Showing posts with label Realizmi Socialist. Show all posts
Showing posts with label Realizmi Socialist. Show all posts

03 October 2010

Baballarët Trimosha

Hasan Nallbani "Aksionistja" (oil on canvas, 1966, G.K.A. Tiranë)

Ku shkuan vallë femrat me përngjasi burri të artit figurativ shqiptar? Femrat me muskuj peshëngritësi? Me gjoks djaloshar, me këmbë leshtore, e fytyra me mjekërr? Ku humbën duart e tyre të çelikta e grushtat komunist, pushkët e automatikët, lopatat e kazmat, mistritë e drepërit, kovat e kazanët, tullat e llaçi?
Ku shkuan vallë krijuesit e atyre krijesave hermafrodike, përse kanë kaq shumë turp për to?
Përse baballarët e djeshëm të arteve figurative shqiptare, kur prezantojnë krijimtarinë e tyre ndër vite, në libra e albume, në gazeta e revista, në televizione e lidhje interneti, harrojnë të na flasin për shplarjen 45 vjeçare të trurit nëpërmjet artit?  Përse s'na flasin për rolin që ata luajtën përgjatë dekadash të tëra në formimin e moralit të turmës?
Përse i vranë me kaq lehtësi imazhet e ashtëquajtura femërore me të cilat na bombardonin nga mëngjesi në darkë për dekada e dekada të tëra?

Sotir Capo "Prodhuesja e telave elektrik" (oil on canvas, 1969, G.K.A. Tiranë)

Spiro Kristo "Brigadierja" (oil on canvas, 1976, G.K.A. Tiranë)

Bardhyl Dule "Ndërtuesja" (oil on canvas, 1971, G.K.A. Tiranë)

Isuf Sulovari "Mjelsja" (oil on canvas, 1971, G.K.A. Tiranë)

03 September 2010

Udhëheqës të Trashëguar

"National Gallery of Arts", Tirana, Albania" (photo by Toni Milaqi, 2010)

Pushimet verore të këtij viti i kalova në Dhërmiun piktoresk. Do të ishte absurde për mua të udhëtoja në Shqipëri pa mundur të endem qoftë edhe për pak në Tiranë. Loja mes dashurisë dhe urrejtjes për ato që ofron qyteti im i lindjes, gjithnjë më shoqëron sa herë gjendem aty. Dy ditë të tëra në Tiranën e zhurmshme. Dy ditë mes nostalgjisë, dhe pluhurit. Mes kujtimeve, dhe kaosit urban. Mes ndërtesave që të lidhin me fëmijërinë, dhe të tjerave, të reja, tërësisht të huaja për ty. Mes nevojës që ke për vendin tënd të lindjes, dhe brutalitetit që ofron sot çdo frymëmarrje e tij. Mes brishtësisë së emocionit dhe pragmatizmit së realitetit.
Eshtë e pamundur të jem në Tiranë, dhe të mos vizitoj Galerinë Kombëtare të Arteve.

Linja muzeale e Galerisë, e cila ndodhet kryesisht në katet e sipërme, funksiononte rregullisht. E ideuar personalisht dhe e trumpetuar me të madhe ndër media nga drejtori Rubens Shima si një projekt ambicioz i prezantimit të 120-vjet zhvillimeve në artin pamor shqiptar. Në fakt tek shëtisja pavionet e ndryshme, dy ishin konkluzionet më të qarta për mua. Varfëria dhe Korrupsioni.

Varfëria e prurjeve artistike. Sepse janë të pakta referencat e vyera në panoramën e artit shqiptar. Dhe fatkeqësisht këto referenca asnjëherë nuk luajtën rolin e lokomotivës në trenin e brejtur prej shabllonizmit ideologjik dhe strukturor. Gjithnjë periferike dhe të diskriminuara nga konjukturat politiko-ekonomike të kohës ë tyre. Shumë mediokritek krijues. Shumë amatorizëm. Shumë telajo të ngallosura. Të pakta vlerat.

Korrupsioni i menaxhuesve të artit shqiptar. Përmban brenda tij paaftësinë profesionale. Mosnjohjen. Të qënit epidermik. Mungesën e nevojës për studim. Eleminimin e së resë dhe të ndryshmes. Të vrarët e kreativitetit. Krijimin e një oborri, e një rrethi vicioz antivlerash dhe njerëzish, nga ku do të bëhet më e lehtë lufta për dominim politik dhe ekonomik në fushën e arteve vizuale. Por mbi të gjitha është fryt i kalbëzimit identitar të klasës politike që udhëheq.

Puna e ideatorit dhe kuratorit të kësaj linje muzeale, nuk e di pse më përngjason me atë ujin e disa çesmave në Tiranë, i cili pasi ke pirë dy gllënga, të bie si gur në bark. Të fryn. Të rëndon. Por s'të ngop dhe s'të shuan etjen. Kështu për shembull në Sallën e Realizmit Socialist mjaft prej veprave më përfaqësuese të korifejve të asaj periudhe mungonin. Të tjera të papesha zinin vende qëndrore ekspozimi, duke e bërë të pamundur shtjellimin në thellësi të fenomenit të soc-realizmit shqiptar.

Më pëlqyen

* "Femër Nudo"(1961). Punuar nga Sali Shijaku. Ndonëse nga fazat e para të piktorit, piktura në fjalë shquhet për një ndjeshmëri të lartë në trajtimin e subjektit. Gjysëmtonet. Mungesa e linjës. Shkrirja e materies. Butësia. Koloriti i ftohtë tek harliset me tonet rozë që nxjerrin kokat turpshëm. Dominimi, analiza e sensualitetit të kudogjendur femëror, krejt e huaj në artin shqiptar (me përjashtime të vogla, më vijnë ndërmend disa nudo nga Naxhi Bakalli). Erotizmi që rrezaton kjo punë, e bën atë unike brenda llojit të vet përmes atyre që na janë prezantuar dhe atyre që kemi parë nga brezi i piktorëve pjesë e të cilit është edhe Sali Shijaku.
* "Epika e yjeve të Mëngjesit"(1971), Edison Gjergo.
* "Metalurgu"(1971), Edison Gjergo.
* "Mbjellja e Pemëve"(1971), Edi Hila.
* "Vajza në pultin e komandimit"(1971), Llambi Blido.
* "Ndërtuesit e Hidrocentralit" (1971). Vepër nga Ismail Lulani. Një treshe portretesh me një kompozim mjaft solid e mjeshtëror. Modulimi i dinamikave të ngrohta tek fytyrat, konturohet hijshëm me trajtimin më të qetë, i përftuar ky përmes një prizmi disi kubist, të ambientit përreth.
* Përfaqësimi i Gazmend Lekës.

Nuk më pëlqeu

* Përzgjedhja e mjaft prej autorëve, por edhe e mjaft prej veprave të ekspozuara të cilat nuk janë përfaqësuese të autorëve përkatës.
* Mënyra sipërfaqësore e ndërtimit të tërë pavioneve, por veçanërisht e Sallës së "Pikturës dhe Skulpturës Moderniste", për faktin se mundësitë për kërkime, analizë, shtjellim e reflektim ishin tepër të mëdha.
* Konkludimi kuratorial -tejet i dështuar, mjeran, i nxituar, e i cunguar keqazi. Eshtë mëse e dukshme se këndvështrimi i ideatorit/kuratorit"linjës së re muzeale" të G.K.A.-së përmban në vetvete një fashizëm që përkundet përmes paditurisë totale dhe cinizmit më ekstrem, në mënyrën e njohjes dhe evidentimit të vlerave të vërteta të artit shqiptar. Mungojnë mjaft artistë dhe vepra, të cilat duhet të ishin bërë objekt studimi, por edhe hallka esenciale në atë që quajmë arti i krijuar pas shembjes së komunizmit.

Pyetje Retorike

* Dilemë. Orion Shima merr pjesë si vëllai i drejtorit aktual dhe djali i drejtorit të mëparshëm, apo se kuadrati i lyer prej tij ka ndonjë vlerë artistike në vetvete?
* Alush Shima prezantohet në këtë sofër (prive, të sponsorizuar nga Partia Demokratike) si ish- drejtori i dikurshëm i G.K.A.-së, apo si i ati i drejtorit momental?
* Të qënit drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve është një titull i trashëgueshëm familjar, si bie fjala titujt mbretërorë?

Tek hidhja vështrimet e fundit në sallat e Galerisë m'u kujtua shija e fjalëve të ish- drejtorit të G.K.A.-së Genc Mulliqi në artikullin e gazetës Shekulli (17.4.2008) me titull "Pango-Shima, tranzicion-çamçakiz", ndërsa fliste për vartësin e tij të asaj kohe Rubens Shimën :

Nuk mund të jem vartës i një njeriu që e kam propozuar për
shkarkim nga puna për korrupsion",- tha Mulliqi, i cili u vuri në dispozicion
mediave një sërë shkresash, ankesash, raportesh e propozimesh, dërguar ministrit
Pango, apo strukturave të tjera të MTKRS-së, deri dhe kryeministrit Sali
Berisha. Bëhet fjalë për shkeljet që ka gjetur në punën e ish-nëndrejtorit
Shima, për dy edicione të Konkursit Ndërkombëtar "Onufri", për pjesëmarrjen e
Shqipërisë në Bienalen e Venecias, për çështje që lidhen me fatura
financiare."
(Alma Mile)

Duke dalë prej dyerve të jashtme të godinës së Galerisë, ndjeva një afsh të nxehtë veror të më përshkojë të tërin. Eca në këmbë në drejtim të sheshit Skënderbej. Ecja me hapa të ngadaltë duke u përpjekur të kategorizoj mendimet e mia. Deri sa hasa atë. Monumentin e Heroit kombëtar. Heroi i madh legjendar m'u duk i vetmuar. I vogël. I plurosur. I zhuritur prej vapës së gushtit. Ndonëse vazhdonte të krekosej përmbi kalin e tij, kishte diçka absurde që e shoqëronte. Një gropë stërmadhe gjendej andej nga kish kaluar. Nuk kishte më gjelbërim, as lule ngjyraplot. As buzëqeshje fëmijësh. As pëshpërima çiftesh adoleshente të ulur nëpër stola. As blice fotografësh që duan të ndalin kohën. As aroma bredhash. As gurdullima shatërvanësh. Udhëheqësi sypetrit tanimë ishte fillikat. I braktisur. I pazoti të ndikojë dhe të frymëzojë kërkënd. Prapa tij shihje veçse gërmadha. Pirgje dheu, e tokë të thatë.
Pikërisht atëherë mendova se është koha kur udhëheqësit janë tërësisht të paaftë t'i prijnë turmës. Nuk e di pse në atë moment më erdhi ndër mend Berisha, pastaj Topalli, pastaj Pango, pastaj Shimajt, Ati, Biri dhe Vëllai...

Sali Shijaku "Female Nude" (oil on canvas, 1961)

Ismail Lulani "Builders of the Hydropower Plant" (oil on canvas, 1971)

Vilson Kilica "The Brigade Leading Women" (oil on canvas, 1972)

Çlirim Ceka "30 July 1978" (oil on canvas, 1979)

Petro Kokushta "The Assembler" (oil on canvas, 1979)

Orion Shima "Composition" (oil on canvas, 69.5x49.5 cm, 2001)

"The George Castrioti's Monument, Tirana, Albania" (photo by Toni Milaqi, 2010)

06 April 2010

Shumë Zhurmë për Asgjë

Manuel Panselinos (fresco, 1295 or 1313 A.D. , Protaton Church at Karyes, Mt. Athos, Greece)

Gazeta Shekulli botoi dje një artikull nga z. Ardian Klosi me titull: "Një vepër për t'u admiruar" , si edhe pjesë nga studimi i z. Gëzim Qendro me titull: "Surrealizmi Socialist", të cilat më habitën vërtet për mënyrën kaq sipërfaqësore të trajtimit të një prej periudhave më komplekse të historisë së njerëzimit, por edhe të artit në tërësi, siç është ajo e Perandorisë Bizantine; si edhe paralelizmat kaq stonues ndërmjet artit të asaj periudhe dhe atij të soc-realizmit shqiptar.
Ajo që më bën përshtypje, është se sa me lehtësi përçudnojmë këdo dhe gjithçka, mjafton kjo, të na shërbejë në qëllimet tona, paçka pasaktësive që mbart ky veprim i ynë në tërësinë e tij. Gabimi fatal dhe më thelbësori është se barazpeshohet një periudhë mbi njëmijë vjeçare e historisë së njerëzimit (këtu e kam fjalën për atë të artit, pa shqyrtuar historinë në tërësi), me atë komuniste (socrealizmin) të pesëdhjetë vjetëve të fundit. Dhe duke e nisur gabim, gjithë konkluzioni do të jetë i gabuar.
Po të analizojmë historinë e artit bizantin, qysh në format e hershme të tij në periudhën paleokristiane, bizantine, dhe atë pasbizantine, si edhe evolimin konceptual, estetik, artistik, trajtimor të kësaj periudhe, do të arrijmë në konkluzionin se bëhet fjalë për një nga shtyllat vertebrale të historisë së artit. Një fazë që ka ushqyer mjaft personalitete të mëvonshme, arkitektë, piktorë dhe skulptorë, poetë dhe shkrimtarë, muzikantë dhe dramaturgë. Nje djep i qytetërimeve të mëpasme perëndimore.
Do të ishte qesharake, që njerëz të cilët nuk zotërojnë argumentin mbi të cilin flasin, në këtë rast njohjen e thellë të artit kristian bizantin, si G. Qendro apo A. Klosi, të bënin qoftë edhe tentativë për të folur mbi këtë periudhë, dhe si pasojë të kryenin edhe "heqjen e paraleleve". Nuk di që z. Qendro të ketë njohuri, të jetë specialist i studimeve bizantine, apo i artit mesjetar. Sigurisht që duhen vite të tëra studimore dhe shumë jetë njerëzore për të arritur në konkluzione të mirëfillta filozofike/estetike/ artistike mbi rolin, forcën, risitë dhe vlerat e artit bizantin në tërësi ( shek 4- shek 15 e.s.) . Fakteqësisht gjuha e përdorur në artikujt e Gazetës Shekulli, por edhe tërë filozofia e studimit (me aq sa jemi në gjëndje të kuptojmë nga materialet e prura këtu) është tërësisht e njëjtë me atë që përdorte kozmotheoria totalitariste-komuniste dhe më pas ajo metamoderne shqiptare, në lidhje me Bizantin, filozofinë, artet dhe arritjet e atij qytetërimi aq brilant ne historinë tonë njerëzore.
Në kundërshtim me socrealizmin i cili nuk interesohej për shpirtin, por për shprehjen propagandistike dhe ideologjike përmes arteve, arti kishtar ishte një përpjekje e pandërprerë e artistit për t'i dhënë formë vizuale realitetit të tij spiritual, nevojave të tija shpirtërore, fetare dhe ekzistenciale. Arti kishtar ishte mbarsur me etjen për analizë, mbi zotin, shenjtët, jetën e epërme, jetën e mëpërtejme, mbi të mirën dhe të keqen. Ishte një art që buronte nga lidhja e drejtpërdrejtë -ekzistenciale- e krijuesit në një anë dhe e dëshirave, e frikave, e anktheve, e aspiratave të tij njerëzore në anën tjetër. Ekzistojnë vepra brilante në pikturë, mozaikë, arkitekturë, etj, nga një sërë autorësh, të cilat sot janë pasuri e paçmuar e trashëgimisë botërore. Gjë që nuk mund të thuhet për asnjë prurje të real-socializmit në artet vizuale.
Në të kundërtën, socrealizmi nuk ishte rezultante e nevojës për kërkime të asnjë tipi. Ishte një art formal, sepse ishte i mbrujtur nga parimet e tij dogmatiste. Qënësia e tij ekzistenciale konsistonte në shpalosjen sa më të devotshme dhe rigoroze të doktrinës komuniste. Kishte për qëllim të përçonte tek masat mendësitë e Partisë, dhe jo nevojën për hulumtim të qënies, apo të ambientit rrethues. Çdo përçapje për të tejkaluar këto kufij, u shkatërrua qysh në embrion...
Si përfundim, është tjetër gjë të thuhet se arti i realizmit socialist ka akumuluar elementë të ndryshëm konceptual dhe teknik prej pikturës kishtare, dhe tjetër gjë, të vendosim në të njëjtin kandar këto dy drejtime artistike, që nuk kanë asgjë të përbashkët, qoftë përsa i përket produktit të përftuar artistik, nocioneve që i udhëhiqnin, vlerave, rëndësisë, apo jetëgjatësisë kohore në të cilën përkatësisht morën jetë.
Këto artikuj, si dhe ky studim, nëse vërtet këto janë konkluzionet e tij, është një shembull i mënyrës epidermike të këndvështrimit të botës nga të ashtëquajturit intelektualë dhe studiues shqiptarë, dhe është dëshmitar i vakumit konceptual që kalon shoqëria shqiptare sot, në këto kohë tërësisht të zbrazëta qoftë në ide, qoftë në vepra, apo në mënyrën se si shpaloset spektri kritik mbi artet vizuale...

Shaban Hysa "Themelimi i Partisë" (oil on canvas, 1974)

01 December 2009

Emancipimi i Gruas dhe Ndikimet e Huaja

Llambi Blido "Vajza në Pultin e Komandimit" (oil on canvas, 1971)

Kohët e fundit u njoha me veprën "Vajza në Pultin e Komandimit"Llambi Blidos (1971), e cila shfaq kërshëri për analizë dhe vëzhgim. Vepra në fjalë është pronë e Galerisë Kombëtare dhe ekspozohet në të. I përket një prej periudhave më të begata në të cilat kaloi piktura shqiptare e shekullit të njëzet, fillimit të viteve 1970.

Vetë autori i saj në një intervistë për gazetën Shekulli, të datës 15.6.2009, me titull "Socializmi real? Punë me porosi" shprehet:


"Është një tablo tipike e realizmit socialist, një temë e rëndësishme e kohës: "emancipimi i gruas". Kam përdorur shkronja të vendosura në mënyrë ritmike, si element përbërës i tablosë. Në përgjithësi, prirja është grafike. Një tablo ku vepron më shumë gjuha e linjave. Gjuha e ngjyrave është mjaft e kursyer, e sfumuar, e kontrolluar, qëndron afër së bardhës në kontrast me tonet e errëta të germave. Të gjitha këto janë të organizuara brenda një estetike të caktuar. Aty ekziston ajo vija melodike që mund ta quaj duke marrë hua fjalorin e muzikës. Që të jetë e denjë për t'u quajtur vepër arti, ajo duhet të ketë një vijë melodike të qartë..."

Ajo që më bëri menjëherë përshtypje tek kjo punë është thjeshtësia në trajtimin e subjektit, dekorativiteti, sipërfaqet e sheshta, mosekzistenca e volumeve, gama e kursyer e ngjyrave, linja elokuente.

Mësoj se Ll. Blido ka punuar si piktor ilustrues i librave për fëmijë (comics), në revistën Pioneri, por edhe si karikaturist për vite me radhë dhe ky faktor mund të ndriçojë deri diku këndvështrimin e tij në lidhje me këtë vepër, i cili largohet mjaft prej metodës së socrealizmit. Por nga angazhimi si piktor-ilustrues diku, deri në të shprehurit nëpërmjet pikturës së kavaletit me këtë frymë ekziston vërtet një hendek mjaft i madh ndarës.

Menjëherë sa pashë "Vajzën në Pultin e Komandimit"  mendja më shkoi tek piktura e një prej përfaqësuesve më të fuqishëm të pop artit amerikan, tek Roy Lichtenstein. Puna e tij "M-Mabye" e vitit 1965, dëshmon pikërisht këtë lidhje. Bëhet fjalë për dy punë me një diferencë kohore prej gjashtë vjetësh. Është vërtet për t'u habitur. Dy artistë që krijonin paralelisht, në dy anë të ndryshme të globit dhe që kishin arritur -të paktën me këto dy punë të tyret- në të njëjtat konkluzione, në të njëjtin qëndrim estetik, në të njëjtën formë akumulimi të ambientit rrethues, si edhe në një mënyrë mjaft të ngjashme të shprehuri.

Vërej një përafri të madhe perceptimi, por dhe konkludimi vizual. Dekorativiteti, linja, thjeshtësia e trajtimit. Forma se si modulojnë psh: flokët e heroinës, është tërësisht e njëjtë. Stilizimi i buzëve, i hundës, i syve -po i njëjtë. Këndi i vështrimit -përsëri i përbashkët- tejet lozonjar, femëror dhe i orientuar diku anash spektatorit duke bërë keshtu të bardhën e syve të kumbojë. Përdorimi i shkronjave, i fjalës në kuadratin piktorik, për të dy i përbashkët.

Por a ishte vallë e mundur në Shqipërinë tejet të izoluar komuniste, një artist të ishte në dijeni të rrymave më përfaqësuese të artit të atëhershëm perëndimor? Nuk është aspak rastësi që kjo vepër e realizuar nga Llambi Blido, ashtu sikurse "Epika" nga Edison Gjergo, apo "Mbjellja" nga Edi Hila, i përket fillimit të viteve 1970; asaj pranvere rigjallëruese që përjetuan artet shqiptare, si edhe frymës liberale që mbizotëronte në lidhje me informacionin që vinte përtej kufijve, mbi rrymat, lëvizjet, dhe drejtimet artistike të kohës. Nuk ishte aspak çudi që Llambi Blido të ishte njohur me pop artin amerikan, apo edhe me artin e Roy Lichtenstein, nëpërmjet revistave të ndryshme perëndimore. Këtë argument ma përforcon më tepër intervista e tij kur flet për pikturën dhe piktorët e asaj kohe tek gazeta Shekulli dhe thotë:


"Pjesa tjetër (që ishin pak në numër) e hodhën vështrimin
nga përparimi. Me gjuhën e asaj kohe, "u ndikuan nga arti
borgjezo-revizionist". Në të vërtet ashtu ishte, por me ndryshimin që ishte shumë pozitiv, nuk ishte ashtu siç thoshte partia. Këta i dhanë frymëmarrje artit të realizmit socialist."

Duke folur pra për "Vajzën në Pultin e Komandimit"(1971), kemi të bëjmë me një pikturë të influencuar (të orientuar) nga filozofia e pop artit; kemi të bëjmë me një krijim që përpiqet të shkundë nga vetja dogmën ideologjike mbi të cilën merr përsipër të flasë, duke ia arritur më së miri; kemi të bëjmë ndoshta me veprën e parë përfaqësuese të pop artit Shqipëri; kemi të bëjmë me një pikturë dinjitoze, e cila rrezaton thjeshtësi, ëmbëlsi, dinamikë, por dhe modesti krijuese.

Roy Lichtenstein "M-Maybe" (oil and magna on canvas, 1965)

03 October 2009

Në Emër të Popullit

"Monument for the socialism" (Photo by Michel Setboun, Albania, 1981)

"Propaganda Poster, Albania" (Photo by Erik Stewart, 1988)

"Communist Monument, Albania" (Photo by Thomas Aelbrecht, Albania)

"Communist Albania" (Photo by photowala28 / Jane Roselawn, Albania, 2006)

Kohët e fundit, më ngacmon artistikisht ideja e hulumtimit të simboleve vizuale të regjimit nacional-komunist shqiptar. Simbolet komuniste, të cilat i hasje kudo në periudhën e diktaturës, janë të shumta dhe tepër interesante për vëzhgim e analizë. Prej studimit të tyre dalin konkluzione thelbësore, të mënyrës se si ushtrohej filozofia marksiste-leniniste në truallin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Mund të ndahen këto simbole politike/propagandistike në dy kategori të mëdha.

Në të parën dallojmë simbole me karakteristika ndërkombëtare si: "ylli, drapëri dhe çekani, kurorat e kallinjve të grurit, grushti i mbledhur, portretet e katër klasikëve të komunizmit, flaka e revolucionit, libri apo kordelet e kuqe, oxhaqet dhe shtyllat e tensionit të lartë", të cilat importohen kryesisht prej Bashkimit Sovjetik dhe Kinës.

Në grupin e dytë vërejmë simbole me karakteristika nacionale (shqiptare) si: "shqiponja dykrerëshe (që në fakt rrjedh prej periudhës bizantine të trojeve që pas 1912 u identifikuan si Shqipëri, dhe që më tepër se simbol nacional, ështe simbol ikumenik), flamuri kombëtar, harta e shtetit, logo e PPSH, portreti i Enver Hoxhës, figura e ushtarit, pushka dhe kazma".

Këto dy të fundit janë kokë e këmbë pjella të mendësisë shqiptare, dhe leximi i tyre në aspektin filozofik/pamor/psikologjik, na qartëson atë që ndodhi në Shqipëri për dyzetepesë vjet me radhë.
Kazma dhe pushka, simboli i shkatërrimit dhe i militarizimit. Vallë a nuk ndodhi kjo gjë në Shqipërinë komuniste? Nuk u shkatërruan, ato mijëra objekte kulti/kulturore/historike, ato afreske e ikona, ato biblioteka e ajo literaturë që gjendej në kishat dhe manastiret e panumërta, dhe bashkë me to, ato vlera kolosale të artit bizantin e pasbizantin që patën fatkeqësinë të jenë krijuar në truallin e njësisë gjeografike, e cila më 1946 do të shpallej/thirrej si Republika Popullore e Shqipërisë? Nëse kazma ishte simboli i shkatërrimit, dhe pushka i militarizimit të gjithë jetës së vendit, simbioza e çmendurisë ushtarake, e bunkerizimit dhe e afsheve luftarake, përse nuk hasim në masë një simbol ndërtues?! Ka momente që në parrullat propagandistike shohim tek-tuk edhe mistrinë (vegël e ndërtuesit), por nuk mund të thuhet se është imazh primar, i të njëjtës peshë, dhe i të njëjtit potencial përfaqësues, si ai i pushkës dhe i kazmës.

Këto simbole emblematike të totalitarizmit nacional-komunist shqiptar, gjendeshin kudo. Edhe rrugëve të qyteteve, edhe në uzina e fabrika, edhe në dyqane e lokale, edhe në shkolla e kampe pushimi, edhe në salla mbledhjesh e zyra të gjithfarë tipi, madje jo në pak raste edhe në ambientet intime e shtëpitë e vetë njerëzve.
"Edhe Zoti ka nevojë për reklamë, prandaj bien këmbanat." - thotë diku Nikos Kazanxaqis. Sistemi komunist kishte nevojë të përçonte doktrinën e kuqe në masën e gjerë, dhe rrënjosja e principeve të kësaj doktrine, kushtëzonte ndër të tjera edhe ekzistencën e kudogjendur të simboleve të tija vizuale.

Në fakt, brezi im (i viteve '70) ishte brezi i fundit i plejadës famëkeqe të Njeriut te Ri Shqipëri. Fryt i atij eksperimenti historik, që u orvat, dhe deri diku ia arriti, të shpërbëjë në mënyrë gati totale trashëgiminë dhe dijen e deriatëhershme në leximin e historisë, të gjithçkaje që lidhej me të shkuarën e trevave dhe të banorëve të shtetit ende të ri shqiptar.

Si fëmijë (ashtu si mjaft të tjerë), nuk mund ta kuptoja botën përtej slloganeve, shablloneve, por edhe simboleve komuniste. Ishin pjesë e jetës sime, dhe deri diku identifikohesha me to. Madje më kujtohet se dikur kam dalë një fotografi me kapele partizane, me yll të kuq në ballë, duke shtrënguar një pushkë druri në dorë. Po kështu, skuadra ime e dashur Partizani kishte për simbol yllin me topin e futbollit në qendër. Nuk i shoh pra, me përbuzje tanimë ato simbole. Përkundrazi më zgjojnë ndjenja nostalgjie për naivitetin dhe dlirësinë e viteve fëminore.

Por përpos nostalgjisë të një bote të parë me sytë e fëmijës, a ka vallë vend për interpretim, zhbirim meditativ dhe analizë, si edhe për një përqasje sa më të afërt të simbolikës vizuale nacional-komuniste shqiptare? Dhe përse do të na duhet të bëjmë diçka të tillë sot?
Sigurisht, që kjo përqasje ndaj sistemeve diktatoriale, krijon të njëjtën analogji konceptive, me veprimin e një shkencëtari që i afrohet gjithë kureshtje kraterit të një vullkani të shuar, me shpresën se duke e studiuar, do të mësojë më tepër për të, dhe se kjo njohje do t'i vlejë në një farë mënyre në të ardhmen. Pasi vullkani është aty, duke dihatur në thellësi të tokës; nuk u zhduk, thjesht po fle. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për sistemet diktatoriale. Është detyra jonë, jo t'i mohojmë dhe të harrojmë, por t'i njohim esencialisht, sepse vetëm duke bërë diçka të tillë, do të mund të krijojmë imunitete ndaj këtyre sëmundjeve kanceroze të historisë sonë njerëzore.

Nga ana tjetër është sot komoditet, të mund të luash artistikisht me emblema, situata, e nocione të caktuara, që vetëm tre dekada më parë artistët e kishin krejtësisht të pamundur t'u afroheshin, dhe që nëse do të tentonin të bënin diçka të tillë, mund t'a paguanin edhe me jetën e tyre.

Eshtë komoditet të marrësh ato simbole, dhe t'i shpërbësh në formë, duke i rikrijuar, duke i bërë të thyeshme, e duke u vrarë autoritetin totalitar. Eshtë grishëse ti zhveshësh ato imazhe pamore nga era e gjakut, nga cinizmi më i paskrupullt social/politik, dhe nga mjerimi aq i thellë intelektual, dhe t'u japësh një jetë të re. Eshtë e natyrshme të duash të thyesh çelikun e kallupeve sociale, që u përpoqën të ndrydhin gjithësinë tënde njerëzore, dhe me copat e thyera të ndërtosh një urë të shëndoshë, që të lidhë të shkuarën me të ardhmen, dhe që të bëjë sa më pak të dhimbshme peshën e së tashmes...

Toni Milaqi "Communist Albania" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Lapidar" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Communist Era Monument" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Thinking about Communist Era in Albania" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Sexy Star" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Hammer and Sickle" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Bunker" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2009)

Toni Milaqi "From Albania with Love" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2009)

Toni Milaqi "Slogans -Communist Albania" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2009)

16 September 2009

Do të marr Çiften, do të dal për Gjah

The Textile Combine "Stalin", Tirana, Albania. (Photo by A. Milaqi, 2009)

Dashuria e parë

Zona e ish Kombinatit të Tekstileve "Stalin"Tiranë, apo siç e thërrisnim shkurt: e "Kombinatit", është një hapësirë gjeografike/urbane me të cilën më lidhin ndjesi të veçanta. Eshtë vendi ku linda, ku kalova pesë vitet e para të jetës sime, ku provova ndijimet e para, ku u dashurova për herë të parë (në kopësht, me një vajzë mjaft të bukur pesëvjeçare, të cilën e quanin Erisa, me flokë të praruar që përfundonin me dy bishtaleca të hijshme). Eshtë vendi ku provova zhgënjimin e parë, pikërisht në momentin kur familja ime u zhvendos nga Kombinati, për në qëndër të Tiranës (1979), dhe ku do të më duhej të ndahesha njëherë e përgjithnjë nga mikja ime e kopshtit, për të mos e parë më kurrë. Pikërisht nga ajo ndjesi humbjeje, këmbëngula që motra ime e sapolindur të quhej Erisa, duke nderuar kështu miken vogëlushe.

Xhaxhallarët

Kombinati i tekstileve është një vend me simbolika të mëdha për mua. Familja e tim ati, më 1950, u shpërngul nga Derviciani (Dropull), për të banuar, për të punuar, dhe për ti dhëne jetë kombinatit të sapohapur atëherë. Njerëzit e mi (xhaxhallarët, nuset e tyre, hallat, kushërinjtë) bëjnë pjesë në atë kategori prej mijëra vetësh që kaluan vitet më të bukura të jetës së tyre në kombinat, që i dhanë frymëmarrje asaj vepre industriale, aq të rëndësishme për ekonominë e shtetit shqiptar, por edhe që e paguan me jetën e tyre atë përzgjedhje. Shumë syresh vdiqën diku rreth të gjashtëdhjetave, me mushkëri të bllokuara nga azma, sëmundje-rutinë, të cilën e hasje në masë në repartet e tezgjahut, të filaturës.
Kishin ëndrra xhaxhallarët e mi, diku aty në fillimin e viteve '50, se do të ndërtonin një botë të re, të drejtë, pa të shtypur dhe shfrytëzues. Vite më pas, kur u zgjuan prej opiumit propagandistik e delirive utopiste, dhe panë në pasqyrë vetveten, kuptuan se ishin tërësisht të lakuriqtë, të tradhëtuar, të shfytyruar, të vjedhur, të vrarë pas krahësh. U kishin shpartalluar ëndrrat, u kishin marrë jetën. Ishte mjaft vonë për të ndryshuar gjërat...

Monumenti

Shtatorja e Stalinit, e vendosur aty nga fundi i viteve 1950, ishte një monument tepër imponues, që i jepte ngjyrë sheshit përpara kombinatit, që përmbushte gjithë ato nevoja ideologjike/propagandistike të sistemit komunist shqiptar, por që dashje pa dashje përkonte edhe me simbolikën e idealeve më të pastra të atyre qindra mijëra njerëzve, të cilët besuan në utopinë e ndërtimit të një Jete të Re.

Vepër e skulptorit Odhise Paskali, e vendosur në qëndër të sheshit, duke treguar me dorë Lindjen (e diellit, e Botës së Re, kahjen gjeo-politike të Shqipërisë, Bashkimin Sovjetik), shtatorja ishte padyshim një orvatje mjaft e rafinuar e skulpturës monumentale shqiptare. Përmblidhte brenda saj mjaft karakteristika propagandistike-morale-politike, të cilat me çdo mënyrë dhe me çdo kusht duhet të nguliteshin në subkoshiencën e gjithkujt që e vështronte. Vendi ku ishte vendosur, ishte një zgjidhje perfekte. Ishte i pari imazh që shihte punëtori kur futej në kombinat, dhe i fundit kur dilte prej tij. Shtatorja lahej nga drita e mëngjesit në mënyrë ballore. Dora i drejtohej butësisht lindjes, diellit. Kapota (pallto) ushtarake, të ndërgjegjësonte për skizofreninë militariste të atij sistemi. Trupi i krekosur tregonte forcë. Ndërsa tiparet prej njeriu të fismë, njerëzor, por dhe të vendosur, janë mjaft të dallueshme, duke e bërë më të afërt /intime figurën e udhëheqësit sovjetik dhe të kauzës komuniste në tërësi.

Fotografia

Pak muaj më parë im atë vizitoi Tiranën, duke sjellë me vete ndër fotografi të ndryshme, edhe foton e mësipërme të Kombinatit. Kam vite që nuk kam kaluar aty; kam përshtypjen se nuk e kam parë kurrë atë shesh pa praninë e monumentit të Stalinit. Diku në fillim të viteve 1990 së bashku me rënien e regjimit totalitar nacional-komunist, u hoq edhe statuja prej piedestalit hijerëndë. Monumenti i dikurshëm, vepër e personalitetit më të fuqishëm të skulpturës shqiptare, e O. Paskalit, u flak si një vjeturinë, siç dëshmojnë edhe materialet filmike të M. Setboun.

Duke vëzhguar foton e tim ati (2009), ajo që bie menjëherë në sy është melankolia e thellë e asaj hapësire urbane. Vëren se sheshi është tkurrur, duke humbur kështu imazhin e dikurshëm të përmasave gjigande. Edhe funksioni i tij tashmë ka ndryshuar. Zemra e dikurshme tërë gjallëri e Kombinatit, sot nuk është e vështirë të kuptosh se është kthyer në një park parkimi maunesh dhe furgonësh. Piedestali i boshatisur, i shprishur, i ndotur prej posterave propagandistike/publiçistike të pinjollëve të rinj të klasës së vjetër politike shqiptare, ulëret për mëshirë.

Politikanët

Ishin këta politikanë, të njëjtët njerëz, që në regjimin e kaluar brohorisnin deri në ekstazë për fitoret socialiste, përposhtë madhështisë monumentale të shtatores. Ishin po ata që ndërruan kostumet e tyre, duke u vënë në krye të revoltave popullore të fillim viteve '90, dhe që i manipuluan në mënyrën më të paskrupullt ato. Ishin të njëjtën pushtetarë, apo pinjollët e tyre, që hodhën poshtë mjetet e vjetra ideologjike për kontrollin e turmës, dhe që valëvitën qiejve të Shqipërisë flamujtë e armiqve imagjinarë të deriatëhershëm. Qëllimi ishte i thjeshtë: të qënurit me çdo kusht në pushtet. Janë të njëjtët politikanë që sot ashtu si dhe dje, të marrin gjak në vetull po fole në mënyrë kritike mbi elementin mitologjik në artin nacional-romantik të Odhise Paskalit, për bustet e Gjergj Kastriotit, e Naimit, e Idriz Seferit, për shtatoren e Çerçizit apo të Flamurtarit. Janë po ata që përdhosën mizërisht monumentin e Stalinit, dhe në këtë mënyrë shkelën edhe nderin e krijuesit të tij. Sa pafytyrësi dëshmon kjo botë!

Kacavjerrja

Në vitin 2005 Enisa Cenaliaj do të hipte mbi piedestalin ku dikur ndodhej shtatorja, në shoqërinë e parrullës: "Mirësevini të dashur punëtorë". Nuk e di ç'lidhje mund të ketë me artet vizuale kjo kacavjerrje mbi bazamentin e monumentit të dikurshëm, por di që ky veprim është tregues i qartë i vakumit vizual/konceptiv që kalojnë artet pamore në Shqipërinë e këtyre njëzet viteve të fundit. Shumë bukur kjo performancë mund të inkuadrohej tek emisionet e "Portokallisë" apo tek gjithfarë emisionesh humoristike që gëlojnë në kanalet televizive shqiptare, por aspak nuk mund të konsiderohet si një akt që mund të thotë diçka në kontekst vizual.

Rezyme

Koha tregon se në kundërshti me mjaft popuj të tjerë, shqiptarët e kanë tërësisht të vështirë të mund të rrojnë me të shkuarën. E kanë tërësisht të pamundur të bashkekzistojnë me gjurmët historike të lëna prej saj. Heqja e monumentit të Stalinit nga sheshi qëndror i Kombinatit tregon edhe një herë papjekurinë politike të neo-shqiptarëve.

Koloseumi romak ishte vendi ku vdiqën në mënyrën më shtazore mijëra njerëz, për të kënaqur etjen e turmës dhe të klasës së atëhershme pushtetare për gjak. Megjithatë, askush nuk u orvat ta shkatërrojë. Sepse përpos mizërive dhe kanibalizmit njerëzor, shohim tek ai amfiteatër edhe vlerat e tij estetike, arkitekturore, inxhinjerike. Sepse prezenca e tij na bën më të pjekur tek mendojmë për katrahurën dhe degradimin total të shoqërisë njerëzore në faza të caktuara të historisë. Sepse ajo kryevepër e botës antike është ujitur me gjakun e mijëra gladiatorëve; sepse ai amfiteatër, nga një thertore, tanimë është kthyer në një pishtar human, që i bën thirrje reflekseve tona kundër skllavërisë së çdo tipi.

Pse të mos ndodhte kështu edhe me monumentin e Stalinit?! Të ishte aty, për të na kujtuar ëndrrat e thyera të xhaxhallarëve të tradhëtuar, për një botë më të mirë dhe më të drejtë. Të ishte aty, për të na treguar dërrasën e kalbur, nga ku nuk duhet të shkelim. Të ishte aty, për të na folur mbi tmerret e totalitarizmit, por edhe si një tregues i një realiteti pesëdhjetë vjeçar i cili nuk mund të mohohet.

Dhe në fund të fundit, nëse do të më duhej të përzgjidhja, do të preferoja pa as më të voglin ngurim veprën e Odhise Paskalit, se sa humorin e hollë të një vajze të lyer me miell, që kacavirret fodulle mbi një pirg betoni.

Stalin's Monument (by Odhise Paskali, 1957). The Textile Combine "Stalin", Tirana, Albania. (Anonymous, photography, 1974)

Stalin statue, hidden in a factory. (Photo by Michel Setboun)

Enisa Cenaliaj "Mirësevini të dashur punëtorë" (2005, Burimi i fotos: T.I.C.A.)

06 July 2009

Mbi Shkopin Baritor

Edison Gjergo "Metalurgu" (oil on canvas, 1971, National Gallery of Arts, Albania)

Një surprizë e kohëve të fundit ishte zbulimi i veprës së periudhës së realizmit socialist shqiptar: "Metalurgu" nga Edison Gjergo, e cila mendoj se ka tepër interes për studim dhe analizë.

Egyptian Art: "The God Osiris, from the Tomb of Nefertari" (al fresco, 1991 - 1786 BC)

Në radhe të parë dua të theksoj se arti i Edisonit ndonëse për nga tematika lëvron të njëjtat subjekte me ato që kërkonte dogma e soc-realizmit shqiptar, në mjaft aspekte të tij (konceptive, filozofike, stilistike, teknike, kompozicionale, koloristike, etj...) autonomizohet nga kjo rrymë, duke krijuar referenca/relacione komunikuese me disa nga lëvizjet më përfaqësuese vizuale të shekullit të njëzetë në pikturë, por dhe të historisë së artit në tërësi.

Egyptian Art: "The God Khepri, from the Tomb of Nefertari" (1991 - 1786 BC)

Tek "Metalurgu" simbolika është e thjeshtë: evokimi i punëtorit, kulti i tij; duke qënë se kombinati metalurgjik "Çeliku i Partise" Elbasan ishte një nga veprat më të rëndësishme industriale, e interesave dhe prioriteteve jetike për sistemin komunist shqiptar, përbënte domosdoshmëri trajtimi i tij dhe i simbolikës që ai përcillte, edhe në fushën e arteve figurative. Duke folur për figurën e "Metalurgut", në mënyrë të drejtpërdrejtë propagandizohej për arritjet e sistemit komunist, për vitalitetin e Njeriut të Ri, për vetmohimin, sakrificat që priteshin prej tij dhe papërkulshmërinë ndaj vështirësive (shih: bllokadën imperialisto-revizioniste). Një nga slloganet më të lakuara nga diktatura e kuqe në Shqipëri ishte edhe "Uniteti i çeliktë Parti-Popull". Kush më mirë se nocioni/imazhi i metalurgut, i atij që zaptonte dhe i jepte formë çelikut, do të mund të ilustronte këtë argument?

Greek Art: Anonymous "Relief of Pensive Athena" (parian marble, 460 BC, Acropolis Museum)

Kjo temë nuk ishte dicka e re në artet figurative shqiptare. Eshtë një nga subjektet më klishe dhe më të trajtuara prej artistëve të kohës. Në pikturë disponojmë ndër të tjera veprën me të njëjtin titull nga Ramadan Karanxha, kurse në skulpturë më përfaqësues është monumenti i "Metalurgut" nga Kristaq Rama. Në të gjitha veprat e këtij tipi, metalurgu trajtohet duke mbajtur në dorë veglën (shufrën e hekurt) me të cilën përzien metalet në furrë. Dashje pa dashje kjo vegël e paraqitur në art, aludon drejtpërdrejt me nocionin e skeptrit, simbolit të pushtetit që haset kaq shpesh përgjate historisë së arteve.

Pallas Giustiniani "The Athena Giustiniani"- a Roman copy of a Greek Statue of Pallas Athena with her serpent, Erichthonius (marble, Vatican)

Qysh në kohët e hershme skeptri -që rrjedh nga fjala greke skiptro (σκήπτρο)- është një nga simbolet më të qarta të pushtetit. Rrënjët e këtij simboli vijnë që prej lashtësisë së hershme, dhe jo rastësisht edhe në Egjipt, edhe në Greqinë antike, edhe në Romë, edhe në perandorinë bizantine, ky nocion lidhet me traditat baritore. Në të gjitha këto fe perënditë shihen si barinjtë që komandojnë/udhëheqin turmën e dhenve, por edhe qentë. Skeptri që shoqëron çdo shfaqje të tyre publike, rrjedhimisht vjen si pasardhës legjitim i shkopit të çobanit (organ i pushtetit në mbarëvajtjen e rregullit, por edhe shprehje e dhunës, forcës dhe brutalitetit pushtetar).

Saint Peter (encaustic, 93 x 53 cm, early 7th century AD , Sinai)

Në mjaft raste limitet ndërmjet shkopit të çobanit dhe skeptrit janë kaq të shkrira mes tyre dhe kaq të sfumuara, sa është tërësisht e vështirë të mund t'i dallosh nga njëri-tjetri. Kështu p.sh. na duken po aq autoritarë edhe skeptri mistik i perëndisë egjiptiane Osiris, edhe skeptri vezullues i Zeusit, edhe shkopi baritor i Jezu Krishtit.

Anonymous "The Archangel Michael" (icon on wood, 14 AD)

Duke iu kthyer veprës së Edisonit ajo që ka një interes të veçantë është këndvështrimi/perceptimi tejet personal, që e bën artin e tij unik dhe të papërsëritshëm. Tek "Metalurgu" i Ramadan Karanxhës, heroi kryesor që mban shufrën e hekurit në dorë, është pjesë e një të tëre, ku në sfond dallojmë furrnaltën si pikën më të ndriçuar të veprës, po ashtu dallojmë dy metalurgë të tjerë tek përleshen me "llaven" e kuqe. Pra vëmë re tre punëtorë-metalurgë përgjatë proçesit të punës.

Domenikos Theotokopoulos (El Greco) "St. Joseph and the Christ Child" (oil on canvas, 109 x 56 cm, 1597-99, Toledo)

Tek vepra e Gjergos nuk ka asgjë të tillë. Piktura e tij nuk tregon motive nga puna, as furrën e shkrirjes së metaleve, as Njeriu i Ri i Partisë nuk duket kurkund, as krenaria për racën apo për kombin, as lumturia socialiste, as besnikëria politike nuk bëhet e qartë. Edisoni fokuson njeriun/individin, e vë atë në mikroskopin artistik. Metalurgu i tij nuk ka pompozitetin dhe shtirjen e heroit të Karanxhës, as devotshmërinë politike dhe shabllonizmin stilistik që hasim tek Kristaq Rama.

Domenikos Theotokopoulos (El Greco) "Disrobing of Christ (Espolio)" (oil on canvas, 285 x 173 cm, 1597-99, Toledo)

Vështrimi është i thellë, i ngrohtë, i shqetësuar. Ke ndjesinë se figura e tij njerëzore, humbet gravitetin, bëhet më e ajërt. Shufra e hekurt ulëret përmes një bluje tronditëse, që s'të kujton asgjë me rrënjë tokësore, duke u bërë e lehtë si pupël. Vegla e rëndomtë shndërrohet në një skeptër magjik, dhe njeriu në zot. E kuqja e plotë e cohës së veshjes se di pse më kujton sa herë që e shoh të kuqen e Krishtit El Greco-s tek "Disrobing of Christ (Espolio)".

Rembrandt Harmenszoon van Rijn "Self Portrait" (oil on canvas, 133.7 cm x 103.8 cm, 1658)

Vezullimet abstrakte të sfondit, tonacionet e ftohta jeshile/ blu që i lënë vendin butësisht toneve të ngrohta, si edhe kafshimet/lëpirjet e trupit prej dritës, të qartësojnë mendimin se pikërisht në atë moment po bëhesh dëshmitar i një të vërtete të madhe; pikërisht atëherë ndoshta për herë të parë (dhe të vetme) në periudhën e regjimit nacional-komunist, njeriu shqiptar është krejt i lakuriqtë, pa mburojat propagandistike/dogmatike dhe tërësisht i zhveshur prej kanoneve ideologjike.

Jean-Auguste-Dominique Ingres "Napoleon on his Imperial Throne"(oil on canvas, 259 x 162 cm, 1806)

Kemi përpara një "perëndi" të lodhur, të shfronësuar, të kredhur në mendime, që më tepër i përafron autoportretit me skeptër (të vitit 1658) Rembrandt-it, se sa me Napoleon-in e Ingres. Heroi i Gjergos ka njohje të limiteve të tija njerëzore, mbart me vete fatalitetin e ekzistencës, dhe jo mendjemadhësinë e atyre që sytë ua err pushteti. "Perëndia" e tij është tokësore, e prekshme, e plagosur, por jo e vrarë. "Metalurgu" i E. Gjergos është një analizë në thellësi të piramidës së vlerave të sistemit politik dhe të shoqërisë njerëzore në të cilën rrojti. Eshtë aktinografia më e vlertë e shkallës së shenjtërisë së atij sistemi politik.

Kristaq Rama "Metalurgu" (bronze)

29 June 2009

Lloqe Kavaje

Guri Madhi "Moscow conference 1960" (265x210 cm, oil on canvas, 1974)

Kohët e fundit më tërhoqi vëmendjen emisioni "Zonë e ndaluar" i gazetarit Andi Bushati (1.6.2009) në TV Klan, në të cilin u shfaq dokumentari "Imazhet e Pambledhura të Moskës", dhe ku i ftuar ishte arkitekti & piktori Maks Velo. E veçanta e këtij emisioni ishte se u përpoq të hedhë dritë mbi historinë e një prej pikturave më emblematike të soc-realizmit shqiptar: "Mbledhja e 81 Partive në Moskë, 1960" (Guri Madhi), duke na bërë dëshmitarë të asaj se si funksiononte kjo doktrinë ideologjike përmes gjuhës së saj vizuale në ambientin shqiptar.

Historia

* Vepra "Mbledhja e 81 Partive në Moskë, 1960" ishte një porosi e Komitetit Qëndror të Partisë në shtatorin e vitit 1973, me rastin e tridhjetë vjetorit të çlirimit të Shqipërisë dhe njëkohësisht të përurimit të godinës së re të Galerisë Kombëtare të Arteve, në ambientet ku ndodhet aktualisht.

* Vinte menjëherë mbas Pleniumit të katërt, i cili goditi rëndë çdo tendencë/prirje/ndikim "modernist/borgjezo-revizionist" në kulturë dhe arte.

* Porosia e kësaj pikture ishte në vazhdën e një fushate të ndërmarë nga organet e Partisë për trajtimin/pasqyrimin e "temave të mëdha" përmes artit, ose e thënë ndryshe si shprehja më elokuente e rolit/funksionit propagandistik që duhet të luanin artet dhe artistët sipas mendësive të klasës në pushtet.

* Figura e Enver Hoxhës mund të trajtohej në pikturë vetëm nga një numër tepër i vogël piktorësh, të cilët në të shkuarën kishin dhënë prova "devotshmërie politike" dhe "aftësish artistike" (shih: skrupulozitet akademik ndaj dogmës së soc-realizmit). Ndonëse në mjaft vepra të Guri Madhit vëmë re një formë më të çliruar materializimi teknik, përmes një penelate të gjerë dhe ekspresive, mund të thuhet se si artist i përmbushte në mënyrë rigoroze kriteret e mësipërme.

* Vepra e përfunduar prej G. Madhit u paraqit në ekspozitën e nëntorit 1974. Komisioni mbikqyrës i kësaj ekspozite i përbërë prej anëtarësh të Komitetit Qëndror dhe "artistësh" e cilësoi si të pambaruar, me probleme të theksuara kryesisht në modulimin e figurës së E. Hoxhës, e cila ishte trajtuar përmes perceptimit disi ekspresiv/jo fotografik të Madhit.

* I sugjerohet artistit ta rishikoj/ripikturoj veprën, gjë që nuk u pranua prej tij. Vendoset që figura e Enver Hoxhës të ripunohet prej piktorit Zef Shoshi, i cili konsiderohej si një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të soc-realizmit shqiptar, dhe nga të paktët artistë që mund të trajtonin figurën e udhëheqësit. Portreti i këtij të fundit disi fotografik/natyralist -që ne shohim sot- është produkt i retushimit të Zef Shoshit, duke dalluar qartë nga teknika e G. Madhit, dhe trajtimet e personazheve të tjerë të veprës.

Guri Madhi "Moscow conference 1960" -after repainted (265x210 cm, oil on canvas, 1978)

* 1978- Prishja me Kinën. I kërkohet G. Madhit të zhduket nga tablloja delegacioni kinez. Ndërhyrja kryhet. Figurat e kinezëve mbulohen me bojë.

*1981- Mehmet Shehu vret veten. Në pikturën në fjalë ai ndodhet përbri figurës së E. Hoxhës. Kërkohet sërisht prej autorit të ndërhyjë në vepër për të asgjesuar prej saj figurën e armikut M. Shehu. Guri Madhi shprehet se një veprim i tillë do të shkatërronte anën e saj kompozicionale, dhe se piktura s'do te vlente më. Që nga ajo kohë vepra u hoq nga qarkullimi, për t'u futur në fondin e zi të G.K.A.-së.

Piktura

"Mbledhja e 81 Partive" nuk solli ndonjë surprizë në artin shqiptar. Bëhet fjalë për një vepër skematike, demagogjike (e cila himnizon stereotipin e "vitalitetit shqiptar", përkundrejt karikaturizimit të të "huajve barbarë"), pompoze në shprehje, tepër e kursyer në ngjyrë (në kundërshti me mjaft vepra të tjera të autorit), me një monotoni konceptive në modulimin e personazheve.

Konteksti

Në fakt që të kuptojmë më mirë kushtet historike në të cilat u krijua piktura, duhet nënvizuar edhe koha e krijimit të saj. Nënkuptoj faktin se kjo vepër erdhi menjëherë pas Pleniumit të katërt, në vitin 1974, kohë në të cilën iu dha një goditje mjaft e rëndë prirjeve moderniste kryesisht në arte. Të shumta ishin gjyqet parodi, burgimet, internimet, pushkatimet, dënimet, arbitrariteti cinik i nomeklaturës komuniste ndaj intelektualëve dhe artistëve të kohës.
Në këtë aspekt nuk mund të pretendohet për cilësi dhe vlera të mirëfillta prej artit zyrtar të asaj kohe.

Bijtë e mosdijes

E solla këtu këtë histori për të bërë më të dukshme rolin unikal që mund të luajnë artet, apo veprat e artit në leximin e së shkuarës, në deshifrimin e saj. Akoma edhe në rastin e pikturave në fjalë, që nuk shquhen për pasuritë apo risitë e tyre artistike, mund të marrim një informacion bindës të mënyrës se si sendërtohej dhe se ç'rol luante arti në Shqipërinë komuniste. Duke folur mbi këtë subjek Maks Velo thotë: "Këtu kemi të materializuar, të fokusuar, të koncetruar tërë çmendurinë shqiptare." .

Rrugëtimi në jetë i kësaj pikture të G. Madhit është shprehja më e qartë mbi mënyrën se si perceptohej e shtjellohej në Shqipërinë totalitare historia (si shkencë), dhe evenimentet e ndryshme historike në veçanti. Eshtë treguesi më perfekt i retushimeve/fallcifikimeve të pafundme historike me të cilat u brumosën breza e breza të tëra të rinj shqiptarë. Një shembull ideal jo i çmendurisë shqiptare siç thotë M. Velo, por i obskurantizmit kriminal që mbolli dhe mbarështoi ai sistem aq i egër diktatorial në shoqërinë shqiptare për pesëdhjetë vjetë me radhë.

Forma e përqasjes/interpretimit historik (në varësi të kohës) të versionit zyrtar shqiptar mbi mbledhjen e Moskës, na bën të kuptojmë qartë vlerën dhe seriozitetin e konkluzioneve shkencore në trajtimin e etapave të ndryshme historike, duke u nisur nga Pellazgët, Ilirët, Bizanti, Lufta e dytë Botërore, apo konkludimet mbi Epirin, artin kristian/bizantin dhe pasbizantin në trojet e Shqipërisë së sotme, për të cilat kaq herë është folur edhe në këtë blog.

Duke ditur historinë e pikturës "Mbledhja e 81 Partive në Moskë, 1960"Guri Madhit, jemi në gjendje të kuptojmë rolin prioritar dhe funksionin utilitar të artit të realizmit socialist në mbarëvajtjen e ekuilibreve sociale brenda burgut të pamëshirshëm nacional/komunist shqiptar.

Zef Shoshi "Moscow conference 1960" (oil on canvas, 1980)

p.s. Dua të shtoj se të njëjtën temë e trajtoi më vonë edhe Zef Shoshi, në një aludim tepër formalist/të vakët artistik, më të sigurtë politikisht, duke fshirë nga skena historike prezencën kineze, dhe duke lartësuar edhe më kompozicionalisht figurën pompoze të E. Hoxhës.

18 June 2009

Mbi Vlerat

Edison Gjergo's Art at National Gallery of Arts, Albania (photography by Gëzim Panariti, 2009)

Ishte kënaqësi sot e-mail-i që mora prej mikut tim Gëzim Panariti (menaxher arti dhe kordinator i mjaft aktiviteteve në GKA). Duke shkelur disi (me dashje) privatësinë, desha ta publikoj atë, i shtyrë nga nevoja që kemi për të dëgjuar zëra dhe mendime të tilla. Më shkruan Gëzimi:

Toni përshëndetje dhe shpresoj të jesh mirë.

Po të shkruaj pasi një ditë po mendoja për Edison Gjergon, dhe ndërkohë pashë edhe shkrimet e tua në internet për të. Më erdhi shumë mirë që nuk jam vetëm unë që mendoj se është një artist i madh.

Para shumë vitesh kam nxjerrë në linjë "Metalurgun" dhe më vinte mirë kur vizitorëve i bënte përshtypje të thellë, kjo statujë e lirisë shqiptare. Po të dërgoj fotot e punëve të ekspozuara në GKA dhe ndoshta i bashkojmë forcat një ditë për të ekspozuar dhe folur më shumë për veprën e tij. Galeria e Beratit është e gatshme ti vërë emrin Edison Gjergo Galerisë së Arteve (për momentin Edward Lear...). Duke të uruar çdo të mirë!

Gëzim Panariti


Edison Gjergo "The Young Girl" (1972, National Gallery of Arts, Albania)

Mendimet e mia për artin e Gjergos i kam shprehur mjaft herë edhe në këtë blog. Ajo që më befason është çdo gjurmë e re, e panjohur për mua që has kohë pas kohësh prej gjithësisë së tij artistike. Me portretin e mësipërm të vajzës së re me shami në kokë (ndoshta veshje popullore - por kjo e fundit pak rëndësi ka), isha njohur qysh kur fotoja ekspozohej në faqen elektronike të Galerisë Kombëtare, e cila tanimë nuk funksionon. Një portret-bocet, i shpejtë, i shkathët, i cili sendërtohet prej një vizatimi tepër virtuoz, dhe freskisë së teknikës pikturale. Bien në sy thjeshtësia në modulimin e vëllimeve, sipërfaqet e sheshta, dhe forca e ngjyrës. Ka raste që më kujton disi personazhet e Modilianit.

Duke parë fotografitë e bashkangjitura me e-mail-in, ajo që më ngacmoi është piktura "Metalurgu". Është e pamundur të japësh vlerësim për një vepër arti përmes internetit, dhe aq më tepër kur fotografia nuk merr përsipër të sjellë tek shikuesi të fshehtat e veprës origjinale. Në këtë rast ajo që provokoi fotografia e Gëzimit tek unë, ishte një lloj cytjeje dhe padurimi të brendshëm për të parë, studiuar dhe shijuar këtë vepër nga afër në një të ardhme sa më te shpejtë.

Sa për Edisonin, nuk ka ai nevojë për ne, s'është më këtu. Nuk mund ta burgosim më, as ta internojmë, as të shkërmoqim më personalitetit e tij njerëzor, as ta përbuzim dhe ta injorojmë më nuk mundemi; ai shtegëtoi rrugicave qiellore. Jemi ne, ata për të cilët përbën boshllëk i pafalshëm, mosevidendimi i artit të tij. Shoqëria jonë do të ishte shumë më e varfër pa mundur dot të deshifrojë artistë, mendimtarë, intelektualë dhe njerëz si Edison Gjergo. Duke vendosur veprën e Edisonit në ballin e vlerave të artit shqiptar, nuk qetojmë shpirtin e tij (që ne vetë e vramë), qetojmë shpirtrat tanë. Duke zbuluar dhe njohur madhështinë e tij krijuese, si edhe universin e tij artistik, nuk pasurojmë atë, pasurojmë veten tonë...

Edison Gjergo's Art at National Gallery of Arts, Albania (photography by Gëzim Panariti, 2009)

Dhe diçka e fundit, që më erdhi ndër mend tek lexoja rreshtat e e-mail-it; arti vërtet bëhet nga njerëz si Edisoni, nga qënie fluturake, ëndërrimtare, vetëshkatërruese, nga krijesa që posedojnë dhunti dhe aftësi te adhurueshme, por arti nuk mund të rrojë pa përkujdesjen, mënçurinë dhe dashurinë e njerëzve si Gëzimi.

Arti vërtet lind si rezultat i nevojës për shprehje të artistit përmes proçesit të krijimit, por rron në kohë si rezultat i nevojës së shoqërisë/komuniteteve për njohje, dije, komunikim, si shprehje e kërkimeve filozofike/spirituale/estetike, si edhe në sajë të dashurisë dhe përkushtimit njerëzor.

Veprat e artit kanë nevojë për dashuri. Nëse fillojmë të mendojmë në këtë mënyrë, do të bëhemi shumë herë më të ditur, më të fuqishëm, e më të mençur nga ç'jemi; vetëm kështu do të bëjmë hapa përpara si individë dhe si bashkësi njerëzore...

Dashuria- thuhet se një ditë do të shpëtojë botën...