Showing posts with label Eksplorim. Show all posts
Showing posts with label Eksplorim. Show all posts

20 July 2010

Mbi Natyralizmin në Pikturë

Achilleas Droungas "Nature Morte" (oil on canvas)

Asnjëherë nuk kam arritur të shijoj këndvështrimin natyralist/fotografik në pikturë. Gjithnjë më është dukur skrupuloziteti akademik një formë pompoze, e pakuptimtë, bajate dhe aspak kreative.
Sa për piktorët që ende sot lëvrojnë këtë formë të shprehjes, do t'i cilësoja si monotonë, me mungesë të theksuar fantazie, të paaftë, zanatçinj (në asnjë mënyrë krijues), të vdekur artistikisht. Po kështu, asnjëherë nuk kam kuptuar se përse duhet të kacafytet me telajon një piktor, për muaj të tërë, kur në të njëjtin konkludim vizual mund të arrinte me një shkrepje të vetme të aparatit fotografik?!
Të pikturuarit në mënyrë natyraliste/akademike/fotografike, mund të kënaqë syrin e pastërvitur të masës (e paditur, në pjesën dërrmuese të saj), por nuk mund të konsiderohet  Art.
Pikërisht sepse Arti nuk është një pasqyrë e vobektë, memece, e realitetit. Eshtë diçka tjetër, ndoshta një sferë paralele, që mund të ketë pika takimi me realitetin, por që nuk mund të jetë me asnjë kusht një kopje dydimensionale e tij.
Eshtë llava që na vlon përbrenda, ajo që na bën artistë. Eshtë dufi i shpirtit, marrëzia e unit...

29 May 2010

Endrra të Thyera

Toni Milaqi "Who's the Boss?" (acrylic on paper, 69.5x49.5 cm, 2010)

Ekzistojnë në realitetin paralel-subjektiv të një artisti tema të cilat uzurpojnë gjithësinë e tij emocionale, dhe që e ushqejnë moralisht, intelektualisht, e shpirtërisht, në odisenë e tij krijuese. Ekzistojnë motive, imazhe, ngjyra, tinguj, zëra, e aromëra, të cilat ngjizen në subkoshiencën e tij, duke funksionuar si motorë jetëdhënës të nevojës për t'u shprehur.
Pak a shumë kjo ndjesi më shoqëron sa herë vërej portretin, që im atë më dhuroi në vitin 1988. Bëhet fjalë për vitin në të cilin fillova studimet në liceun artistik, kohë në të cilën një univers i tërë i magjishëm, ai i artit, u shpalos triumfalisht para meje.
Ndonëse portreti në fjalë nuk futet në kategorinë e punëve të rëndësishme të Aristidhit, dhe ndonëse gjuha piktorike e përdoruar aty nuk mund të them se më ngazëllen, seç ka diçka që më elektrizon, më tërheq, dhe më bën të dua t'a qëmtoj. Duke e vëzhguar me kujdes arrij të kuptoj, se im atë ka ditur të mbërthejë në punën e tij diçka mjaft të njohur, familjare dhe intime për mua. Vërej në vështrimin tim zgjimin e qënies por dhe arrogancën e 14-vjeçarit, vetëkënaqësinë dhe vetëbesimin, optimizmin por dhe ironinë e moshës, pastërtinë e karakterit por edhe mungesën e përvojës, turfullimin e ëndrrave dhe etjen për ti realizuar ato. Isha unë, ishte shembëlltyra e personalitetit tim njerëzor gozhduar në pikturën e tim ati, dhe ai padyshim më njihte mirë. Vetëm një njeri që të njeh mirë, mund të të lexojë kaq qartë...

Vitet kaluan. Shumë ujra rrodhën në burime, dhe të gjitha këto tanimë më duken mjaft të largëta, a thua se nuk kanë të bëjnë me të shkuarën time, por me diçka krejt të huaj. Ku shkoi vallë ai djaloshi 14-vjeçar me karakter konfrontues?! Ku shkoi nevoja për të pushtuar botën? Ku shkoi vetëbesimi dhe ndjesia se je ti mesia aq i shumëpritur? Ku shkoi fodullëku, zjarri, dhe romantizmi rinor? Ku shkoi dëshira për të rrojtur veç ndjenja supreme? Ku shkoi adoleshenti që donte të shfronësonte Zotin, për t'u ulur triumfator në fronin e tij?
Puna ime "Who's the Boss?" është një meditim mbi të gjitha këto. Një koment mbi ëndrrat e thyera djaloshare, mbi egërsinë dhe brutalitetin social të shoqësisë së sotme globale, si edhe një nevojë për të ritreguar (pas një rrugëtimi 22 vjeçar) me një formë tjetër, historinë që dëgjova prej buzëve të tim ati, diku aty në fund të vitit 1988.

Aristidh Milaqi " Portrait of Toni Milaqi" (oil on cardboard, 32x25 cm, 1988)

05 September 2009

Monumenti

"A Monument to Creation" (photo by Toni Milaqi, 2009)

Nëse do të më jepej mundësia të ndërtoja një përmendore, monument, a lapidar të vetëm, atë do t'ia kushtoja nevojës sonë për të krijuar/aktit të krijimit. Atij proçesi identifikues, ëndërrimtar e utilitar, që i jep formë reale ideve dhe ndjenjave tona. Dhe nëse duke folur për të krijuarit, jemi të vetëdijshëm se cekim një aspekt tepër të gjerë të veprimtarisë sonë njerëzore, gjithsesi, qoftë edhe në formë tërësisht intuitive, kuptojmë se çdo shfaqje e këtij fenomeni është në vetvete simbioza e vazhdimësisë dhe e pavdekësisë, një formë barazie me Zotin.

Në qoftë se të krijuarit e një jete njerëzore (riciklimi i ciklit jetësor), do të konsiderohej si një komponent që na lidh me anën tonë kafshërore, me reflekse të kushtëzuara dhe të pakushtëzuara, me instikte të lashta, me nevoja gjenetike, trupore dhe ekzistenciale, ç'mund të thuhet për ato lloje të krijimtarisë sonë njerëzore që nuk kanë për bazë arsye biologjike, por intelektuale, meditative, emocionale e spirituale?

Një përmendore do të doja t'i ndërtoja nevojës tonë për të krijuar; që na bën të ecim përpara; që na cyt drejt së resë; që na bën të tejkalojmë kufijtë e njohjes dhe të dijes; që na bën më njerëzorë, por edhe më të perëndishëm njëkohësisht.

"A Monument to Creation" (photo by Toni Milaqi, 2009)


"A Monument to Creation" (photo by Toni Milaqi, 2009)


"A Monument to Creation" (photo by Toni Milaqi, 2009)


"A Monument to Creation" (photo by Toni Milaqi, 2009)


"A Monument to Creation" (photo by Toni Milaqi, 2009)


"A Monument to Creation" (photo by Toni Milaqi, 2009)

11 June 2009

Qorrsokaku

Ancient Greek Art "Vaze with Erotic Scenes" (Rim of an Attic red-figure kylix, c. 510 BC, Louvre Museum)

Përse sot artet nuk kanë lulëzimin që kishin -bie fjala- një shekull më parë?! Kur them artet e kam fjalën kryesisht për pikturën, skulpturën, letërsinë, muzikën, teatrin…

Ekzistojnë shumë faktorë në përgjigjen e kësaj pyetje. Një syresh -nga më thelbesorët- është raporti që kanë sot njerëzit me artin. Ka të bëjë me kushtet dhe mënyrën e të jetuarit, me nevojat njerëzore.
Në të shkuarën arti ishte përveçse bagazh dijeje, kulture dhe njohjeje e botës, edhe një mënyrë argëtimi, jo shumë e kushtueshme. Në operat e Verdit mund të ndeshje edhe njerëz të varfër (sigurisht ne vendet e rezervuara për ta). Një ekspozitë të impresionistëve në Paris mund t’a vizitonte kushdo. Çdokush gëzonte të drejtën të kryente ritualet kishtare, duke kontaktuar në këtë mënyrë me shenjtët e Xhotos, madonat e Rafaelit, apo ëngjëjt e El Grekos. Në një tragjedi antike greke, spektator mund të ishte çdo qytetar, akoma edhe ai më modesti. Po kështu arti i Fidias dhe i Praksitelit gjendej rrugëve, duke u bërë kështu pronë e të gjithëve. Në shekujt pasardhës prej leximit të një libri, mund të mësoje, e në të njëjtën kohë të shtegëtoje, të vizitoje njerëz dhe vende të ndryshme (dhe të gjitha këto pa shpenzime të mëdha).

Pra arti gëzonte edhe karakteristika të tilla si ajo e informacionit, e argëtimit, e diturisë, e komunikimit ndërnjerëzor, e kërkimeve spirituale; sigurisht kishte edhe vlerën e tij monetare -të të qënurit njëkohësisht mall.

Në relacionin artist-publik (turmë), elementi kryesor ishte ai i komunikimit. Jap dhe marr. Artisti bënte të shpërthenin (përmes veprës së tij) emocione, ndjenja, imazhe, mendime, problematika, shqetësime, përpiqej të analizonte frikat, dëshirat, tabutë, nevojat; dhe merrte nga publiku duartrokitjen (që do të thoshte të ardhura dhe vazhdimësi), ose fishkëllimat apo refuzimin (që do të thoshin uri dhe vështirësi ekzistenciale).

Me kalimin e kohës, me hyrjen në jetën tonë të aparatit fotografik, të kameras, të mediave, të radios, të televizorit dhe internetit, të gazetave dhe revistave, të standartit më të lartë ekonomik, ndryshuan dhe relacionet shoqërore njeriut me artin. Ky i fundit humbi rolin e tij “si një dritare për të njohur dhe vëzhguar botën”, pra rolin e tij informues. Humbi rolin e tij dokumentues; po ashtu edhe atë argëtues. I vetmi element që trashëgoi dhe që lulëzoi kryesisht këto vitet e fundit, është ai i anës së tij monetare; duke i dhënë përfundimisht një grusht të fuqishëm vlerave, si edhe kërkimeve të mirëfillta artistike.

Në ditët tona pak rëndësi ka cilësia e veprës së artit. E rëndësishme është që produkti i prodhuar të shitet. Sistemit të sotëm të vlerave nuk i interesojnë risitë, apo gjetjet artistike. Nuk i intereson të hedhë dritë dhe të fokusojë mbi arritjet. Për të parësore është aftësia që mund të posedojë prodhimi-malli (i ashtëquajtur artistik) në tregjet komerciale dhe bursat e artit. Nuk i interesojnë kërkimet dhe hulumtimet, por fitimi.

Në këtë aspekt shoqëria e sotme globale ka edhe ajo piktorët e skulptorët e saj; edhe shkrimtarët e poetët; edhe muzikantët e dramaturgët e vërtetë. Ajo që nuk posedon kjo shoqëri është "nevoja për artin". Arti sot nuk është informacion. Nuk është argëtim. Nuk është dokumentim i kohës. Nuk është nevojë. Arti sot është lluks; ky është qorrsokaku dhe fatkeqësia e tij më e madhe…

09 May 2009

Flete Ditaresh

Toni Milaqi "Lost in Thoughts, Self-Portrait" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2009)

Gjithe veprimtaria artistike e nje piktori s'eshte gje tjeter vecse nje aktivitet i panderprere vezhgues mbi gjithcka rrethuese, por edhe mbi vetveten. Do t'a konsideroja kete akt si nje lloj ditari individual, i cili ekspozohet por edhe pasurohet prej faktoresh te jashtem si "vendi" dhe "koha". Pikerisht nen kete trysni artisti duhet te akumuloje sa me teper nga moria e informacionit dhe diturise qe fiton perdite, por edhe te arrije te shprehet/konkludoje artistikisht mbi gjithsa i preokupojne mendjen dhe shpirtin.

Nen kete prizem veprat e artit s'jane gje tjeter vecse flete te vecanta hulumtuese te nje ditari personal, te cilat vetem nese flasin per te verteta universale (permes nje gjuhe kreative/origjinale), mund te kthehen edhe ne pasuri te pervojes dhe dijes kolektive...

Toni Milaqi "Self-Portrait" (pencil on paper, 21x29,7 cm, 2004)

26 April 2009

Portret i Thyer

Toni Milaqi "Pink Man" (acrylic on paper and mixed technique, 30x24 cm, 2009)

Kur hapat rendohen dhe qenia tkurret, kur ditet rrudhen dhe netet perngjasojne te pambarimta, kur harmonia jote e brendshme venitet dhe ankthet te perpijne, kur dhimbja i ze vendin shpengimit dhe revolta vret gazin lozonjar, pikerisht ne kohe te tilla ndjen se portreti yt fillon te shperbehet e s'mund te jete me nje mase solide. Veren germadhat e atyre sa deshe, dhe te atyre per te cilat luftove, te te pushtojne. Kupton brishtesine e qenies dhe brutalitetin e ekzistences. Ne momente ne tilla shnderrohesh ne fantazmen e atij qe flinte diku brenda teje, e qe ne femijeri deshironte te pushtonte boten. Nje deshtak mjeran i panevojshem per askend dhe per askund. Krijese idilike per te rrojtur, por dhe per ti dhene kuptim te ri absurdit. Je aty i thyer, i coptuar, i shpartalluar, i pamundur, i rene, i grisur, i shprishur, enderrvrare, krahekeputur e shpirtperdhosur...

01 March 2009

Piktori Buze Liqenit

Toni Milaqi "Painter by the Lake" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2009)

Ekzistojne ne krijimtarine artistike te nje piktori subjekte apo motive tematike prej te cilave nuk mund te shkeputet dot, dhe qe ne intervale te caktuara kohore okupojne universin e tij mendor dhe emocional. Jane disa tema tek te cilat krijuesi kupton ashtu ne menyre te mjergullt dhe te amullt se flasin shume per te, per kendveshtrimin e tij mbi realitetin, per ato qe ndjen dhe qe do te thote. Dhe ndonese deshira e tij eshte kaq e madhe per t'i analizuar, studiuar dhe per t'u shprehur mbi to, gjithnje pas nje konkludimi artistik krijuesi veren se s'ka mundur te ngjize permes vepres, te gjitha sa ndjente dhe mendonte ne fazen fillestare te brumosjes se saj. Dhe keshtu me fuqi te pandalshme keto tema uzurpatore kthehen e rikthehen ne krijimtarine artistike, si per te dashur te plotesohen, te qetojne shpirtin e artistit, apo te vendosin paqen me demonet qe i perqarken.

Aristidh Milaqi working in Drymades [Dhermi], Albania (Photography, 1966)

Nje teme e tille per mua eshte "Piktori buzë liqenit". Te gjitha nisen nga nje fotografi e vjeter e tim ati, dale ne veren e vitit 1966, ne Dhermi. Mbaj mend veten, qysh ne femijerine e hershme, pikerisht ne momentet kur shfletoja albumet fotografike te familjes, te provoja nje lloj ngazellimi dhe zilie dashamire tek perballesha me ate foto. Ngazellimi sepse fotogafia eshte nje prurje teper interesante artistike, qe ndonese nuk mund t'a kuptoja dhe analizoja atehere si femije, kjo gje s'me pengonte t'a shijoja, ashtu sic shijoja edhe ujin pa patur njohje te perberjes se tij kimike. Tani vite me vone, jam ne gjendje te dalloj thyerjen teper mjeshtrore kompozicionale te saj, grafiken kumbuese te figures, apo faktin se me, apo padashje, behemi deshmitare okulare te simbolikes se arketipit te artistit -pergjate casteve te krijimit. Aty buronte zilia ime feminore per aftesite e tim ati, por edhe adhurimi, apo shpresa ime e fshehte "se nje dite kur te rritem do te jem edhe une ne gjendje te ngjitem ne shkembinj, nga ku do te keqyr dhe te pikturoj boten"...

Puna ime me e fundit eshte e treta mbi kete teme, dhe nje perqasje e re e saj (1). Perballe figures se tim ati (jo me ne moshe te re) nuk gjenden ujerat e kristalta te Dhermiut. Heroi-Piktori-Artisti-Krijuesi eshte i vendosur ne nje ambjent po kaq te dashur dhe intim per mua, sic edhte liqeni artificial i Tiranes. Dhe ndonese jam i kenaqur nga ky trajtim i ri, nga kjo perleshje e re afer nje mujore mbi kete teme, sec ndjej se ende s'e kam thene fjalen time te fundit, dhe se koha kur do t'i rikthehem serish nuk do te jete e larget...

(1) Dy trajtimet e para 1996, 2006, mund t'i gjeni ketu.

03 February 2009

Pa Gravitet

Toni Milaqi "Between Albania and Greece" (acrylic on canvas, 80x60 cm, 1995)

Emigracioni gjithnje, e sot me teper se kurre, ka qene dhe eshte nje fenomen teper i mprehte i shoqerise globale, por edhe i atyre periferike. Nje plage sociale, e cila permban ne vetvete potenciale teper te medha kontradiktash politike, ekonomike, morale, fetare e njerezore. Eshte e veshtire te lindesh diku dhe per shkak te nje sere faktoresh te ndryshem te jesh i detyruar te braktisesh vendin tend, ne shprese te nje jete me te mire, ne kerkim te tokes se premtuar. Dhe pikerisht ne momentin kur le pas dheun ku erdhe ne jete, ne momentin kur ndjen se graviteti me token ame zbehet, dhe se rrenjet solide qe te ushqenin fillojne te keputen nje nga nje, atehere ti si njeri ke humbur -dashje pa dashje- prej ekzistences tende lidhjen tokesore. Provon dyzimin emotiv, duke u kthyer ne nje krijese te ajert. Pa gravitet, pa peshe rendese, anashkalues, nje pluskues i realiteteve shteterore dhe nacionale, i huaj per to dhe shpeshhere i padeshirueshem ...

29 November 2008

Mbi Pavaresine

"Pa(varesia)" - National Gallery of Arts (Tirana, Albania), 2007

Fund nentori. Mberriten serish festat kombetare shqiptare. Festa e pavaresise. Si sot nje vit me pare mora pjese ne ekspoziten "Pa(varesia)" ne Galerine Kombetare te Arteve (Tirane) e kuruar nga Elsa Martini. U paraqita ne kete ekspozite me dy pune "Blue Execution" dhe "Authority Touch". Disa mendime mbi kendveshtrimin dhe trajtimin e atehershem te ketij subjekti, si edhe disa fotografi nga aktiviteti po i sjell ketu.

"Pa(varesia)" - National Gallery of Arts (Tirana, Albania), 2007

***

Nje teme kersheritese kjo e pavaresise. Por cdo te thote te jesh sot i pavarur? Qe t’i pergjigjemi kesaj pyetje, duhet ne radhe te pare te kuptojme varesite tona, qofte personale, qofte kolektive.

Personalisht nuk besoj se Shqiperia sot eshte e pavarur. Nuk besoj ne pavaresine e Shqiperise, te Kosoves, te Greqise, te Italise, apo te kujdo shteti sado i madh a i vogel eshte ai. Rrojme ne nje bote gjithe kufij etnik, fetar, ekonomik, ideologjik, moral, politik, dhe eshte mjaft e veshtire te thyejme zinxhiret e padukshem qe na perqarken. Tingellon qesharake te thuhet se mund te ndihesh i lire permes erresires paralitike dhe kangjellave totalitare te nje burgu...

Enderroj nje bote pa kufij shteterore. Pa luftera. Pa te humbur e fitimtare. Nje bote pa ushtarake, ushtri e arme. Ne nje kohe kur nacionalizmat (dhe sigurisht edhe ai shqiptar) mbreterojne, eshte teper e veshtire te flasesh per nje realitet global pa bariera ndarese, pa varesi etnike, ekonomike, politiko-shoqerore...

  "Pa(varesia)" - National Gallery of Arts (Tirana, Albania), 2007

***

Per sa i perket trajtimit artistik te kesaj teme, nuk eshte e lehte te operosh mbi nje subjekt kaq te abuzuar nga njerezit dhe koha. Nje teme qe "i ka dale boja" prej vitesh, por qe ne vetvete mbart elemente sa social, po aq edhe filozofik, apo edhe ngjyrime te pashmangshme moral-politike. Te hulumtosh mbi nocione - qe jane bere e thene kaq here ne artet shqiptare- si ai i pavaresise, nuk eshte nje ritual fundviti; eshte nje nevoje te thuash me menyren tende perrallen e njohur dhe te perpiqesh nese je i zoti, te ngjallesh tek shikuesi ndjesine se po degjon dicka teresisht te re. Pikerisht ne caste te tilla duhen rikonceptuar pergjigjet tona, mbi ate se cfare do te thote sot te jesh i pavarur, dhe nga kush… 

Petrit Ceno "Ismail Qemali, 28 Nëntor 1912 " (oil on canvas, 152.5x150 cm, 1973)

Ajo qe has sot ne lidhje me pavaresine si koncept, jo vetem ne bisedat e pafundme te politikaneve, por edhe ne mediat, bllogjet dhe forumet shqiptare, eshte lulezimi gati - gati total i nacionalizmit shqiptar.
Por a eshte Shqiperia sot e pavarur? A mund te jete Kosova? A eshte Evropa sot e pavarur?

C’eshte pa-varesia sot ? Ne nje bote kur vishemi te gjithe me Levi’s Jeans, kur mbushim makinat me benxine Shell, kur hame ne McDonald’s apo Pizza Hut, kur degjojme te njejten muzike e shohim te njejtet filma te imponuar nga tregjet globale, e Star System, dhe te gjitha keto kudo ku gjendemi; cdo te thote te jesh pa varesi (ekonomiko-politike), sovran dhe i lire?
A mund te ndihesh sot i pavarur, ne nje kohe kur lufterat imperialiste te kamufluara si luftera “ne emer te te drejtave te njeriut” jane kthyer ne rutine? Kur individi eshte me i pambrojtur se kurre ndaj perbindeshave shteterore ?

Pikerisht kjo lloj pavaresie, e cila i meshon me teper trajtimit te problemit ne sensin social, do te me interesonte mua si njeri. Te hulumtuarit e pavaresise individuale dhe deri ne c’pike ky nocion eshte utopik apo jo.


***


Ne aspektin estetik, gjuha e perdorur duhet sigurisht te jete e mbrujtur me elemente po kaq te huaj nga c’ka servir hegjemonia globale e sistemit te sotem te vlerave...

"Pa(varesia)" - National Gallery of Arts (Tirana, Albania), 2007

Babai, Historia dhe Vepra e Artit

Toni Milaqi "Portrait of Aristidh Milaqi" (acrylic on paper, 100x80 cm, 1994)

C'lidhje kane fjalet ne vijim me portretin e mesiperm? -Asnje lloj lidhjeje! Thjesht me pelqen portreti dhe ndjej pertese te shkruaj dicka ne relacion me te...

...Roli i njohjes se historise se artit eshte i pakundershtueshem ne perftimin dhe te lexuarit pa boshlleqe te nje vepre artistike. Nje njeri qe nuk ka njohjen e te shkuares, nuk mund te perballoje peshen e se tashmes dhe kurthet e se ardhmes.
Jo cdo dije eshte e vlefshme per te kuptuar dhe lexuar nje veper arti, por asnje veper arti nuk mund te lexohet nga nje njeri pa njohuri relative mbi subjektin ne fjale.
Nen kete prizem vepra e artit ngjan me nje det (i madh, ose i vogel, e kushtezuar kjo nga aftesite e krijuesit), i cili ushqehet nga rreke, perrenj, e lumenj te pafund referencash, informacioni, njohurish, apo gjithfare faktoresh te ndryshem artistik-social-historik. Ne saje te ketij informacioni, kuptojme vepren dhe zbulojme vlerat e saj ne kontekst historik...

23 November 2008

Penetrimi

Toni Milaqi "The Colourful Penetration" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2002)

Me pelqen te shkel mbi tema tabu. Me pelqen te eksploroj artistikisht subjekte te cilat piktore te tjere nuk guxojne t'u afrohen. Me pelqen te analizoj pergjate rrjedhave te viteve marredhenien femer-mashkull ne menyre sa me sferike, me te gjere, nga pika te ndryshme veshtrimi. "Penetrimi" eshte nje teme mjaft terheqese dhe frymezuese...

Toni Milaqi "Penetration" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2007)

14 November 2008

Permasa te Vogla

Toni Milaqi "Red Passion" (acrylic on canvas and mixed technique, 30x24 cm, 2008)

Kohet e fundit po merrem me nje cikel pikturash te permasave te vogla (telajo, 30 x 24 cm), gje qe ka ndryshuar disi procesin e punes dhe te perceptimit te vete objektit te krijuar artistik. Jam nga ata piktore qe adhuroj permasat monumentale per t'u shprehur nepermjet artit. Me frymezojne dhe me bejne te ndihem mire permes aktit te krijimit. Gjithnje shihja me cudi dhe habi artistet qe operonin ne kuadrate te permasave te vogla .

Angazhimi, si edhe obligimet e mia mbi pjesemarrjen ne ekspoziten e ardhshme , me detyruan ne nje fare forme te konkludoj permes ketyre limiteve te kufizuara, dhe te perpiqem te them mendimin tim brenda tyre. Ajo qe ve re tashme kur disa pune kane marre jete, eshte pikerisht fakti se nepermjet ketij procesi -nepermjet te punuarit ne telajo te permasave te vogla- ajo c'ka je i detyruar te besh eshte te rrokesh esencialen. Te heqesh ujerat e teperta, dhe te ngjizesh ne kanavace vec nevojen qe te shtyu te krijosh vepren ne fjale. T'u shmangesh rrugeve paralele, dhe sorrollatjeve dekorative, qe mund te shoqeronin te njejtet heronj, ne nje kuader te permasave te medha. Te perpiqesh te sintetizosh nevojat , deshirat, mendimet, dhe ndjesite e tua, per sa kohe shprehesh ne keto rrethana...

Per sa i perket tematikes, hulumtimi i erotikes vazhdon te jete tema ime e preferuar...

Toni Milaqi "The Fucking Days" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2008)

04 November 2008

Fluturim

Toni Milaqi "I Love U -I-" (acrylic on paper and mixed technique, 30x24 cm, 2008)

Ka raste kur dua te shkeputem prej realitetit kaq te zhurmshem, prej smogut dhe trafikut mbytes. Ka raste kur ashtu i etur per pak qetesi, kacavirrem ne pjesen me kulmore te Likavitos (koder ne zemer te Athines) dhe qetohem. Keqyr boten perfund kembeve dhe mizerine kaotike te qytetit. Cuditerisht ne caste te tilla ndjej te thyen zinxhiret e padukshem qe me lidhin me perbindeshin arkitekturor e social ne te cilin gjalloj; provoj -permes kesaj pervjedhje- shijen e lirise dhe arrij te kuptoj deri ne nje fare mase zogjte. Ne momentet kur qiejt me mbushin syte dhe zoterat duket se jane disi me afer, fluturoj. Zhvesh ashtu pa kuptuar ankthet, preokupimet apo frikerat e mia ekzistenciale, shkund me force krahet dhe turrem si i marre qiejve te pamate e te pafund duke thithur cdo bulez te asaj euforie unike...

... Ne djall te gjitha; jam ende gjalle ...

Toni Milaqi "I Love U -II-" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2008)

25 September 2008

Ferma e Kafsheve

Toni Milaqi "Pig -The Great" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2008)

Nje homazh diktatorit qe fle brenda nesh. Nje homazh tiranit dhe kasapit qe ushqejme perdite -nga pak dhe nga pak. Jemi ne, te perzishmit, te cilet kthyem mediokritetin tone njerezor ne fene e vetme tek e cila besojme. Jemi ne, te cilet guxuam te shohim ne sy zoterat e qiejve, e pasi beme dicka te tille i vrame ata; dhe ne fronet e tyre u ulem kembekryq ashtu te pangijshem dhe mekatare. Jemi po ne, qe ujitem filizat e paditurise, i beme ato te harlisen, te kapin qiejt dhe mbushem barqet tona me frytet e tyre te shprishur.

Helmuam cdo shkendije drite dhe kultivuam erresiren- ate me te thellen. Hodhem ne kazanet e plehrave arsyen dhe sterqullem ditet tona me ankthe te cartura histerie. U preme kokat peshqve dhe i flakem ashtu te pajeta - te notojne- ne ujera vezulluese, akuariumesh ngjyraplot.

Homazh, pisllekut qe na rrethon. Tiranise se turmes dhe borive lavire nacional-kombetare. Homazh diktaturave te frikave ekzistenciale, atyre personale dhe kolektive. Moraleve kombetare dhe atyre fetare. Homazh derrave dhe dosave - sigurisht atyre te medhenjeve...

"Alexander The Great with a Lance [Now Missing]" (Unknown, Greek Art, 200 - 100 B.C. , Marble)

07 August 2008

A Kane Uje Ato Burime ?!

Michel Setboun "Enver Hoxha's statues" (Photography, 1990)

Sot duke lexuar shtypin hasa nje artikull te Alban Hajdinaj me titull : "Skena e re e artit pamor shqiptar" , kontradiktat ideore e te cilit me dhane spunton per te shkruar keto radhe. Nga njera ane eshte interesant fakti qe nje artist shqiptar merr persiper te flase per problemet akute te artit sot, nga ana tjeter mendimet e shprehura, fatkeqesisht, kacafyten me njera-tjetren. Thote Albani:

Miku im Alban jane paksa te ngaterruara, por dhe pa bazament real ato sa thua.

Aristoteli thote: "Ο ανθρωπος είναι ζώον πολιτικόν" (Njeriu eshte kafshe politike). Ne kete sens cdo element i aktivitetit dhe i ekzistences njerezore, fitrohet pikerisht nga ky prizem i kendveshtrimit mbi veten dhe ambientin rrethues. Te kerkosh prej Njeriut te mos kete angazhim qofte politik, qofte social, do te thote t'i kerkosh atij te mbylle syte ndaj realitetit qe e rrethon; do te thote qendrim pasiv mbi te drejtat, detyrimet si edhe pergjegjesite e tij sociale; do te thote t'a denosh ate ne nje skllaveri te perjetshme.

Dhe pikerisht sepse artisti eshte mbi te gjitha njeri - nepermjet vepres se tij merr persiper te flase mbi problemet, frikat, deshirat, nevojat, endrrat me te thella dhe esenciale te qenies- qendrimi pasiv, te mosfolurit mbi problematikat sociale do te thote pa aftesi, anashkalim dhe deshtim total ne analizat mbi qenesine fizike, shpirterore, si edhe mbi vete universin njerezor.

Arti i Realizmit Socialist nuk kishte asgje te perbashket me kerkimet dhe hulumtimet sociale rreth individit apo shoqerise. Arti i Soc-Realizmit nuk interesohej per jeten e individit apo te turmes, ishte shprehja e menyres se si duhej te sillej dhe se si duhej te shihej individi apo turma. Pikerisht per faktin se ky art nuk ishte analize, por demagogji, nuk ishte hulumtim artistik, por ilustrim ideollogjik i mendesive dhe nocioneve te klases politike e pushtetare.

T'i thuash nje artisti se meditimi, analiza, si edhe shprehja kreative -nepermjet artit- e problematikave ekzistenciale, sociale, apo edhe e bindjeve te tij politike, nuk do te thote art, eshte njelloj si te mohosh tere Historine e Artit, Letersise, Drames, e Muzikes ...

Homer-i nepermjet "Iliades" dhe "Odiseas" vendos njeriun ne binokularin laboratorik te artistit, duke bere te dukshme ne kete forme (nder te tjera), elemente si edhe analiza esenciale te raporteve social-politike te shoqerise njerezore ne te cilen jetoi. Tragjiket e medhenj greke po keshtu, zhbiruan, por edhe lane pas vepra monumentale mbi kete argument.

"To be or not to be" keto fjale te Shakespeare tek Hamlet-i shprehin nder te tjera perpos ankthit ekzistencial, edhe akuze te thelle ndaj shoqerive njerezore ne te cilat gjallojme.

Kapricot, apo vepra si "The Third of May" te Goya-s jane triumfe te guximit qytetar, si edhe te shprehjes kreative ne artet vizuale.

Putanat e Lautrec-ut jane deshmi te nje qendrimi social-politik ne pikture.

"Cupat e Avinjon" te Picasso-s jane balada te tera mbi problematika sociale, humane, shoqerore.

"Patatengrenesit" e Van Gogh-ut po ashtu; Shpime ne zemer te komuniteteve tona njerezore.

Kandra e Kafka-s tek "Metamorfoza" - nje operacion filozofik, social dhe artistik i procesit te jetersimit.

Kufomat -e gjalla- me perngjasi njerezore dhe depresive te Francis Bacon-it, jane ulerima humaniteti, analizash, por edhe konkludimesh social-politike nepermjet artit.

"Britma" e Munch-ut eshte nje thirrje qe i behet reflekseve tona shoqerore.

Dhe dhjetera e dhjetera shembuj te tjere nga te gjitha fushat e krijimtarise artistike pergjate mijevjecareve te ekzistences njerezore. Tematikat sociale ne art nuk jane ceshtje mode, jane nevoja per te njohur, per te shprehur dhe per te bashkebiseduar mbi shqetesimet/problematikat me esenciale te qenies.

Hapja e skenes shqiptare te Artit (veshtire se mund te gjesh nje te tille) perkundrejt asaj nderkombetare, nuk ishte gje tjeter vecse nje abuzim komercial nen petkat e shprehjes artistike, me rregulla komerciale, nen ndikim faktoresh specifik, politik e social, te cilat favorizuan "pasurimin" e Star-System edhe me emra shqiptare. Ne kushtet globale -te cilat imponohen prej tregjeve te Artit- kasta ekonomiko-politike shqiptare lepin dhe mbllacit -e lumtur- kockat e mbetura prej gostise madheshtore te bursave dhe metropoleve nderkombetare. Emrat e atyre qe sot jane ne krye, jo te risive artistike, por te bursave globale te artit, si edhe te kuratoreve apo drejtuesve organizativ ne keto aktivitete, jo ashtu rastesisht lidhen ne menyre te pandashme dhe me hallka te pazgjidhshme me mafjen politiko-ekonomike qe vendos rregullat e lojes edhe ne fushen e Arteve Vizive Shqiptare.

Arti ne teresi, dhe ne vecanti ai shqiptar do te bejne nje hap perpara, kur te fillojme te mendojme pak edhe per te (ketu e kam fjalen kryesisht per istitucionet dhe perkujdesjen shteterore, por sigurisht edhe per nismat dhe ndermarrjet private), kur permes angazhimit tone ne keto fusha do te drejtojme fokusin mbi problematikat e arritjet krijuese, dhe jo vetem mbi faktorin komercial te produktit artistik.

31 July 2008

Filozofia e te Mosbesuarit ne Filozofi



Toni Milaqi "A Man And Three Women" (acrylic on paper, 85x65 cm, 2000)


Ajo c'ka ben cdo veper arti unikale dhe te paperseritshme eshte besnikeria e artistit ndaj pabesise se tij konceptive, estetike, emocionale dhe meditative pergjate aktit te krijimit. E thene ndryshe: "Filozofia kreative ne te cilen duhet te besoj nje artist, eshte te mosbesuarit ne asnje lloj filozofie apo maniere udheheqese" . Te qenit i lire (per aq sa mundesh t'i pervidhesh pervojave te tua jetesore, por edhe artistike). Te qenit sa me subjektiv, perkundrejt objektivitetit me te cilin ti vete sheh subjektivitetit tend. Perpjepja per te harruar, per te hedhur poshte barrat e se shkuares dhe per te udhetuar permes aventurash dhe destinacionesh te reja.

Ne kete sens ka mjaft vepra -ne krijimtarine time- te cilat mbajne pikerisht gjurmet e momenteve dhe problematikave qe me shqetesonin ne kohen kur u krijuan dhe qe jane te rendesishme -per mua- per vete faktin se jane copeza te mendesive apo ndjesive te mia te cilat nuk ekzistojne me ne "fjalorin" tim aktual artistik.

Puna "A Man And Three Women" -nje pikture teper e dashur e vitit 2000- eshte nje shembull konkret i atyre sa kam ndjere, kam gozhduar ne leter dhe qe me duken teresisht "te huaja" per llogjiken time te tashme artistike ...

28 July 2008

Xhemali


Toni Milaqi "The date" (acrylic on canvas, 130x100 cm, 1997)

Artisti dhe Modeli

Lidhja e artistit figurativ me modelin eshte nje lidhje teper esenciale dhe unike. Shpesh -kur punojme mbi nje portret te caktuar- nepermjet vezhgimit te modelit dhe zhytjes permes honeve te shpirtit te tij, zbulojme veten tone. Analiza mbi cdo pore, thinje, a rrudhe te krijeses qe merr fryme perbri teje eshte padyshim edhe hulumtimi i vete ekzistences njerezore dhe thellimin mbi kete analize (qofte ne rrafshin fizik, por edhe shpirteror) do te mund t'a quaja si nje lloj oksigjeni te domosdoshem ne aftesine e artistit per te njohur, kuptuar dhe shprehur...

Pjeter Koleci "Xhemali" (pastel on paper, 1992)

Xhemali

Ishte nga jugu. Ndoshta nga Permeti, ndoshta nga Korca. Bektashi. I gjelbert. Modeli im i preferuar ne vitet e Liceut (1988), e me pas edhe ne Institutin e Arteve. Me magjepste gjithcka nga personaliteti i tij...

Xhemali - e mbaj mend gjithnje me nje cigare, te dredhur dhe te fikur, diku ne buzet e zverdhura nga nikotina- kishte nje siluete teper karakteristike. Nuk jam i sigurt se c'moshe kishte. Kam ndjesine se ishte aty rreth te gjashtedhjetave. Me nje koke qe shembellente me nje dardhe vigane; dy sy si thengjij te futur thelle ne zgavra; mjeker jeshile; lekure qe here-here dukej e rozte dhe e fresket, e here-here e verdhe dhe paksa e lodhur; nje buzeqeshje ne cilen shkriheshin zgjuarsia, njohja, krenaria, ndroja, paksa ironi. Kishte kryer tre klase shkolle; por tek bashkebisedoje me te, nga menyra se si i zgjidhte fjalet, se si i meshonte dhe i lemonte ato, te krijonte pershtypjen e nje njeriu te sigurt per veten e tij dhe teper te ditur. Dhe ndonese nuk fliste me ze te larte, as nuk kishte shperthime te fuqishme emocionale, ne momentin kur qendronte ne mes te ateliese per te pozuar, cuditerisht ne syte e mi perngjasonte me nje gjigand qe linte gjurme mbi kedo e mbi gjithcka...

Ervis Kalia "Xhemali" (oil on canvas, 2009)


Rrethimi

Ne i perqarkeshim me bojra e kavalete, me lapsa e penela, me tavaloce e goma, me letra e telajo. Perpiqeshim t'a lexonim. Ai qendronte i palevizur perpara nesh, mes dhjetera sysh-hetues qe perpinin cdo frymemarrje te tij, cdo trandje muskulore...

Michel Setboun " Fine Arts School, Tirana, Albania" (Photography, 1990)

Triumfatori

Tani njezet vjet me vone, kam ndjesine se permes atij shkembimi veshtrimesh reciproke, asnjehere nuk mundem te perballemi, sado pak, me analizen qe vete Xhemali i bente brendive tona, karaktereve tane. Kujtoj, se nga syte e tij thelle ne zgavra -pikerisht atehere kur ai gjendej diku mbi podium- thengjijte merrnin flake, e na perpinin te tere duke na hedhur ne ajer, duke na matur, e peshuar. Dhe si padashur me ngacmon pyetja: "Nese ishim ne ata qe u perpoqen te ndersyjne dyert e fortifikuara te brendise se Xhemalit, apo ishte ai i cili u shtrua kembekryq ne kujtesen dhe shpirtrat tane -duke zene rrenje aty- per jete e mot?" ...

Nikos Economopoulos "Fine Arts School, Tirana, Albania" (photography, 1992)

12 July 2008

Loja

Toni Milaqi "Pink horserider" ( acrylic on canvas, 100x80 cm, 2006)

Kush mund t'i mohoje artistit te drejten per te luajtur? Kush mund te thote se nje krijim artistik nuk eshte edhe nje shfrehje e deshires se hershme feminore per defrim e lojra? Kush mund te na thote me vendosmeri se procesi i krijimit dhe i sjelljes ne jete te nje vepre artistike, perpos nevojes per shprehje, dhimbjeve, marrezise se unit dhe ikjes larg normave dhe kufijve -ne kerkim te se rese- nuk permban edhe nevojen per te luajtur?

Loja eshte nje aspekt teper i kendshem ne krijimtari, per sa kohe ecen permes monopatit rreshkites dhe erresires rreziqeplot te territoreve te pashkelur. Ne momentin kur mjaftohet me persiatje formale te riteve artistike te levruara me pare, loja njofton edhe fillimin e fundit te jetes kreative se nje artisti.

10 July 2008

Mbi Ekzekutimin ( II )

Toni Milaqi "Execution -IV- " (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2008)

(...vijon nga postimi i kaluar...)

Tema e ekzekutimit eshte nje teme me te cilen jam marre shpesh pergjate rrjedhes se viteve. Pasi eshte pikerisht ky subjekt i cili hedh drite mbi marredheniet e individit me shoqerine, e individit me individin, si edhe te grupeve te ndryshme shoqerore ndermjet tyre. Eshte nje rast mjaft i mire per te studiuar vibrimet e hijeve te dhunes se pushtetit, por edhe te brutalitetit te vete individeve te ndryshem kundrejt njeri-tjetrit.

Toni Milaqi "Blue execution" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2007)

Trajtimet jo te peraferta qe vihen re ne kete postim, vijne si pasoje e kendveshtrimeve/koncepteve te ndryshme, dhe jane ne varesi te plote te fazave artistike/estetike qe kalonte piktura ime. Duke filluar me "Execution (II)" -nje pune e fazes primitive, e vitit 1996; duke vazhduar me "Blue execution" - nje prurje ekspresioniste e vitit 2007; e per te mbaruar me "Execution (IV) " -veper te vitit 2008 te cilen sapo e mbarova.

Toni Milaqi "Execution -II-" (acrylic on canvas, 130x100 cm, 1996)

Ekzistojne variante te tjera te miat mbi kete tematike, te cilat eksplorojne pikerisht hapesirat/honet e erreta te ketij subjekti sa te eger, po aq edhe te domosdoshem per hulumtime dhe kerkime. Veprat ne fjale do te jene objekt analize ne shkrime te ardhshme.

05 July 2008

Peshengritesi

Toni Milaqi "The Weightlifter" ( acrylic on canvas, 100x80 cm, 1999)

Gjithnje ne art me ka terhequr menyra se si me sa me pak mjete shprehese, te mund te thuash sa me teper te verteta. Se si nepermjet nje trajte sa me te thjeshtezuar dhe koncize, te mund te flasesh per imazhin e eperm te tematikave, apo nocioneve me te cilat punon. Te redaktuarit e ujerave te teperta dhe kultivimi i nje forme te shprehuri, e cila te permbaje vetem esencen e atyre qe do te thuash.

Piktura "Peshengritesi" (1999) eshte nje veper e dale prej ketij prizmi ideor, dhe sjell me vete nevojen per nje art sa me esencial dhe sa me te vertete...