh ekskavatore te hedhin poshte vepra arti- ndjej te njejtin zhgenjim dhe te njejten pamundesi per t'u perballur e vepruar, me ate qe provuan gjysherit e mi aty ne fund te vitete '60 tek shihnin revolucionet kulturore shqiptare (me origjine sovjetike e kineze), dhe tek ishin te detyruar te mbanin "buzagaz" ne njeren dore kazmen e ne tjetren pushken, per te siguruar vazhdimesine formale dhe ekzistencen trupore ...

07 December 2008

Era Kuterbuese e Kapitalizmit

Toni Milaqi "Gray Day" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2006)

Vrasja e nje te riu 16 vjecar ne rrugicat e Eksarkia-s (Εξάρχεια), ne qender te Athines dhe pak metra larg galerise Cheapart, ne te cilen punonim per te ndertuar ekspoziten e re, shkaktoi nje vale te papermbajtshme reagimesh dhe episodesh dhune, duke e kthyer keshtu jo vetem kryeqytetin, por edhe mjaft qytete te tjera te Greqise ne arene lufte. Dhjetra dyqane dhe makina te djegura; njezet e kater police te plagosur; shtate arrestime...

Lajme te kobshme. Nje 16 vjecar i dergjur pertoke mes gjakrash nga plumbat e dhunes totalitare-policore/shteterore. Nje shoqeri qe zien, ajo greke. Nje bote qe uleret, kjo qe jetojme. Perseri dhuna e mekanizmave shteterore dhe e larove te saj institucionale, u shfaq qartesisht ne nje kryeqytet europian pak perpara fundit te vitit 2008. Nje jete njerezore u fik pa hapur ende syte, kurse zagaret e ruajtjes se rendit bredhin lirisht rrugeve. Kontrollojne jeten tone ne cdo moment, ne cdo cast, pa as me te voglin hezitim. Na vezhgojne rrugeve, dyqaneve, ne pune, ne banka, ne shtepi tek bejme shurren apo dhjesim. Edhe ne ato momente prezenca e pushtetit eshte e pranishme, e kudogjendshme...

Toni Milaqi "The Death of Hope" (acrylic on canvas and mixed technique, 130x100 cm, 2001)

***

Admiroj Eksarkia-n, zonen ne te cilen kalova 13 vjet te jetes sime. E admiroj, pikerisht per mosperkuljen ndaj brutalitetit shteteror. Respektoj guximin njerezor te banoreve te saj, si dhe nevojen e tyre per tu ndjere te lire. Kenaqem tek degjoj te thyhen zinxhiret e hekurt te pushtetit, rrugicave te kesaj zone; tek merr flake se bashku me kazanet e plehrave, fytyra e paskrupullt, meskine dhe e pangijshme e Kapitalizmit, e kelysheve dhe zagareve te tij. Adhuroj shpirtin anarkist te popullit grek. Nevojen per te mos u pajtuar me kufomen neveritese te sistemit te sotem politik...

Nderim per gjakun e derdhur te 16 vjecarit, qe iu kundervu brutalitetit te pushtetit dhe kalbesise se botes!

Toni Milaqi "Conflict" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2006)

30 September 2008

Marshon Shqiperia -Krenare

Michel Setboun "Religious painting remaining in the ruins of the destroyed church of Saint Eloy ; destroyed by the communist regime in Berat, Berat Albania" (Photography, 1990)

Nje fotograf dhe fotoreporter teper interesant, i cili ka fokusuar me objektivin e tij momente unikale te realitetit shqiptar pergjate viteve te diktatures komuniste, por edhe me pas, ne vitet e kalbezimit social, shpirteror dhe institucional qe po perjeton Shqiperia, eshte Michel Setboun.

Kur ndesha punet e tij (sidomos ato te periudhes "para viteve 1990"), me te vertete u befasova, pasi shume imazhe jane unike, te verteta, jo te perkedhelura apo te lemuara, shpesh here te ashpra, dhe ndoshta disi "te huaja" per realitetin e ri, apo tranzicionin total qe po kalon shoqeria shqiptare sot. Tek ky cikel fotografik, ke ndjesine se Michel Setboun ka ndalur kohen, "e ka burgosur ate".

Nje element qe evidentohet me teper mjeshteri dhe qe personalisht me ngacmon, eshte edhe lidhja e shqiptarit me artet. Nje relacion urrejtjeje, armiqesor, i mbrujtur me mllefe dhe ekstaza te cartura.

Michel Setboun "Restoration of St. Eloi church (destroyed by the communists) Albania" (Photography, 1990)

Duke ndjekur udhetimet e tij ne Shqiperi, shtegetojme mes rrenojave te objekteve te kultit qe la pas totalitarizmi komunist ne Gjirokaster, ne Sarande, ne Berat, ne Korce, ne Vlore, ne Tirane. Deshmi e atyre krimeve historike ne memorjen kolektive te njerezve dhe te popujve qe banuan nder kohera shtetin e sotem shqiptar. Vetem dyzet vjet, per te shkaterruar gjithcka te vlerte te krijuar nder shekuj. Dyzet vjet per te shperbere kulturen shpirterore dhe artistike te atyre viseve.

Nuk e di nese Njeriu i ri u krijua apo jo, por di qe ajo erresire patologjike qe karakterizon shqiptarin ne relacionin e tij me artet, ajo urrejtje totale per cdo gje qe nuk kupton dhe qe i vret syrin, ajo mani shkaterrimi te cdo gjeje qe i perket se kaluares, u kultivua dhe u rrit -padyshim- ne vitet e erresires komuniste, duke sjelle ne jete nje brez pa rrenje, pa ura me te shkuaren, pa njohje te vlerave te verteta njerezore, nder te cilat nje vend paresor zene edhe artet.

Michel Setboun "Saint Nicholos; the frescoes were not destroyed but the church was transformed in a storage -Moschopolis, Albania" (Photography, 2006)

Jane pikerisht keto pjella te mjera te Njeriut te ri -keta pasardhes te vobekte- te cilet pas viteve 1990 e ne vazhdim shkaterruan ato pak piktura murale te mbetura ne objektet e kultit te cilat i shpetuan djegjes e kazmes komuniste, dhe te cilat asokohe ishin kthyer ne stalla. Jane te njejtet njerez, qe shkarraviten ne menyren me barbare shpellen-shkembin e Lepenices ne Vlore, duke asgjesuar keshtu ato gjurme autentike dhe teper te vyera te periudhes prehistorike. Te njejtet fakira, te cilet "u nxorren syte" shenjtoreve ne pikturat murale te Voskopojes. Te njejtat kufoma ende te gjalla, te cilat thyejne e djegin cdo shprehje -te harruar- te artit te realizmit socialist, cdo gjurme qofte edhe te zbehte te artit qe mund t'i lidhe me te shkuaren.

Michel Setboun "Monuments, Saranda, Albania " (Photography, 2006)

Fatkeqesisht Njeriu i ri - shqiptar nuk e njeh artin. Nuk mund te perceptoje nevojen e ekzistences se tij. Per te arti eshte lluks. Nuk mund te rroje dot me te kaluaren. Njeriu i ri- shqiptar do te harroje. Do te harroje kush eshte, per ke broheriste dhe thurte himne. Kujt i puthte kembet, dhe kujt i qeshej. Kujt i kendonte, dhe ke ngrinte ne piedestal. Njeriu i ri-shqiptar nuk ka memorje. I paafte te komandoje veten e tij, gjithnje nen tutele padronesh te eger dhe gjakatare, eshte mesuar te mos ndjeje nevoje per te bukuren. Te mos kete nevoje per seleksionimin e se shkuares. Te kete teresisht te pamundur te bashkezistoje me te.

Vdiq mbreti- Rrofte mbreti! Ne djall flamujt e vjeter; Rrofshin te rinjte!

Michel Setboun "Working in an old factory with statues of Lenin, Stalin and Enver , Tirana, Albania" (Photography, 2006)

17 September 2008

Skena e Re e Artit Pamor Shqiptar dhe Rrugetimet nga Gozhdat - tek Bolet


Hyrje

Ajo c'ka ndodh sot ne artin shqiptar, apo me mire: ajo c'ka trumpetohet sot ne mediat e shkruara dhe elektronike mbi te ashtequajturen "Skena e re e artit shqiptar", si edhe e tere atmosfera mbizoteruese ne institucionet qendrore e vendim-marrese mbi politikat dhe jeten kulturore te vendit, vetem me dy fjale mund te pershkruhet: "Te rrosh Absurdin".

Absurdi

Kush me mire se Alber Kamy (Albert Camus) -tek libri "Miti i Sizifit"- ka pershkruar Absurdin?! Per te me ndihmuar te kuptoj pikerisht kete fenomen, do te kerkoj ndihmen e tij:

"Te jetosh do te thote te besh te jetoje absurdi. Ta besh te jetoje, do te thote, para se gjithash, ta veshtrosh. Ne kundershtim me Euridisin, absurdi vdes vetem kur braktiset. Nje nga nga te vetmet qendrime filozofike koherente eshte revolta. Ajo eshte nje ballafaqim i perjetshem i njeriut me erresiren e vet. Ajo eshte nje perpjekje per nje trasparence te pamundur. Ajo e ve boten ne diskutim ne cdo sekonde qe kalon." [1]

Pra revolta e njeriut qe perjeton Absurdin sipas Kamy-se eshte nje ballafaqim i perjetshem i njeriut me erresiren qe i perqarket. Dhe per te na dhene kordinatat gjeografike te ketij nocioni Kamy vazhdon:

"Absurdi nuk eshte brenda njeriut, as tek bota, por ne ekzistencen e tyre te perbashket." [2]

Ne kete pike ngushellohem disi duke menduar qe ndjesia te cilen provoj gjithnje e me shpesh se rroj Absurdin, s'eshte vetem nje ndjenje personale, por nje atribut njerezor dhe ekzistencial i cili na shoqeron qe ne gjeneze.

Plehu

Duke qene gjithnje ne korent te ngjarjeve, proceseve dhe fenomeneve te cilat mbizoterojne ne hapesirat pamore shqiptare, konkluzioni qe perftoj eshte ai i perngjasise me nje pirg gjigand plehu. I qelbur, me erera kundermuese, i pa trajte, i brejtur, i fundosur e i pushtuar nga gjithfare krimbash, mizash, insektesh te percudnuara, larvash e mikrobesh te pafundme. Nje hapesire e degraduar, e dekompozuar, e kalbur deri ne palce.

Kjo nuk do te thote se nuk ekzistojne artiste dhe individe te cilet i kundervihen, luftojne dhe sfidojne kete realitet. Por zerat e tyre jane kaq te mefshte dhe te pafuqishem nen gumezhitjet cjerrese e metalike te mizave dhe eres mbytese te plehut.

Eshte pikerisht ky pleh, qe pushtoi tere vitet e mepastajme nga renia e diktatures komuniste (me perjashtime te pakta), ky sharlatanizem dhe amatorizem vizual, kjo katrahure dhe ky mjerim pamor. E pame ate te ngrihet ne piedestal dhe te imponohet nga kuratoret e famshem dhe klanet e ndryshme, te cilat kryen ritualin jetesor kohe pas kohesh ne Galerine Kombetare te Arteve. Pame diletante me kamera ne duart e dridhura, te prezantohen si shpetimtare. Pame fotografe te vobekte te prezantohen si Mesies. Pame te njejtat figura te lodhura prej viteve te retushohen dhe te prezantohen si te sapolindura. Pame njerez medioker te pagezohen artiste dhe sharlatane "me krahe te ngrohta" te pagezohen kuratore.

Shume ere vjen ky pirg....

Mediat

Pastaj fjalen e moren televizionet shqiptare, gazetat, forumet dhe bllogjet internetiste. Kaluan para nesh reportazhe, artikuj dhe "analiza" mbi artet vizuale nga gazetare-rrogetare te cilet s'kane idene mbi argumentin ne fjale. Artikuj te vjedhur, apo te rendomte; hyjnizime mediokrish, apo fjale boshe; te tjere me "urdher nga lart", apo per te mbushur gazetat.

Njeri gozhdes, tjetri patkoit

Njohem ne mediat elektronike dhe te shkruara Saimir Stratin (nje mjeshter te mire, por asgje me teper se kaq, qe gjeti menyren per t'u bere i famshem per 15 minuta) te prezantohet si nje artist brilant, si nje nga majat me te medha te artit boteror. Pame te behen emisione te panumerta, te shkruhen artikuj e analiza te tera. Ne te njejten kohe kur per Edison Gjergon nuk eshte bere qofte edhe nje analize e vetme, nje reportazh. Dhe te gjitha keto perse?! -Sepse askush me perpara nuk ka ngulur me shume gozhde!

O tempora! O mores!

Nuk u tha dikush ketyre gazetaruceve valle, se arti nuk ka te beje me numrin sa me te madh te gozhdeve qe gozhdon diku?! Arti ka te beje me menyren se si do te vendosesh qofte edhe nje gozhde te vetme ne hapesiren qe i perqarket dhe c’te reja mund te sjelle ky veprim i yti ne kontekst me te gjere. Nuk u tha njeri valle te mos rremojne plehun; por te perpiqen te hapin dritaret -gjithe drite jetedhenese- e vlerave te mirefillta, te cilat po i ha mola, myku dhe lageshtia ne GKA-ne dhe mjaft galeri, apo institucione te tjera te rretheve, por edhe ne ateliete dhe studiot underground te artisteve .

Pushteti i Boleve

Mjafton te provokosh. Mjafton te dalesh ne rruge me dy bole gjak-perlyera ne duar dhe te therrasesh si i marre. Provokimi hap dyer dhe te ben automatikisht artist. Dicka e perafert ndodhi me Flaka Halitin - nje yll i ri i artit kosovaro-shqiptar. Te gjitha gazetat shqiptare u sulen si te marra. Gjak dhe sperme - dyshja perfekte.

Lexoj ne intervisten e saj tek Deutsche Welle me titull : "Atëherë qenkam feministe!" - Portret i artistes Flaka Haliti " :

"Edhe pse punimet e saj që prej tre vjetësh po ekspozohen në vende të
ndryshme të Evropës, ajo vazhdon ta quajë veten amatore. Një specializim në artin bashkëkohor do ta fillojë këtë vit në shkollën e artit Shtedl (Städl) në Frankfurt mbi Majn. Ndoshta kur të përfundojë spezializimin e ri ajo do të ketë guximin (apo "bolet", siç do të thoshin artistët meshkuj të Prishtinës) që më në fund ta pranojë që është profesioniste."

Vras mendjen dhe perpiqem te gjej ate qe e ndan Flaken dhe fqinjin tim kasap (ne dyqanin e te cilit blej mishin), por nuk e gjej asgjekundi diferencimin e tyre artistik. Nese Flaka Halitin do ta quanim artiste, perse valle te mos benim dicka te tille me cdo kasap qe zoteron dy bole te pergjakura kafshesh?! Vete Haliti pranon se eshte e paformuar artistikisht. Vete ajo pranon shkallen e njohjes dhe amatorizmin e saj. Vete ajo kupton nivelin e ulet te saj -te dijes dhe te shprehjes.

Pikerisht kjo kategori njerezish (nuk mund te perdor fjalen artist kurrsesi) mbush programet e mediave, artikujt e gazetave e te revistave dhe prezantohen si krijues e artiste sot. C'eshte me e keqja, me perkrahjen e klaneve te ndryshme pushtetare dhe komerciale kthehen ne perfaqesues dhe kultivues te mediokritetit, te antivlerave , te asaj c'ka disa quajne "Skena e re e artit shqiptar", duke u shnderruar keshtu ne okupues te hapesirave pamore dhe duke u zene rrugen atyre pak vlerave te mirefillta qe ekzistojne ne artet vizuale shqiptare ...

Epilog

"Nuk ka si shtëpia"- Pranon me gojen plot tek"Onufri 2006" kuratori, dirigjenti, udheheqesi artistik, nendrejtori, drejtori, menaxheri, historiani i artit, prijesi, pushtetari, revolucionari, artisti, komandanti, komisari -Rubens Shima.

Shenime:

[1] Alber Kamy ,"Miti i Sizifit", Shtepia Botuese "Fan Noli", Perktheu Petrit Sinani, (Faqja 46).

[2] Alber Kamy ,"Miti i Sizifit", Shtepia Botuese "Fan Noli", Perktheu Petrit Sinani, (Faqja 29).

07 September 2008

Varret e Hapur te Shenjteve te Vrare

Ikonostotasi i bastisur i Skore-se, i burgosur per 14 vjet ne Galerine Kombetare te Arteve , Tirane.

Mbi Rregullat e Lojes

Historikisht Fenomeni i te rrojturit me absurdin ne Shqiperi, gjithnje ka pasur koherencen e vet, inercia e ketij procesi ne ditet e sotme eshte kthyer ne te vetmen alternative. Paaftesia dhe papergjegjshmeria nder qarqet vendim-marrese ne relacion me politikat dhe pasurite kulturore, shpesh here kalojne kufjte e absurdit, duke u shnderruar ne kriminale.

Lajmi

Ne fushaten e rikonstruktimit te ri te Galerise Kombetare te Arteve , mesova nga artikulli i sotem i "Gazetes Shekulli" me titull: "Shenjtorët e Galerisë" per "Revolucionin nga Kolltuku" qe do te shpertheje ne ambientet e ketij institucioni, ne lidhje me rikonstruktimin e tij. Komandant i pergjithshem i Forcave te Armatosura, si edhe Udheheqes ideologjik i ketij Revolucioni eshte drejtori aktual i GKA-se z.Rubens Shima.

Frika

Duhet te jesh i verber te mos kuptosh lidhjet e celikta te familjes Shima me Partine Demokratike, e cila gjendet aktualisht ne pushtet. Duhet te interrnosh trurin per te mos kuptuar se i vetmi soj, i cili mund te pjelle drejtore dhe udheheqes te fushave vizuale mbareshqiptare -per mendesite e partise ne pushtet- eshte ai i Shimajve. Nganjehere ndjej nje lloj frike te me pushtoj te terin dhe mornica te ftohta te me therin neper trup, duke menduar se cdo te ndodhte sikur te mos ekzistonin intelektuale te kalibrit Alush & Sons; kush valle do te mund te drejtonte GKA-ne ?!

Viva La Revolucion

Por t'i leme frikat e mia. Le t'i kthehemi serish "Revolucionit nga Kolltuku". Udheheqesi i tij vendosi Zbritjen nga Kryqi te Ikonostasit te Skore-se, si edhe lirine e tij pa afat, pas kryqezimit, gozhdimit, qesendisjes dhe pergjakjes 14 vjecare te cilat perjetoi ne ambientet e GKA-se. Rubens Shima deklaroi perpara kryesise se "Revolucionit" se: "heqja e Ikonostasit si edhe teresisht e pavijonit mesjetar nga Galeria, behet per faktin se kemi te bejme me nje art kishtar, i cili është krijuar për një tjetër qëllim..." .

Prina Parti

Duhet pohuar me burreri ketu, se ne lidhje me fatin e Ikonostasit te Skore-se (i cili i perket vitit 1830), "Revolucioni" i tanishem nuk eshte as i pari dhe -me c'duket- nuk do te jete as i fundit. I kishte paraprire atij- "Revolucioni nga karrigia". Levizje revolucionaro-kulturore (por jo vetem e tille) e vitit 1994, kohe ne te cilen -ashtu rastesisht- Drejtor i GKA-se ishte Alush Shima dhe -po ashtu rastesisht- Partia ne pushtet ishte ajo Demokratike.

"...Kur drejtor i GKA-së u bë Alush Shima, kërkonte të realizonte diçka të veçantë ..." - na thote restauratori Mustafa Arapi. Nevoja e krijimit te nje Shkolle Shqiptare Arti beri drejtuesit e "Revolucionit te karriges" si edhe shkencetaret dhe historianet e Artit Shqiptar te therrasin tre here "Urra" tek veshtronin tere ngazellim sallen me emer: "The Albanian Iconography Hall".

Dhe megjithe emrat greke te shenjtoreve, mbishkrimet ne ikona (te nje greqishteje te kulluar), si edhe faktit qe filozofia e punes i perkiste Shkolles Bizantine te Kretes, perfaqesuesit (mysliman) me origjine veriore te PD-se sec i shkiten dy-tre pika lotesh tek shihte te depertonin gozhdet e stermedha te trareve ne trupit e lodhur prej viteve te Ikonostasit. "Perjetova nje ndjenje krenarie kombetare, per ato sa ka krijuar populli yne ne shekuj..." - u shpreh ai me vone.


Biografia

Te thuash qe Ikonostasi yne i dashur kishte pare shume pergjate jetes se tij , nuk eshte aspak ekzagjerim. I perkiste qyteterimin pasbizantin grek. Se bashku me ikonat qe e stolisnin ishte padyshim krenaria e kishes se nje prej fshatrave te minoritetit grek qe quhej Skore, dhe pervecse nje objekti kulti, mbarte edhe vlera te jashtezakonshme artistike. Kish degjuar dhe kish ndjere lutjet e besimtareve ortodokse te atyre aneve. Nuk kishin guxuar qe t'a preknin pushtuesit, plackitesit, hajdutet, e okupuesit e panumert qe kishin kaluar aty pergjate shekujve. Kish pare greke, vlleher, e shqiptare. Turq te vjeter, e te rinj. Bullgare, hebrenj e serber. Gjermane e italiane. Pastaj erdhen komunistet. Dhe me vone me renien e komunizmit erdhen ne pushtet edhe te persekutuarit e komunisteve. Komunistet i shqyen shpretken, e terhoqen zvarre nga banesa e tij shekullore. E internuan larg Skore-se ne nje shkretetire qe mbante nje emer te cuditshem: Tirane (nje lloj Meke e tiranise). Dhe si te mos mjaftonin te gjitha keto, Ikonostasi i Skore-se u be deshmitar i dy revolucioneve kulturore te familjes Shima. Mjaftuan vetem 14 vjet per te realizuar ate qe nuk bene dot shekujt: "Perdhunimin dhe percudnimin" e atij monumenti aq unikal kulti dhe arti.

C'te Mbjellesh do te Korresh

“...Gabimisht, atëherë Ikonostasi u montua me gozhdë dhe çmontimi i tij është një operacion tepër i vështirë, pasi heqja e tyre rrezikon dëmtimin e pikturës. Ai konsiderohet një Monument i palëvizshëm ashtu si edhe Kisha. Sa më shumë ta zhvendosësh, aq më shumë dëmtohet..." - shprehet sot Mustafa Arapi.

Shqiptarizma ne Art

Futem ne faqen elekronike zyrtare te GKA-se ne internet: "Galeria Kombetare e Arteve". Lexoj emrin e salles se ikonografise ne te cilen ishte ekspozuar keto vitet e fundit Ikonostasi. "The Albanian Iconography Hall" . Befas me vijne nder mend fjalet e nje prej penave me te mprehta dhe mendimtareve me interesant shqiptar te kohes sone, ato te Fatos Lubonjes. Ne nje interviste me titull : "Religjionet dhe politikat identitare te shqiptaret dje dhe sot" nder te tjera shprehet keshtu:


"...kur ti vendos shqiptariste ne shekullin e XVIII, eshte njelloj sikur te besh nje roman per shek. XIX dhe te vendosesh regjime komuniste, komuniste si keta te sotmit..."

"...ideja e kthimit ne nje te kaluar te lavdishme, te ndritur eshte mitologjike. Eshte ne konstruktim mitologjik..."

"...izolimi gjate komunizmit konstruktoi nje tjeter shqiptar nga shqiptari perpara izolimit. Edhe izolimi (“ne” dhe “tjetri”), konstruktoi nje tjeter shqiptar, qe e mendonte veten ne qender te botes..."
Rezyme

Vendosja e nje monumenti te tille kulti dhe arti ne vitin 1994, prej Shimes (atit), ishte nje gafe konceptive ne linjen sendertuese te GKA-se, pasi nuk mund te ofronte sherbime dhe as perqasje me ambientet e ketij institucioni dhe veprat e ekspozuara ne te. Shume bukur mund te krijohej -diku gjetke- nje muze i artit Mesjetar dhe Bizantin , vepra te te cilit posedon shteti shqiptar, pa ato prapashtesat skandaloze Art Shqiptar dhe Art Kombetar qe vetem sharlatanizem shkencor dhe amatorizem profesional ofrojne.

Shkaqet e kesaj perzgjedhjeje te pamenduar, procedura siperfaqesore dhe kriminale e montimit, si edhe metodat mosekzistuese te restaurimit, cuan fatkeqesisht ne demtimin e ketij objekti -kaq te rendesishem- arti, si edhe te vlerave te padiskutushme qe ai permban.

Le te shpresojme qe do te gjenden njerez ne Tirane, te cilet do shohin tek Ikonostasi i Skore-se dhe Arti Mesjetar  ne pergjithesi, jo vetem vlerat e tyre te kultit, por edhe ato vlera unikale artistike te cilat mbartin, duke mos i perbuzur nga padituria, injoranca, apo dashakeqesia e tyre.

Fatkeqesisht kurre ne Shqiperi, nuk denohen fajtoret dhe klanet politiko-ekonomike pergjegjese, te cilet jane pjellesit kryesor te gjendjes se amullt dhe te ndotur qe kalojne Artet ne vecanti, si edhe Kultura Shqiptare ne pergjithesi; nuk denohen abuzuesit dhe shkaterruesit e ketyre vlerave kaq te medha njerezore te cilat i shpetuan kasaphanes komuniste dhe te cilat posedon ende shteti shqiptar. Dhe kjo gje sec te trishton...