13 November 2010

Epilog

Toni Milaqi "Are you An Anarchist?" (acrylic on paper, 69.5x49.5 cm, 2010)


Artisti ështe qënie kryeneçe. Anarkiste. I lirë, brenda burgut të krijuar posaçërisht për të.  Nuk mund të jetë vegël e askujt. Nuk mund të jetë çirak i asnjë mekanizmi politik, social, a ekonomik.
Artisti ështe vetshkatërrues. Në kërkim të dritës, si ajo fluturza e natës që i përqarket furishëm llampës elektrike, derisa ti digjen krahët e më pas të shuhet. Eshtë romantik, deri në shpërfillje. Eshtë naiv deri në dhimbje. Eshtë i fortë si çeliku i cilësisë më të lartë. E njëkohësisht i thyeshëm si qelqet më delikate. Është kështu, jo sepse e do por sepse nuk mund të jetë diçka tjetër.
Të gjitha modelet e tjera që serviren sot si shprehje e potencialeve artistike, s'janë gjë tjetër veçse nevojat e kamufluara tregjeve të artit dhe të mafjes social-politike në pushtet për dominimin e hapësirave pamore.
Artisti s'mund të jetë puthadorës i shtetarëve, as punonjës i zellshëm i mekanizmit propagandistik të klasës politike. Nuk mund të merret me numërimin e fasadave të ndërtesave shumëngjyrëshe, brenda të cilave politikanë tejet të dyshimtë fshehën korrupsionin ekonomik e politik apo mizerjen sociale të shoqërisë të cilën udhëheqin.
Artisti është skifter i egër, nuk është pulë oborri prej të cilës presim të bëj vezën e përditshme. Eshtë opozitar, jo sahanlëpirës i klikave të ndryshme. Nuk mund të jetë konservator, frikacak, i manipulueshëm, e komercial. Nuk mund të jetë lodër e askujt. Ky është nocioni im për artin dhe artistin. Ky është edhe qëndrimi im në lidhje me subjektet e trajtuara këtu në blogun "Arti në kohërat e Kolerës", të cilat kanë në qendër të tematikës së tyre artet vizuale.

***

P.s. Ndjej se proçesi i trajtimit të problematikave në fjalë, në mediumin e blogut, e plotësoi ciklin e tij jetësor. Ju falenderoj të gjithëve që bashkëbiseduat me mua, që më lexuat dhe më lexoni përditë. Shpresoj që ky komunikim të ketë ngacmuar, të ketë hapur dritare të reja në këndvështrimin mbi artet vizuale dhe të ketë qënë i frytshëm për ata që rruga  i solli  në këtë blog. Ndersa miqte e rinj i pershendes ne radhe te pare dhe se dyti ju uroj lexim te kendshem te materialeve te ketij bllogu.

Gjithë të mirat!
Toni Milaqi (Athinë 2010)