Showing posts with label Skulpture. Show all posts
Showing posts with label Skulpture. Show all posts

03 November 2009

Skulptura Shqiptare, Nga Stalini tek Muji dhe Halili


Një Dokumentar
Teksa shkruaja disa kohë më parë shkrimin "Do të marr Çiften, do të dal për gjah", e teksa sillja ndër mend Monumentin e Stalinit- vepër e skulptorit Odhise Paskali (vendosur në ish Kombinatin e Tekstileve "Stalin", Tiranë), brenda meje rrotullohej pyetja se cili vallë ishte fati i monumentit, dhe ku gjendej ai tanimë? Ashtu rastësisht përgjigjen ma dha dokumentari mjaft interesant i kineastit Fatmir Koçi, i vitit 1995, me titull "Alternative Head".

Dokumentari ka një personazh qëndror, Vladimir Metanin, i cili punon ne fonderinë e derdhjes së veprave të artit në Tiranë. Njihemi përgjatë filmit me ambientet e fonderisë, të cilat ishin kthyer, diku aty në fillim të viteve 1990, në një pikë grumbullimi të statujave dhe monumenteve të socrealizmit që i përkisnin kryesisht shesheve/hapësirave publike. Shohim monumentet e Enver Hoxhës, të Stalinit e Leninit. E pikërisht atëherë dëgjojmë Vladimirin të thotë: "Unë kam pasur fat; Po të mos ishin bërë monumentet e këtyre zotërinjve, kurrë s'do të kisha realizuar punët e mia..." .

"Vladimir Metani working in an old Factory, Tirana, Albania" (Photo by Michel Setboun)

"Vladimir Metani working in an old Factory, Tirana, Albania" (Photo by Michel Setboun)

Vladimir Metani
Në një shkrim të datës 12 janar 2004, në gazetën "Koha Jonë", me titull: "Artisti që krijon dhe derdh në bronx legjendat shqiptare", gazetarja Vali Qyrfyçi na bën një prezantim të Vladimir Metanit:

"Metani ka lindur në vitin 1951 në Elbasan... Pas shkollës 7-vjecare, Vladimiri ndjek shkollën e rezervave të punës dhe më pas vazhdon shkollën e mesme, në politeknikum, për mekanik, pa shkëputje nga puna. Në fund të viteve '60 fillon punën në fonderinë e derdhjes së veprave artistike në Tiranë. Aty vazhdon të punojë dhe sot e kësaj dite... Vladimiri gjithmonë me modesti deklaron se është autodidakt, por dhe i vetmi skulptor në vend që i realizon tërësisht veprat e veta, që nga ideja, në allçi dhe deri në derdhjen përfundimtare..."
 
Varrmihësi
Duke ndjekur filmin dokumentar të Fatmir Koçit, ndjen një lloj stepjeje, tek has kaq qartë imazhin tejet të shfytyruar të tranzicionit shqiptar në këtë njëzet vjeçarin e fundit. Shohim me rrëngjethje Vladimirin të godasë me vare, pa i bërë syri tërt, një monument gjigand mermeri të bardhë. E shohim të këndojë "rusisht" përballë një shtatoreje bronxi, me duar të shqyera, të Leninit. E shohim më pas të marrë pjesët e shqyera nga monumentet, t'i shkrijë, e me to të krijojë ato që ai i quan vepra mbi personazhet mitologjike shqiptare.

Diku në dëshmitë fotografike të Michel Setboun, zbuloj Metanin, në fonderi, të pozojë triumfator përfund këmbëve të Monumentit të Stalinit, të realizuar nga O. Paskali. Vetëm atëherë kuptova fatin e vërtetë të asaj shtatoreje, të një prej veprave më përfaqësuese të realizmit socialist shqiptar; me siguri arti i Paskalit duhej të flijohej për t'i dhënë jetë miteve dhe legjendave kombëtare shqiptare që kishin mësyrë fantazinë e shfrenuar të Vladimir Metanit.

Vrasësit
 Në fakt, në këtë tragjedi, nësë Vladimiri me të tjerë shokë metalurgë, kryen rolin e varrmihësit të mjaft prej veprave themelore të skulpturës monumentale shqiptare, vrasjen e vërtetë nuk e kryen ata. Vrasësit e vërtetë janë të gjithë përfaqësuesit kryesorë të klasës politike shqiptare të këtyre njëzet viteve të fundit. Të gjithë ata presidentë e kryeministra, ministra e zv-ministra, ata deputetë e kryetarë bashkish, ata drejtorë të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe ata nëndrejtorë; që udhëheqin shtetin shqiptar në këtë katrahurë të vërtetë institucionale, në këtë batak shpirtëror dhe mjerim të thellë ekonomik e social.

Pyetje Retorike
Përse vallë sa herë që ndryshojnë situatat politike në Shqipëri, duhet të asgjesohen të gjitha gjurmët e së shkuarës? Përse vallë duhej të zhdukeshin ato punë kaq përfaqësuese të skulpturës së socrealizmit shqiptar? Sepse frymëzuesit e këtyre veprave ishin diktatorë?! Po atëherë pse nuk i vëmë flakën edhe piramidave egjiptiane, apo çdo lloj gjurme në arkitekturë, pikturë, e skulpturë, që përshkruan jetën e faraonëve egjiptianë, si edhe tiraninë e pamëshirtë të atyre kohërave (shumëherë më të egër se periudha komuniste shqiptare)? Përse nuk djegim Luvrin apo Hemirtazhin, muzeun e Pradës apo kishat e Vatikanit? Përse të mos shkatërrojmë murin kinez?! A mos vallë bëmat e Papatit, e mbretërve dhe perandorëve të ndryshëm, e diktaturave të të gjitha formave, ishim më progresiste? A mos vallë regjimet social-politike të rrugëtimit tonë njerëzor në këtë botë, ishin më demokratike? Bazuar në të njëjtat mendësi, ç'na duhen sot veprat e Velaskesit dhe të Gojës, tek na përshkruajnë fodullëkun irritues të familjeve mbretërore spanjolle? Pse nuk asgjesojmë të gjitha pikturat e Davidit apo të Engërit tek na përplasin turinjve arrogancën e një batakçiu ushtarak si Napoloni, i cili zhyti botën në gjak, për të kënaqur egon e tij militare si edhe interesat e klasës franceze në pushtet?

Reflektim
Nuk i zhdukim të gjitha këto, sepse prej çdonjërës prej atyre periudhave dhe atyre veprave në veçanti, mund të mësojmë. Mësojmë rrugën e përgjakur nga ku kaluam, dhe sakrificat të cilat na u desh të bënim si specie njerëzore. Mësojmë të shohim të metat tona në sy. Të shohim degradimet, qorrsokakët dhe ashpërsinë e totalitarizmave të çdo tipi, të shohim sa mikroskopik e bëmë personalitetin njerëzor në kohë të tilla. Duke hedhur vështrimin në thellësi të diktaturës, duke e analizuar atë, mund të themi se përparojmë, se ecim përpara.

Por duke menduar të gjitha këto, kam frikë se për çfarë flas përbën lluks për klasën politike shqiptare, për realitetin social shqiptar, për artin e mjeruar shqiptar, për individin e ngratë që rron në Shqipëri, në këto kohëra famëkeqe dhe dritëshkurtëra të kolerës...

"Vladimir Metani's Work" (Photo by Marco, Fellow of Eagles, 2007)

"Vladimir Metani's Work" (Photo by Marco, Fellow of Eagles, 2007)

(P.S. -Fotografitë më sipër, janë disa punë nga Vladimir Metani.)
 

16 September 2009

Do të marr Çiften, do të dal për Gjah

The Textile Combine "Stalin", Tirana, Albania. (Photo by A. Milaqi, 2009)

Dashuria e parë

Zona e ish Kombinatit të Tekstileve "Stalin"Tiranë, apo siç e thërrisnim shkurt: e "Kombinatit", është një hapësirë gjeografike/urbane me të cilën më lidhin ndjesi të veçanta. Eshtë vendi ku linda, ku kalova pesë vitet e para të jetës sime, ku provova ndijimet e para, ku u dashurova për herë të parë (në kopësht, me një vajzë mjaft të bukur pesëvjeçare, të cilën e quanin Erisa, me flokë të praruar që përfundonin me dy bishtaleca të hijshme). Eshtë vendi ku provova zhgënjimin e parë, pikërisht në momentin kur familja ime u zhvendos nga Kombinati, për në qëndër të Tiranës (1979), dhe ku do të më duhej të ndahesha njëherë e përgjithnjë nga mikja ime e kopshtit, për të mos e parë më kurrë. Pikërisht nga ajo ndjesi humbjeje, këmbëngula që motra ime e sapolindur të quhej Erisa, duke nderuar kështu miken vogëlushe.

Xhaxhallarët

Kombinati i tekstileve është një vend me simbolika të mëdha për mua. Familja e tim ati, më 1950, u shpërngul nga Derviciani (Dropull), për të banuar, për të punuar, dhe për ti dhëne jetë kombinatit të sapohapur atëherë. Njerëzit e mi (xhaxhallarët, nuset e tyre, hallat, kushërinjtë) bëjnë pjesë në atë kategori prej mijëra vetësh që kaluan vitet më të bukura të jetës së tyre në kombinat, që i dhanë frymëmarrje asaj vepre industriale, aq të rëndësishme për ekonominë e shtetit shqiptar, por edhe që e paguan me jetën e tyre atë përzgjedhje. Shumë syresh vdiqën diku rreth të gjashtëdhjetave, me mushkëri të bllokuara nga azma, sëmundje-rutinë, të cilën e hasje në masë në repartet e tezgjahut, të filaturës.
Kishin ëndrra xhaxhallarët e mi, diku aty në fillimin e viteve '50, se do të ndërtonin një botë të re, të drejtë, pa të shtypur dhe shfrytëzues. Vite më pas, kur u zgjuan prej opiumit propagandistik e delirive utopiste, dhe panë në pasqyrë vetveten, kuptuan se ishin tërësisht të lakuriqtë, të tradhëtuar, të shfytyruar, të vjedhur, të vrarë pas krahësh. U kishin shpartalluar ëndrrat, u kishin marrë jetën. Ishte mjaft vonë për të ndryshuar gjërat...

Monumenti

Shtatorja e Stalinit, e vendosur aty nga fundi i viteve 1950, ishte një monument tepër imponues, që i jepte ngjyrë sheshit përpara kombinatit, që përmbushte gjithë ato nevoja ideologjike/propagandistike të sistemit komunist shqiptar, por që dashje pa dashje përkonte edhe me simbolikën e idealeve më të pastra të atyre qindra mijëra njerëzve, të cilët besuan në utopinë e ndërtimit të një Jete të Re.

Vepër e skulptorit Odhise Paskali, e vendosur në qëndër të sheshit, duke treguar me dorë Lindjen (e diellit, e Botës së Re, kahjen gjeo-politike të Shqipërisë, Bashkimin Sovjetik), shtatorja ishte padyshim një orvatje mjaft e rafinuar e skulpturës monumentale shqiptare. Përmblidhte brenda saj mjaft karakteristika propagandistike-morale-politike, të cilat me çdo mënyrë dhe me çdo kusht duhet të nguliteshin në subkoshiencën e gjithkujt që e vështronte. Vendi ku ishte vendosur, ishte një zgjidhje perfekte. Ishte i pari imazh që shihte punëtori kur futej në kombinat, dhe i fundit kur dilte prej tij. Shtatorja lahej nga drita e mëngjesit në mënyrë ballore. Dora i drejtohej butësisht lindjes, diellit. Kapota (pallto) ushtarake, të ndërgjegjësonte për skizofreninë militariste të atij sistemi. Trupi i krekosur tregonte forcë. Ndërsa tiparet prej njeriu të fismë, njerëzor, por dhe të vendosur, janë mjaft të dallueshme, duke e bërë më të afërt /intime figurën e udhëheqësit sovjetik dhe të kauzës komuniste në tërësi.

Fotografia

Pak muaj më parë im atë vizitoi Tiranën, duke sjellë me vete ndër fotografi të ndryshme, edhe foton e mësipërme të Kombinatit. Kam vite që nuk kam kaluar aty; kam përshtypjen se nuk e kam parë kurrë atë shesh pa praninë e monumentit të Stalinit. Diku në fillim të viteve 1990 së bashku me rënien e regjimit totalitar nacional-komunist, u hoq edhe statuja prej piedestalit hijerëndë. Monumenti i dikurshëm, vepër e personalitetit më të fuqishëm të skulpturës shqiptare, e O. Paskalit, u flak si një vjeturinë, siç dëshmojnë edhe materialet filmike të M. Setboun.

Duke vëzhguar foton e tim ati (2009), ajo që bie menjëherë në sy është melankolia e thellë e asaj hapësire urbane. Vëren se sheshi është tkurrur, duke humbur kështu imazhin e dikurshëm të përmasave gjigande. Edhe funksioni i tij tashmë ka ndryshuar. Zemra e dikurshme tërë gjallëri e Kombinatit, sot nuk është e vështirë të kuptosh se është kthyer në një park parkimi maunesh dhe furgonësh. Piedestali i boshatisur, i shprishur, i ndotur prej posterave propagandistike/publiçistike të pinjollëve të rinj të klasës së vjetër politike shqiptare, ulëret për mëshirë.

Politikanët

Ishin këta politikanë, të njëjtët njerëz, që në regjimin e kaluar brohorisnin deri në ekstazë për fitoret socialiste, përposhtë madhështisë monumentale të shtatores. Ishin po ata që ndërruan kostumet e tyre, duke u vënë në krye të revoltave popullore të fillim viteve '90, dhe që i manipuluan në mënyrën më të paskrupullt ato. Ishin të njëjtën pushtetarë, apo pinjollët e tyre, që hodhën poshtë mjetet e vjetra ideologjike për kontrollin e turmës, dhe që valëvitën qiejve të Shqipërisë flamujtë e armiqve imagjinarë të deriatëhershëm. Qëllimi ishte i thjeshtë: të qënurit me çdo kusht në pushtet. Janë të njëjtët politikanë që sot ashtu si dhe dje, të marrin gjak në vetull po fole në mënyrë kritike mbi elementin mitologjik në artin nacional-romantik të Odhise Paskalit, për bustet e Gjergj Kastriotit, e Naimit, e Idriz Seferit, për shtatoren e Çerçizit apo të Flamurtarit. Janë po ata që përdhosën mizërisht monumentin e Stalinit, dhe në këtë mënyrë shkelën edhe nderin e krijuesit të tij. Sa pafytyrësi dëshmon kjo botë!

Kacavjerrja

Në vitin 2005 Enisa Cenaliaj do të hipte mbi piedestalin ku dikur ndodhej shtatorja, në shoqërinë e parrullës: "Mirësevini të dashur punëtorë". Nuk e di ç'lidhje mund të ketë me artet vizuale kjo kacavjerrje mbi bazamentin e monumentit të dikurshëm, por di që ky veprim është tregues i qartë i vakumit vizual/konceptiv që kalojnë artet pamore në Shqipërinë e këtyre njëzet viteve të fundit. Shumë bukur kjo performancë mund të inkuadrohej tek emisionet e "Portokallisë" apo tek gjithfarë emisionesh humoristike që gëlojnë në kanalet televizive shqiptare, por aspak nuk mund të konsiderohet si një akt që mund të thotë diçka në kontekst vizual.

Rezyme

Koha tregon se në kundërshti me mjaft popuj të tjerë, shqiptarët e kanë tërësisht të vështirë të mund të rrojnë me të shkuarën. E kanë tërësisht të pamundur të bashkekzistojnë me gjurmët historike të lëna prej saj. Heqja e monumentit të Stalinit nga sheshi qëndror i Kombinatit tregon edhe një herë papjekurinë politike të neo-shqiptarëve.

Koloseumi romak ishte vendi ku vdiqën në mënyrën më shtazore mijëra njerëz, për të kënaqur etjen e turmës dhe të klasës së atëhershme pushtetare për gjak. Megjithatë, askush nuk u orvat ta shkatërrojë. Sepse përpos mizërive dhe kanibalizmit njerëzor, shohim tek ai amfiteatër edhe vlerat e tij estetike, arkitekturore, inxhinjerike. Sepse prezenca e tij na bën më të pjekur tek mendojmë për katrahurën dhe degradimin total të shoqërisë njerëzore në faza të caktuara të historisë. Sepse ajo kryevepër e botës antike është ujitur me gjakun e mijëra gladiatorëve; sepse ai amfiteatër, nga një thertore, tanimë është kthyer në një pishtar human, që i bën thirrje reflekseve tona kundër skllavërisë së çdo tipi.

Pse të mos ndodhte kështu edhe me monumentin e Stalinit?! Të ishte aty, për të na kujtuar ëndrrat e thyera të xhaxhallarëve të tradhëtuar, për një botë më të mirë dhe më të drejtë. Të ishte aty, për të na treguar dërrasën e kalbur, nga ku nuk duhet të shkelim. Të ishte aty, për të na folur mbi tmerret e totalitarizmit, por edhe si një tregues i një realiteti pesëdhjetë vjeçar i cili nuk mund të mohohet.

Dhe në fund të fundit, nëse do të më duhej të përzgjidhja, do të preferoja pa as më të voglin ngurim veprën e Odhise Paskalit, se sa humorin e hollë të një vajze të lyer me miell, që kacavirret fodulle mbi një pirg betoni.

Stalin's Monument (by Odhise Paskali, 1957). The Textile Combine "Stalin", Tirana, Albania. (Anonymous, photography, 1974)

Stalin statue, hidden in a factory. (Photo by Michel Setboun)

Enisa Cenaliaj "Mirësevini të dashur punëtorë" (2005, Burimi i fotos: T.I.C.A.)

18 August 2009

Big Dick

Toni Milaqi "Big Dick" (sculpture, mixed technique: wood-cloth-threads, 12x6 cm, 1989)

Në momente të caktuara të jetës sime ndjej një tërheqje të veçantë drejt elementit tre dimensional, skulpturës. Puna e mësipërme ështe e para e këtij lloji dhe i përket vitit 1989.

08 February 2009

Nga Kazmat tek Buldozat

Fotografia e marre nga gazeta Shekulli (1.2.2009)

Duke lexuar shtypin shqiptar te diteve te fundit nuk ka si te mos te te beje pershtypje lajmi mbi heqjen nga qendra e qytetit te Shkodres e kompleksit skulpturor me titull "Pese heronjte e Vigut", veper kjo e skulptorit Shaban Haderi. Nje njoftim ky qe gjendet edhe ne artikullin e gazetes Shekulli me titull Shkodër, bashkia shkul "5 heronjtë e Vigut" . Nje lajm i tille eshte ne fakt sa i cuditshem por edhe mese normal, po te shqyrtosh relacionet e arteve me "Njeriun e Ri" (te celikosur ne periudhen e diktatures nacional-komuniste shqiptare) dhe te pjellave e tij, te cilat kontrollojne jeten politiko-ekonomiko-kulturore ne shoqerine e sotme shqiptare. Nuk eshte e veshtire te kuptosh se zelli i papare i sistemit te dikurshem totalitar per te zhdukur dhe manipuluar cdo gjurme te hershme ekzistence te artit prehistorik, antik, paleokristian, mesjetar, e pasmesjetar, si edhe mania e shkaterrimit te gjithckaje qe mendohej se nuk ishte e perafert me konceptet dhe nocionet komuniste, natyrshem u trashegua edhe ne ditet e sotme. Ai zell qe beri diku aty nga fundi i viteve "60 ne Shqiperi te kryhej nje genocid i papare shpirteror, kulturor dhe fetar, ajo demagogji e cila solli ne jete njerez-perbindesha, te paafte te bashkejetonin me asgje dhe me askend qe i kundervihej llogjikes dhe bindjeve te tyre politike, eshte mese e qarte se eshte ende gjalle, dhe fatkeqesisht e gjithepushtetshme ne realitetin e sotem shqiptar. Dhe s'ka si te jete ndryshe, pasi ne cdo segment te jetes pastotalitare shqiptare shohim te njejtat figura dhe te njejten kaste politiko-ekonomike, e cila kontrollon jeten e vendit, duke e denigruar ate dhe duke i marre frymen me te njejtin entuziazem kriminal qe e karakterizonte edhe ne periudhen e dogmatizmit te pashoq komunist.

Michel Setboun "Berat, Albania" (Photography, 1980)

Une vete, jam nje artist i cili ka ngritur zerin ne shkrime te meparshme perkundrejt dogmes famekeqe te Realizmit Socialist dhe pershtatjes se saj per afer 50 vjet ne ambientin shqiptar, por nuk mund te pranoj kurrsesi barbarine dhe kanibalizmin e sotem mbi ato gjurme te mbetura te shprehjes se socrealizmit. Me mire nje shoqeri me nje art te vaket dhe medioker, sesa nje shoqeri e privuar nga cdo gjurme qofte edhe e mefshte e tij. Popujt qe nuk mesojne nga e shkuara, apo edhe nga gabimet e tyre, nuk mund te ecin kurre perpara. Realiteti totalitar nacional-komunist shqiptar kishte specifikat e veta, kishte jetegjatesine e vet, ndikimin e tij mbi breza te tere njerezor. Nese do te mbyllim syte duke supozuar se nuk ka ndodhur kurre, apo do t'a injorojme pa mundur te reflektojme mbi fenomenet, karakteristikat, problematikat, demet, potencialet konstruktive dhe shkaterruese qe permbante, si edhe shkaqet e degradimit te ketij realiteti famekeq, asnjehere nuk kemi per te perparuar si individe apo bashkesi njerezish.

Nese shoqerite njerezore, gjithnje kur benin hapa perpara, do te asgjesonin gjithcka qe i perkiste te shkuares, asgje sot nuk do te kishte mbetur per te na lidhur me te. Sikur greket e lashte te shkaterronin gjithsa i perkisnin qyteterimeve egjiptiane ne arkitekture, inxhinjeri e art, sikur romaket te shkallmonin gjithcka greke, sikur bizanti te shperbente gjithcka antike, sikur rilindja t'i vinte kazmen gjithckaje qe kishte ndodhur para saj, sikur iluminizmi e romantizmi t'i vinin zjarrin veprave te rilindjes, e realizmi atyre romantike, dhe keshtu me radhe, a thua do te kishim privilegjin per t'u njohur dhe per te folur per paraardhesit tane, per konceptet dhe mendesise e tyre?

Michel Setboun "Berat, Albania" (Photography, 2006)

Shoqerite njerezore, e natyrisht edhe artet perparojne ne saje te pervojes dhe mencurise qe koleksionojme nga e shkuara, ne saje te deshires per te mos ngelur ne vend, etjes per risi dhe dije, ne saje te sakrificave dhe kembenguljeve per progres, nga ndergjegjesimi dhe analiza e rrugetimeve qe kemi bere per te arritur aty ku jemi, por edhe nga besimi ne nje te ardhme sa me te mire .

Fatkeqesisht ky agim i shekullit te '21, te pakten per realitetin shqiptar, ka shijen e plogesht te gjysmes se dyte te shekullit te kaluar. Kane ndryshuar thjesht ngjyrat dhe kahjet politike te kastes ne pushtet, jo lojtaret, as rregullat e lojes. Hegjemonia e pushtetit, si gjithnje prepotente e mbytese, dhe individi i pazot t'i perballet. Ne malet e Beratit tani qe kane filluar te zbehen gjurmet e corbes totalitare te diktatures se shkuar, shquajme trajtat e qarta te diktatit te ri. Kesaj radhe -permes "Coca Cola"- hegjemonia autoritare qe na qendron si cekan mbi koke, nuk ka karakteristika periferike, por globale. Dhe ndonese flamuj te rinj valeviten qiejve -me ngjyra marramendese dhe aureola genjeshtare, dhe ndonese ne te tjere zotera na duhet te besojme, dhe ndonese kudo predikohet se rrojme nje epoke te re ne marredheniet tona ndernjerezore, se di pse thelle brenda meje -tek shoh ekskavatore te hedhin poshte vepra arti- ndjej te njejtin zhgenjim dhe te njejten pamundesi per t'u perballur e vepruar, me ate qe provuan gjysherit e mi aty ne fund te vitete '60 tek shihnin revolucionet kulturore shqiptare (me origjine sovjetike e kineze), dhe tek ishin te detyruar te mbanin "buzagaz" ne njeren dore kazmen e ne tjetren pushken, per te siguruar vazhdimesine formale dhe ekzistencen trupore ...

11 October 2008

Mbi Odhise Paskalin

Odhise Paskali "Scanderbeg" (bronze, 1939)

Nje artist i rendesishem shqiptar, i cili shpesh here u identifikua me artin e realizmit socialist dhe qe krijoi e punoi ne pjesen me te madhe te jetes se tij ne periudhen e regjimit komunist, eshte Odhise Paskali . Duke verejtur sot vepren e tij, pas nje diferencimi kohor, do te zbulojme aty edhe prurje artistike te cilat shkeputen nga realiteti periferik shqiptar dhe qendrojne denjesisht ne hapesira me te gjera vizive.

Fale kultures akademike, njohjeve te thella ne fushen e arteve figurative, si edhe dhuntive dhe aftesive te tij te shumta plastike, Paskali arriti te krijoje nje galeri te tere personazhesh te spikatur, ne disa raste edhe vepra artistike te cilat ndikuan mjaft artiste te mevonshem shqiptare.

Nje nga atributet e vepres se tij eshte se ne momente te vecanta kohore Odhise Paskali kthehej ne artistin qe i jepte forme plastike imazhit, si edhe perfytyrimit kolektiv qe kishte shoqeria shqiptare mbi figura te ndryshme historike dhe njerezore. Keshtu per shembull kur flasim per Skenderbeun, te gjitheve na vjen parasysh portreti i Paskalit. A thua se ky i fundit e kish vene te pozoje heroin arberor! Kurre me asnje artist nuk ka mundur te pasqyroje ne nje veper arti imazhin, si edhe iluzionin te cilin ushqente turma mbi kete figure mitike arberore. Dhe pak rendesi ka nese ky imazh mund te mos kishte lidhje te drejtperdrejte me ate c'ka rrezatonte Gjergj Kastrioti ne te vertete; e rendesishme eshte qe ne kete menyre desheronte ta kujtonte turma dhe Paskali i dha forme pikerisht kesaj nevoje.

Odhise Paskali "Keti" (plaster, 1947)

Po keshtu mund te themi per bustet e Naimit, te de Rades, te Enverit. Ishin pikerisht njohja e thelle, intuita njerezore si dhe misherimi plastik i Odhise Paskalit, te cilat shnderronin kendveshtrimin e tij subjektiv, ne nje vizion kolektiv e solid. Cilesi kjo e nje artisti me aftesi te medha.

Kur flasim per plastiken, duke vezhguar formen ne mjaft vepra te tij, bie ne sy nje ekspresivitet teper melodioz, qe pak te perbashketa ka me nocionet e realizmit socialist (dhe ketu nuk e kam fjalen vetem per veprat para viteve 1940). Aftesia per t'i dhene forme ndjenjave, per te shprehur vitalitetin (shih: "Skenderbeu"- 1939), dhimbjen, embelsine dhe delikatesen femerore (shih: "Keti"-1947, "Woman's Bust" -1926), ngjyren e vdekjes (shih: "Shoket" -1964), deshmojne per nje artist me potenciale teper te fuqishme shpirterore, meditative, kreative, plastike dhe shprehese.

Nga pikepamja tematike mjaft vepra te Paskalit u konsumuan mes kufijsh etnik dhe kombetar. Ne nje perpjekje evidentimi dhe evokimi figurash dhe mitesh nacionale, gje qe bie disi ndesh me pervojat kosmopolite te vete skulptorit, i cili kish lindur ne Kozani te Greqise, kreu shkollen greke ne Permet dhe studioi ne Torino te Italise. Ne kete menyre nje pjese e mire e krijimtarise se tij -e veshtruar me gjere- u ngec pas kornizash etnike, duke mos mundur te rroke universalen dhe jo shume e afte te flase ne kontekst me te gjere se ai nacional.

Odhise Paskali "The mountain man" (bronze, 1928)

Gjithsesi periudha, ambientet ne te cilat rrojti Odhise Paskali, por dhe izolimi komunist bene qe arti i tij te mos mundet te evoloje ne propocion me aftesite si dhe ate talent teper te madh qe mbarte. Sjell ndermend ketu edhe periudhen e Italise, e deri ne 1944. Ne nje kohe kur ne Europen perendimore ndodhnin revolucione te papara ne hapesirat e arteve vizuale, dhe kur uraganet e modernizmit kishin okupuar gjithcka, arti i Paskalit ne teresi u ndrydh brenda formash dhe persiatjesh realiste dhe here-here disi akademike. Problematika krijuese keto, te cilat ishin ezauruar nga artistet ne rang boteror qysh nje shekull me pare.
Eshte me te vertete dicka trishtuese, ne radhe te pare per vete zhvillimin artistik te skulptorit dhe me pas per ne, te behemi deshmitare te kesaj ndrydhjeje, te kesaj burgosjeje te ketij talenti kaq te madh. Ne veprat e lena pas do te dallojme gjithnje shkendijat e personalitetit te tij; rrahjet e pulsit dhe te zemres; humanistin dhe luftetarin e zjarrte; adhuruesin e se bukures dhe te embelsise njerezore; vezhguesin e dhimbjes dhe te diturise; shprehesin e nevojave kolektive te bashkekohesve te tij, si edhe artistin qe u dha forme tokesore miteve dhe historise...

Odhise Paskali pershendetje!


(p.s. Fotot e veprave te skulptorit jane te shkeputura nga faqja e tij zyrtare "Odhise Paskali")

25 September 2008

Ferma e Kafsheve

Toni Milaqi "Pig -The Great" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2008)

Nje homazh diktatorit qe fle brenda nesh. Nje homazh tiranit dhe kasapit qe ushqejme perdite -nga pak dhe nga pak. Jemi ne, te perzishmit, te cilet kthyem mediokritetin tone njerezor ne fene e vetme tek e cila besojme. Jemi ne, te cilet guxuam te shohim ne sy zoterat e qiejve, e pasi beme dicka te tille i vrame ata; dhe ne fronet e tyre u ulem kembekryq ashtu te pangijshem dhe mekatare. Jemi po ne, qe ujitem filizat e paditurise, i beme ato te harlisen, te kapin qiejt dhe mbushem barqet tona me frytet e tyre te shprishur.

Helmuam cdo shkendije drite dhe kultivuam erresiren- ate me te thellen. Hodhem ne kazanet e plehrave arsyen dhe sterqullem ditet tona me ankthe te cartura histerie. U preme kokat peshqve dhe i flakem ashtu te pajeta - te notojne- ne ujera vezulluese, akuariumesh ngjyraplot.

Homazh, pisllekut qe na rrethon. Tiranise se turmes dhe borive lavire nacional-kombetare. Homazh diktaturave te frikave ekzistenciale, atyre personale dhe kolektive. Moraleve kombetare dhe atyre fetare. Homazh derrave dhe dosave - sigurisht atyre te medhenjeve...

"Alexander The Great with a Lance [Now Missing]" (Unknown, Greek Art, 200 - 100 B.C. , Marble)

02 July 2008

Puthja e Engjellit

Toni Milaqi "Angel's kiss" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2007)

Rodin eshte nje nga skulptoret e mi me te dashur. Nje magjistar i plastikes, i emocionit, i meditimit, i levrimit te nocioneve me te thella filozofiko-estetike ne kuadrin e arteve vizive dhe kryesisht ate te skulptures.

Ajo c'ka eshte terheqese dhe njekohesisht madhore ne artin e tij -pa mohuar kurrsesi dinamiken, ekspresivitetin dhe embelsine e formes- eshte hulumtimi i sensualitetit njerezor, i erotikes. Shume vepra te Rodin hedhin shtat mbi kete aks, dhe per mua ato jane edhe me individualet, me te dashurat, me te fuqishmet.

Kur pashe per here te pare vepren e tij "The dream (The angel's kiss)", u shtanga per nga madheshtia e muzikalitetit qe krijojne ritmet e trupave tek therin qiejt. Butesia e materies, si edhe vertetesia e shprehjes jane kaq imponuese. Pesha e trupave, zhdervjelltesia, por dhe erotika e levizjes - kaq te qenesishme. Ndonese nuk shquhen trajtat dhe tiparet e kokave, kemi ndjesine se puthja e engjellit eshte kaq e zhurmshme, a thua se veshet tane pushtohen prej feshferitjes se buzeve tek cekin lekuren apo floket e figures tjeter.

Puna ime "Puthja e engjellit" e vitit 2007, eshte nje perleshje pikturale me kete mrekulli te skulptures boterore. Nje perleshje plastike, estetike, filozofike, por edhe ideologjike me trajtimin e Rodin. Duke verejtur vepren time tashme, zbuloj se ne kendveshtrimin tim engjelli eshte i serte, i eger, aspak i embel. Puthja e tij ngjan me teper me ndeshkim, se sa me shprehje te dashurise. Erresira e ambientit -e thelle dhe thyerjet e botes -te vrazhda ...

Auguste Rodin "The dream [The angel's kiss]" (marble, 75x100x50 cm, 1911)