03 October 2009

Në Emër të Popullit

"Monument for the socialism" (Photo by Michel Setboun, Albania, 1981)

"Propaganda Poster, Albania" (Photo by Erik Stewart, 1988)

"Communist Monument, Albania" (Photo by Thomas Aelbrecht, Albania)

"Communist Albania" (Photo by photowala28 / Jane Roselawn, Albania, 2006)

Kohët e fundit, më ngacmon artistikisht ideja e hulumtimit të simboleve vizuale të regjimit nacional-komunist shqiptar. Simbolet komuniste, të cilat i hasje kudo në periudhën e diktaturës, janë të shumta dhe tepër interesante për vëzhgim e analizë. Prej studimit të tyre dalin konkluzione thelbësore, të mënyrës se si ushtrohej filozofia marksiste-leniniste në truallin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Mund të ndahen këto simbole politike/propagandistike në dy kategori të mëdha.

Në të parën dallojmë simbole me karakteristika ndërkombëtare si: "ylli, drapëri dhe çekani, kurorat e kallinjve të grurit, grushti i mbledhur, portretet e katër klasikëve të komunizmit, flaka e revolucionit, libri apo kordelet e kuqe, oxhaqet dhe shtyllat e tensionit të lartë", të cilat importohen kryesisht prej Bashkimit Sovjetik dhe Kinës.

Në grupin e dytë vërejmë simbole me karakteristika nacionale (shqiptare) si: "shqiponja dykrerëshe (që në fakt rrjedh prej periudhës bizantine të trojeve që pas 1912 u identifikuan si Shqipëri, dhe që më tepër se simbol nacional, ështe simbol ikumenik), flamuri kombëtar, harta e shtetit, logo e PPSH, portreti i Enver Hoxhës, figura e ushtarit, pushka dhe kazma".

Këto dy të fundit janë kokë e këmbë pjella të mendësisë shqiptare, dhe leximi i tyre në aspektin filozofik/pamor/psikologjik, na qartëson atë që ndodhi në Shqipëri për dyzetepesë vjet me radhë.
Kazma dhe pushka, simboli i shkatërrimit dhe i militarizimit. Vallë a nuk ndodhi kjo gjë në Shqipërinë komuniste? Nuk u shkatërruan, ato mijëra objekte kulti/kulturore/historike, ato afreske e ikona, ato biblioteka e ajo literaturë që gjendej në kishat dhe manastiret e panumërta, dhe bashkë me to, ato vlera kolosale të artit bizantin e pasbizantin që patën fatkeqësinë të jenë krijuar në truallin e njësisë gjeografike, e cila më 1946 do të shpallej/thirrej si Republika Popullore e Shqipërisë? Nëse kazma ishte simboli i shkatërrimit, dhe pushka i militarizimit të gjithë jetës së vendit, simbioza e çmendurisë ushtarake, e bunkerizimit dhe e afsheve luftarake, përse nuk hasim në masë një simbol ndërtues?! Ka momente që në parrullat propagandistike shohim tek-tuk edhe mistrinë (vegël e ndërtuesit), por nuk mund të thuhet se është imazh primar, i të njëjtës peshë, dhe i të njëjtit potencial përfaqësues, si ai i pushkës dhe i kazmës.

Këto simbole emblematike të totalitarizmit nacional-komunist shqiptar, gjendeshin kudo. Edhe rrugëve të qyteteve, edhe në uzina e fabrika, edhe në dyqane e lokale, edhe në shkolla e kampe pushimi, edhe në salla mbledhjesh e zyra të gjithfarë tipi, madje jo në pak raste edhe në ambientet intime e shtëpitë e vetë njerëzve.
"Edhe Zoti ka nevojë për reklamë, prandaj bien këmbanat." - thotë diku Nikos Kazanxaqis. Sistemi komunist kishte nevojë të përçonte doktrinën e kuqe në masën e gjerë, dhe rrënjosja e principeve të kësaj doktrine, kushtëzonte ndër të tjera edhe ekzistencën e kudogjendur të simboleve të tija vizuale.

Në fakt, brezi im (i viteve '70) ishte brezi i fundit i plejadës famëkeqe të Njeriut te Ri Shqipëri. Fryt i atij eksperimenti historik, që u orvat, dhe deri diku ia arriti, të shpërbëjë në mënyrë gati totale trashëgiminë dhe dijen e deriatëhershme në leximin e historisë, të gjithçkaje që lidhej me të shkuarën e trevave dhe të banorëve të shtetit ende të ri shqiptar.

Si fëmijë (ashtu si mjaft të tjerë), nuk mund ta kuptoja botën përtej slloganeve, shablloneve, por edhe simboleve komuniste. Ishin pjesë e jetës sime, dhe deri diku identifikohesha me to. Madje më kujtohet se dikur kam dalë një fotografi me kapele partizane, me yll të kuq në ballë, duke shtrënguar një pushkë druri në dorë. Po kështu, skuadra ime e dashur Partizani kishte për simbol yllin me topin e futbollit në qendër. Nuk i shoh pra, me përbuzje tanimë ato simbole. Përkundrazi më zgjojnë ndjenja nostalgjie për naivitetin dhe dlirësinë e viteve fëminore.

Por përpos nostalgjisë të një bote të parë me sytë e fëmijës, a ka vallë vend për interpretim, zhbirim meditativ dhe analizë, si edhe për një përqasje sa më të afërt të simbolikës vizuale nacional-komuniste shqiptare? Dhe përse do të na duhet të bëjmë diçka të tillë sot?
Sigurisht, që kjo përqasje ndaj sistemeve diktatoriale, krijon të njëjtën analogji konceptive, me veprimin e një shkencëtari që i afrohet gjithë kureshtje kraterit të një vullkani të shuar, me shpresën se duke e studiuar, do të mësojë më tepër për të, dhe se kjo njohje do t'i vlejë në një farë mënyre në të ardhmen. Pasi vullkani është aty, duke dihatur në thellësi të tokës; nuk u zhduk, thjesht po fle. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për sistemet diktatoriale. Është detyra jonë, jo t'i mohojmë dhe të harrojmë, por t'i njohim esencialisht, sepse vetëm duke bërë diçka të tillë, do të mund të krijojmë imunitete ndaj këtyre sëmundjeve kanceroze të historisë sonë njerëzore.

Nga ana tjetër është sot komoditet, të mund të luash artistikisht me emblema, situata, e nocione të caktuara, që vetëm tre dekada më parë artistët e kishin krejtësisht të pamundur t'u afroheshin, dhe që nëse do të tentonin të bënin diçka të tillë, mund t'a paguanin edhe me jetën e tyre.

Eshtë komoditet të marrësh ato simbole, dhe t'i shpërbësh në formë, duke i rikrijuar, duke i bërë të thyeshme, e duke u vrarë autoritetin totalitar. Eshtë grishëse ti zhveshësh ato imazhe pamore nga era e gjakut, nga cinizmi më i paskrupullt social/politik, dhe nga mjerimi aq i thellë intelektual, dhe t'u japësh një jetë të re. Eshtë e natyrshme të duash të thyesh çelikun e kallupeve sociale, që u përpoqën të ndrydhin gjithësinë tënde njerëzore, dhe me copat e thyera të ndërtosh një urë të shëndoshë, që të lidhë të shkuarën me të ardhmen, dhe që të bëjë sa më pak të dhimbshme peshën e së tashmes...

Toni Milaqi "Communist Albania" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Lapidar" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Communist Era Monument" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Thinking about Communist Era in Albania" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Sexy Star" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Hammer and Sickle" (acrylic on canvas, 30x24 cm, 2009)

Toni Milaqi "Bunker" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2009)

Toni Milaqi "From Albania with Love" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2009)

Toni Milaqi "Slogans -Communist Albania" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2009)

16 September 2009

Do të marr Çiften, do të dal për Gjah

The Textile Combine "Stalin", Tirana, Albania. (Photo by A. Milaqi, 2009)

Dashuria e parë

Zona e ish Kombinatit të Tekstileve "Stalin"Tiranë, apo siç e thërrisnim shkurt: e "Kombinatit", është një hapësirë gjeografike/urbane me të cilën më lidhin ndjesi të veçanta. Eshtë vendi ku linda, ku kalova pesë vitet e para të jetës sime, ku provova ndijimet e para, ku u dashurova për herë të parë (në kopësht, me një vajzë mjaft të bukur pesëvjeçare, të cilën e quanin Erisa, me flokë të praruar që përfundonin me dy bishtaleca të hijshme). Eshtë vendi ku provova zhgënjimin e parë, pikërisht në momentin kur familja ime u zhvendos nga Kombinati, për në qëndër të Tiranës (1979), dhe ku do të më duhej të ndahesha njëherë e përgjithnjë nga mikja ime e kopshtit, për të mos e parë më kurrë. Pikërisht nga ajo ndjesi humbjeje, këmbëngula që motra ime e sapolindur të quhej Erisa, duke nderuar kështu miken vogëlushe.

Xhaxhallarët

Kombinati i tekstileve është një vend me simbolika të mëdha për mua. Familja e tim ati, më 1950, u shpërngul nga Derviciani (Dropull), për të banuar, për të punuar, dhe për ti dhëne jetë kombinatit të sapohapur atëherë. Njerëzit e mi (xhaxhallarët, nuset e tyre, hallat, kushërinjtë) bëjnë pjesë në atë kategori prej mijëra vetësh që kaluan vitet më të bukura të jetës së tyre në kombinat, që i dhanë frymëmarrje asaj vepre industriale, aq të rëndësishme për ekonominë e shtetit shqiptar, por edhe që e paguan me jetën e tyre atë përzgjedhje. Shumë syresh vdiqën diku rreth të gjashtëdhjetave, me mushkëri të bllokuara nga azma, sëmundje-rutinë, të cilën e hasje në masë në repartet e tezgjahut, të filaturës.
Kishin ëndrra xhaxhallarët e mi, diku aty në fillimin e viteve '50, se do të ndërtonin një botë të re, të drejtë, pa të shtypur dhe shfrytëzues. Vite më pas, kur u zgjuan prej opiumit propagandistik e delirive utopiste, dhe panë në pasqyrë vetveten, kuptuan se ishin tërësisht të lakuriqtë, të tradhëtuar, të shfytyruar, të vjedhur, të vrarë pas krahësh. U kishin shpartalluar ëndrrat, u kishin marrë jetën. Ishte mjaft vonë për të ndryshuar gjërat...

Monumenti

Shtatorja e Stalinit, e vendosur aty nga fundi i viteve 1950, ishte një monument tepër imponues, që i jepte ngjyrë sheshit përpara kombinatit, që përmbushte gjithë ato nevoja ideologjike/propagandistike të sistemit komunist shqiptar, por që dashje pa dashje përkonte edhe me simbolikën e idealeve më të pastra të atyre qindra mijëra njerëzve, të cilët besuan në utopinë e ndërtimit të një Jete të Re.

Vepër e skulptorit Odhise Paskali, e vendosur në qëndër të sheshit, duke treguar me dorë Lindjen (e diellit, e Botës së Re, kahjen gjeo-politike të Shqipërisë, Bashkimin Sovjetik), shtatorja ishte padyshim një orvatje mjaft e rafinuar e skulpturës monumentale shqiptare. Përmblidhte brenda saj mjaft karakteristika propagandistike-morale-politike, të cilat me çdo mënyrë dhe me çdo kusht duhet të nguliteshin në subkoshiencën e gjithkujt që e vështronte. Vendi ku ishte vendosur, ishte një zgjidhje perfekte. Ishte i pari imazh që shihte punëtori kur futej në kombinat, dhe i fundit kur dilte prej tij. Shtatorja lahej nga drita e mëngjesit në mënyrë ballore. Dora i drejtohej butësisht lindjes, diellit. Kapota (pallto) ushtarake, të ndërgjegjësonte për skizofreninë militariste të atij sistemi. Trupi i krekosur tregonte forcë. Ndërsa tiparet prej njeriu të fismë, njerëzor, por dhe të vendosur, janë mjaft të dallueshme, duke e bërë më të afërt /intime figurën e udhëheqësit sovjetik dhe të kauzës komuniste në tërësi.

Fotografia

Pak muaj më parë im atë vizitoi Tiranën, duke sjellë me vete ndër fotografi të ndryshme, edhe foton e mësipërme të Kombinatit. Kam vite që nuk kam kaluar aty; kam përshtypjen se nuk e kam parë kurrë atë shesh pa praninë e monumentit të Stalinit. Diku në fillim të viteve 1990 së bashku me rënien e regjimit totalitar nacional-komunist, u hoq edhe statuja prej piedestalit hijerëndë. Monumenti i dikurshëm, vepër e personalitetit më të fuqishëm të skulpturës shqiptare, e O. Paskalit, u flak si një vjeturinë, siç dëshmojnë edhe materialet filmike të M. Setboun.

Duke vëzhguar foton e tim ati (2009), ajo që bie menjëherë në sy është melankolia e thellë e asaj hapësire urbane. Vëren se sheshi është tkurrur, duke humbur kështu imazhin e dikurshëm të përmasave gjigande. Edhe funksioni i tij tashmë ka ndryshuar. Zemra e dikurshme tërë gjallëri e Kombinatit, sot nuk është e vështirë të kuptosh se është kthyer në një park parkimi maunesh dhe furgonësh. Piedestali i boshatisur, i shprishur, i ndotur prej posterave propagandistike/publiçistike të pinjollëve të rinj të klasës së vjetër politike shqiptare, ulëret për mëshirë.

Politikanët

Ishin këta politikanë, të njëjtët njerëz, që në regjimin e kaluar brohorisnin deri në ekstazë për fitoret socialiste, përposhtë madhështisë monumentale të shtatores. Ishin po ata që ndërruan kostumet e tyre, duke u vënë në krye të revoltave popullore të fillim viteve '90, dhe që i manipuluan në mënyrën më të paskrupullt ato. Ishin të njëjtën pushtetarë, apo pinjollët e tyre, që hodhën poshtë mjetet e vjetra ideologjike për kontrollin e turmës, dhe që valëvitën qiejve të Shqipërisë flamujtë e armiqve imagjinarë të deriatëhershëm. Qëllimi ishte i thjeshtë: të qënurit me çdo kusht në pushtet. Janë të njëjtët politikanë që sot ashtu si dhe dje, të marrin gjak në vetull po fole në mënyrë kritike mbi elementin mitologjik në artin nacional-romantik të Odhise Paskalit, për bustet e Gjergj Kastriotit, e Naimit, e Idriz Seferit, për shtatoren e Çerçizit apo të Flamurtarit. Janë po ata që përdhosën mizërisht monumentin e Stalinit, dhe në këtë mënyrë shkelën edhe nderin e krijuesit të tij. Sa pafytyrësi dëshmon kjo botë!

Kacavjerrja

Në vitin 2005 Enisa Cenaliaj do të hipte mbi piedestalin ku dikur ndodhej shtatorja, në shoqërinë e parrullës: "Mirësevini të dashur punëtorë". Nuk e di ç'lidhje mund të ketë me artet vizuale kjo kacavjerrje mbi bazamentin e monumentit të dikurshëm, por di që ky veprim është tregues i qartë i vakumit vizual/konceptiv që kalojnë artet pamore në Shqipërinë e këtyre njëzet viteve të fundit. Shumë bukur kjo performancë mund të inkuadrohej tek emisionet e "Portokallisë" apo tek gjithfarë emisionesh humoristike që gëlojnë në kanalet televizive shqiptare, por aspak nuk mund të konsiderohet si një akt që mund të thotë diçka në kontekst vizual.

Rezyme

Koha tregon se në kundërshti me mjaft popuj të tjerë, shqiptarët e kanë tërësisht të vështirë të mund të rrojnë me të shkuarën. E kanë tërësisht të pamundur të bashkekzistojnë me gjurmët historike të lëna prej saj. Heqja e monumentit të Stalinit nga sheshi qëndror i Kombinatit tregon edhe një herë papjekurinë politike të neo-shqiptarëve.

Koloseumi romak ishte vendi ku vdiqën në mënyrën më shtazore mijëra njerëz, për të kënaqur etjen e turmës dhe të klasës së atëhershme pushtetare për gjak. Megjithatë, askush nuk u orvat ta shkatërrojë. Sepse përpos mizërive dhe kanibalizmit njerëzor, shohim tek ai amfiteatër edhe vlerat e tij estetike, arkitekturore, inxhinjerike. Sepse prezenca e tij na bën më të pjekur tek mendojmë për katrahurën dhe degradimin total të shoqërisë njerëzore në faza të caktuara të historisë. Sepse ajo kryevepër e botës antike është ujitur me gjakun e mijëra gladiatorëve; sepse ai amfiteatër, nga një thertore, tanimë është kthyer në një pishtar human, që i bën thirrje reflekseve tona kundër skllavërisë së çdo tipi.

Pse të mos ndodhte kështu edhe me monumentin e Stalinit?! Të ishte aty, për të na kujtuar ëndrrat e thyera të xhaxhallarëve të tradhëtuar, për një botë më të mirë dhe më të drejtë. Të ishte aty, për të na treguar dërrasën e kalbur, nga ku nuk duhet të shkelim. Të ishte aty, për të na folur mbi tmerret e totalitarizmit, por edhe si një tregues i një realiteti pesëdhjetë vjeçar i cili nuk mund të mohohet.

Dhe në fund të fundit, nëse do të më duhej të përzgjidhja, do të preferoja pa as më të voglin ngurim veprën e Odhise Paskalit, se sa humorin e hollë të një vajze të lyer me miell, që kacavirret fodulle mbi një pirg betoni.

Stalin's Monument (by Odhise Paskali, 1957). The Textile Combine "Stalin", Tirana, Albania. (Anonymous, photography, 1974)

Stalin statue, hidden in a factory. (Photo by Michel Setboun)

Enisa Cenaliaj "Mirësevini të dashur punëtorë" (2005, Burimi i fotos: T.I.C.A.)

05 September 2009

Monumenti

"A Monument to Creation" (photo by Toni Milaqi, 2009)

Nëse do të më jepej mundësia të ndërtoja një përmendore, monument, a lapidar të vetëm, atë do t'ia kushtoja nevojës sonë për të krijuar/aktit të krijimit. Atij proçesi identifikues, ëndërrimtar e utilitar, që i jep formë reale ideve dhe ndjenjave tona. Dhe nëse duke folur për të krijuarit, jemi të vetëdijshëm se cekim një aspekt tepër të gjerë të veprimtarisë sonë njerëzore, gjithsesi, qoftë edhe në formë tërësisht intuitive, kuptojmë se çdo shfaqje e këtij fenomeni është në vetvete simbioza e vazhdimësisë dhe e pavdekësisë, një formë barazie me Zotin.

Në qoftë se të krijuarit e një jete njerëzore (riciklimi i ciklit jetësor), do të konsiderohej si një komponent që na lidh me anën tonë kafshërore, me reflekse të kushtëzuara dhe të pakushtëzuara, me instikte të lashta, me nevoja gjenetike, trupore dhe ekzistenciale, ç'mund të thuhet për ato lloje të krijimtarisë sonë njerëzore që nuk kanë për bazë arsye biologjike, por intelektuale, meditative, emocionale e spirituale?

Një përmendore do të doja t'i ndërtoja nevojës tonë për të krijuar; që na bën të ecim përpara; që na cyt drejt së resë; që na bën të tejkalojmë kufijtë e njohjes dhe të dijes; që na bën më njerëzorë, por edhe më të perëndishëm njëkohësisht.

"A Monument to Creation" (photo by Toni Milaqi, 2009)


"A Monument to Creation" (photo by Toni Milaqi, 2009)


"A Monument to Creation" (photo by Toni Milaqi, 2009)


"A Monument to Creation" (photo by Toni Milaqi, 2009)


"A Monument to Creation" (photo by Toni Milaqi, 2009)


"A Monument to Creation" (photo by Toni Milaqi, 2009)

18 August 2009

Big Dick

Toni Milaqi "Big Dick" (sculpture, mixed technique: wood-cloth-threads, 12x6 cm, 1989)

Në momente të caktuara të jetës sime ndjej një tërheqje të veçantë drejt elementit tre dimensional, skulpturës. Puna e mësipërme ështe e para e këtij lloji dhe i përket vitit 1989.

21 July 2009

Akropoli

"The Parthenon, Acropolis" (photo by Declan McCullagh, 2006)

Një Fakt i Thjeshtë

Para disa ditësh pata fatin të rivizitoj Akropolin, dhe bashkë me të edhe muzeun e tij të ri. Ndjesia që riprovova edhe këtë herë ishte ajo e të qënurit një krijesë mjaft e vogël, përkundrejt një madhështie-bukurie kaq të madhe. Ndjesia e të qënurit mikroskopik, përballë atij qytetërimi kolos në sferën sociale/politike/kulturore/artistike/shkencore/njerëzore, të cilin sheh të marrë trajta gjigande përpara syve të tu.

"The New Acropolis Museum" (photo by Toni Milaqi, 2009)

Shfajësimi

Të flasësh për antikitetin grek, pamvarësisht predispozitave, nuk është një çështje e thjeshtë për t'u trajtuar në një blog, dhe së dyti nuk është edhe objekti i këtij postimi. Këtu dua të analizoj më tepër forcën e emocionit që shkakton tek unë një vepër e tillë madhështore dhe një monument kaq unik kulti/arkitekturor/artistik siç është Akropoli.

"The new Acropolis Museum" (photo by Toni Milaqi, 2009)

Historiku

* Kodra e Akropolit ka qënë e populluar qysh në mijëvjeçarin e tretë para erës sonë.

* Nga shekulli i 6 para erës së re filluan të ndërtohen monumentet e para të kultit, të cilat shkatërrohen nga lufta me persët.

* 465 para erës së re- Me Perikliun (menjëherë pas humbjes së luftës greko-perse) fillon ndërtimi i mureve rrethues dhe i objekteve të reja të kultit (Parthenonit) nën drejtimin e Fidhias dhe të arkitektëve Kalikratis, Mnisiklis...



* Në shekullin e pestë të erës së re (periudha bizantine), Parthenoni u kthye në kishë ortodokse;
* Në shekullin e trembëdhjetë, (nën pushtimin frank) në kishën katolike: "Santa Maria de Atene";
* Dhe me pushtimin turk (shekulli i pesëmbëdhjetë), në xhami.

* 1802- Dipllomati anglez Thomas Bruce, 7th Earl of Elgin shkuli mizërisht prej godinës së Parthenonit relieve të zooforos, skulptura, por dhe një kariatidha (kolonë me trajta femërore). Objektet e vjedhura, të cilat u blenë për një shumë skandaloze të ardhurash prej pushtuesve të atëhershëm turq, sot janë pjesë e muzeut kombëtar anglez Londër.

" View of the Archaic Gallery" (photo by Nikos Daniilidis, Acropolis Museum, 2009)

Perënditë Mëkatare

Nëse ka një art i cili vuri në epiqendër të kërkimeve të tij njeriun, që u dha qiejve dhe perëndive atribute/trajta/karakteristika tokësore, që zbuloi madhështinë e universit njerëzor, dhe që materializoi me kaq vërtetësi nocionet e së bukurës, ky art padyshim që është ai antik grek.

Vetë të studiuarit e perëndive të tyre na zbulon atë se sa të përparuara, demokratike dhe thellësisht humaniste ishin principet udhëheqëse të shoqërive greke të asaj kohe. E them këtë dhe ndër mend më vjen fakti se në Egjiptin e lashtë faraonët shiheshin si shembëlltyra të perëndive në tokë. Po kështu kristianizmi, budizmi, sektet e ndryshme myslimane dhe induiste i shihnin perënditë e tyre si krijesa qiellore, jashtëtokësore, të kristalta, të pagabueshme, të kulluara, ideale, tërësisht të dallueshme nga turmat, zotëruesa të së vërtetës së madhe.

Ndryshe nga të tëra këto, perënditë greke ishin qënësi komplekse, që përpos karakteristikave të tyre qiellore, gëzonin edhe cilësi të tjera, thellësisht njerëzore, si të qënurit ziliqarë, inatçorë, mëkatarë, egoistë, të pangopur e lakmitarë. Ishin të prekshëm, tokësorë, po kaq të thyeshëm dhe të brishtë, po kaq vitalë dhe të vegjël sa edhe krijesat që i pollën e u dhanë jetë, grekët antikë.

Kjo ndodhte pikërisht për faktin se grekët e asaj kohe i perceptonin perënditë si zgjatime qiellore të vetvetes. U dhanë formë njerëzore qiejve, në kundërshti me dogmat e ndryshme fetare ndër kohëra dhe popuj të tjerë, të cilët u vishnin udhëheqesve të tyre tokësore karakteristika iperbolikisht hyjnizuese, duke i bërë ata tërësisht të huaj, të largët, të pakuptueshëm dhe të pakapshëm.

Në ilustrim të argumentit të mësipërm, mjafton të kujtosh mëkatet e Kronit, e Zeusit, e Irës, e Posedonit, e Afërditës, për të kuptuar mentalitetin e ndryshëm të atyre njerëzve dhe të atyre shoqërive, që kishin nevojë të besonin në dicka të prekshme tokësore, dhe jo në një realitet steril kozmik e aspak njerëzor.

"Head of Alexander the Great" -Portrait of great beauty, possibly an original by the sculptor Leochares or by Lysippos, 336 BC- (photo by Nikos Daniilidis, 2009)

Arti

Në këtë kontekst artistët dhe arti antik grek, qysh nga fazat e hershme e deri në të vonat, vendosën nën fokusin e tyre studiues njeriun. Hodhën vështrimin thellë brenda gjithësisë njerëzore, duke u përleshur me demonët destruktivë që marrin jetë tek ne, por njëkohësisht duke nxjerrë në pah hiret dhe virtytet më të pastra që na shoqërojnë ëndrrat.

Ishte një art thellësisht human dhe antropocentrik, i cili zbuloi se parajsa dhe ferri gjenden këtu në tokë, se e mira dhe e keqja janë brenda nesh, se bukuria mund të bëhet pjesë e jetës sonë vetëm në momentin kur çdo shqisë e jona ka nevojë, punon për ta evidentuar, por edhe identifikohet me të. Arti antik grek, por edhe filozofia apo kozmotheoria greke ishte në vetvete një himn mbi jetën, mbi vlerat, mbi bukurinë, por edhe një analizë mbi fatalitetin tonë njerëzor i cili na shoqëron kudo e në çdo hap.

"View of the Parthenon Gallery" (photo by Nikos Daniilidis, Acropolis Museum, 2009)

Brenda Meje


Ndërsa shihja statujat e virgjëreshaveParthenonit, tek shëtisja pavionin e artit arkaik, kisha mbetur ashtu i ekzaltuar prej buzëqeshjes së tyre mistike dhe vështrimit aq zhbirues, të cilin nuk je në gjendje të ndash me saktësi nëse ka kahje për nga ty si spektator apo brenda vetvetes. Në ato çaste ndjeja se rroja një realitet paralel, që është aty dhe rrezaton madhështi ngadhnjimtare për afër 2500 vjet, dhe një ndjenjë rrotullohej si e marrë në kokën time, se isha vërtet fatlum që arrita të prek nga afër këto objekte artistike në të cilat gjenialiteti krijues kryqëzohet kaq thjeshtësisht me analizat më të thella mbi jetën dhe vdekjen, mbi të vlertën dhe të rëndomtën, mbi të bukurën dhe të shëmtuarën, mbi të drejtën dhe padrejtësinë, mbi humanizmin dhe barbarinë, mbi tolerancën dhe totalitaren, mbi dritën dhe errësirën...

"The Peplos Kore" (photo by Nikos Daniilidis, ca. 530 BC, Acropolis Museum, 2009)

Ktheni skulpturat e vjedhura në Athinë!

Duke menduar të gjitha këto, sytë më ranë tek kopjet e relieveve origjinale të shkulura në mënyrën më barbare -tipike koloniale- nga Lordi Elgin, prej trupit të Parthenonit më 1802. Ashtu si çdo gjë e vjedhur, nderi dhe e drejta e do që edhe ato t'u kthehen zotërve të tyre të vërtetë, tokës dhe popullit që i krijoi. Mermerët e Akropolit nuk mund të kuptohen larg dheut ku u krijuan, larg dritës ku u ndriçuan, dhe ajrit që u përqarkej për mijëra vjet me radhë. Larg kolonave, skulpturave, qeramikës dhe pjesëve të tjera përbërëse të këtij monumenti unikal arti e kulture. Për sa kohë ato relieve do të jenë pjesë e British Museum asnjëherë nuk do të jemi në gjendje të përftojmë në mënyrë komplekse vlerën e vërtetë të kësaj mrekullie të botës antike, të simbolit më emblematik të Demokracisë- të Akropolit athinjot. Kthimi i tyre në Athinë është alternativa jonë e vetme.


The New Acropolis Museum (Athens, Greece) designed by Bernard Tschumi. (photo by Christian Richters)

07 July 2009

Jean Clair -Mbi Tregun e Artit

Pavioni Shqiptar në Bienalen e Venecias 2005- Sislej Xhafa, Komisioner Andi Tepelena (Burimi i fotos: www.artnet.com)

* Vizitova kohët e fundit Bienalen e Venecias. Çdo dy vjet bëhet më e përbindshme. Nuk ka asgjë për të parë, është e padurueshme dhe idiote...

* Muzetë e artit janë një zbulim i shekullit të 19-të. Ishin një mjet arsimimi, por edhe argëtimi. Kur sot shohim nëntë milionë vizitorë në Luvër (Louvre) -më vjen keq që e pohoj- por roli i arsimimit ka humbur.
E vetmja gjë që ekziston tanimë është menaxhmenti kulturor. Shihni p.sh. si qeveria franceze nuk nguroi të japë vepra të muzeut tonë më të famshëm në Abu Dhabi, a thua se Luvri është firmë komerciale, Bvlgari apo Prada. Të njëjtën ndjesi provova kur pashë që Citroen-i pagëzoi një model të tij me emrin Picasso. Veprat nuk janë mallra, por krijime njerëzore me vlerë historike.

* Tregu i sotëm i artit mbështetet në fitimprurjen e llojit më të paskrupullt. Në kohën tonë një vepër arti duhet të sjellë brenda gjashtë muajve 25% - 40% më tepër të ardhura nga vlera me të cilën u ble. Sistemi bankar që u shpërbë pak kohë më parë, udhëhiqej po kështu nga të njëjtat parime funksionale. Kjo gjë duhet të na bëjë të kuptojmë diçka. Koleksionistët nuk përzgjedhin në bazë të shijes apo njohjes së tyre, por me logjikën e një investimi afatgjatë. Imagjinoni pra çfarë lloj arti prodhohet në kohë të tilla.

* Koha jonë, për të cilën ju fola më sipër, ka nxjerrë artistë të mëdhenj, por shpesh nuk ekziston mekanizmi i cili do t'i evidentojë, kështu siç funksionojnë gjërat. Më vjen ndër mend për shembull Lucian Freud . Ekspozova punët e tij në muzeun Pompidou në fillim të viteve 80-të. Ekspozita u varros nga shtypi francez atëherë, por ja tani ku erdhi ora e shpagimit. Atëherë çmimet e tij ishin të ulta dhe sot të paafrueshme.

* Skena e sotme e artit, pra, gjendet ndërmjet dy forcave të kundërta. Nga njëra anë koncepti merkantilist i tregut të artit që rrëzoi edhe sistemin bankar, nga ana tjetër një rreth i ngushtë, një elitë me të vërtetë njerëzish të kultivuar, të cilët kanë dije dhe sy për të kuptuar artin, dhe për të dalluar krijuesit e mëdhenj që rrezikojnë të humbasin vorbullën bashkohore.

* Nëse dua të mendoj nuk do të shkoj në një ekspozitë me punë të artit konceptual, por do të lexoj Heidegger, apo ndonjë filozof tjetër. Nëse dua të mbushem me gëzim, do të qëndroj para veprave të Lucian Freud. Porta e emocionit gjendet tek piktura, të cilën e kam përkrahur, por edhe tek filozofia.

Jean Clair
(Akademik -Anëtar i ri i Akademisë Franceze qysh prej vitit 2008, kritik arti, kurator i mjaft aktiviteteve të rëndësishme, shkrimtar, ish drejtor i muzeut Picasso në Paris, kurator i Bienales së Venecias 1995)

p.s. - Pjesët e mësipërme u shkëputën nga intervista e Jean Clair e datës 5.7.2009 në gazetën greke Kathimerini, me titull "Απειλητική η επιστροφή των Μαρμάρων ".

06 July 2009

Mbi Shkopin Baritor

Edison Gjergo "Metalurgu" (oil on canvas, 1971, National Gallery of Arts, Albania)

Një surprizë e kohëve të fundit ishte zbulimi i veprës së periudhës së realizmit socialist shqiptar: "Metalurgu" nga Edison Gjergo, e cila mendoj se ka tepër interes për studim dhe analizë.

Egyptian Art: "The God Osiris, from the Tomb of Nefertari" (al fresco, 1991 - 1786 BC)

Në radhe të parë dua të theksoj se arti i Edisonit ndonëse për nga tematika lëvron të njëjtat subjekte me ato që kërkonte dogma e soc-realizmit shqiptar, në mjaft aspekte të tij (konceptive, filozofike, stilistike, teknike, kompozicionale, koloristike, etj...) autonomizohet nga kjo rrymë, duke krijuar referenca/relacione komunikuese me disa nga lëvizjet më përfaqësuese vizuale të shekullit të njëzetë në pikturë, por dhe të historisë së artit në tërësi.

Egyptian Art: "The God Khepri, from the Tomb of Nefertari" (1991 - 1786 BC)

Tek "Metalurgu" simbolika është e thjeshtë: evokimi i punëtorit, kulti i tij; duke qënë se kombinati metalurgjik "Çeliku i Partise" Elbasan ishte një nga veprat më të rëndësishme industriale, e interesave dhe prioriteteve jetike për sistemin komunist shqiptar, përbënte domosdoshmëri trajtimi i tij dhe i simbolikës që ai përcillte, edhe në fushën e arteve figurative. Duke folur për figurën e "Metalurgut", në mënyrë të drejtpërdrejtë propagandizohej për arritjet e sistemit komunist, për vitalitetin e Njeriut të Ri, për vetmohimin, sakrificat që priteshin prej tij dhe papërkulshmërinë ndaj vështirësive (shih: bllokadën imperialisto-revizioniste). Një nga slloganet më të lakuara nga diktatura e kuqe në Shqipëri ishte edhe "Uniteti i çeliktë Parti-Popull". Kush më mirë se nocioni/imazhi i metalurgut, i atij që zaptonte dhe i jepte formë çelikut, do të mund të ilustronte këtë argument?

Greek Art: Anonymous "Relief of Pensive Athena" (parian marble, 460 BC, Acropolis Museum)

Kjo temë nuk ishte dicka e re në artet figurative shqiptare. Eshtë një nga subjektet më klishe dhe më të trajtuara prej artistëve të kohës. Në pikturë disponojmë ndër të tjera veprën me të njëjtin titull nga Ramadan Karanxha, kurse në skulpturë më përfaqësues është monumenti i "Metalurgut" nga Kristaq Rama. Në të gjitha veprat e këtij tipi, metalurgu trajtohet duke mbajtur në dorë veglën (shufrën e hekurt) me të cilën përzien metalet në furrë. Dashje pa dashje kjo vegël e paraqitur në art, aludon drejtpërdrejt me nocionin e skeptrit, simbolit të pushtetit që haset kaq shpesh përgjate historisë së arteve.

Pallas Giustiniani "The Athena Giustiniani"- a Roman copy of a Greek Statue of Pallas Athena with her serpent, Erichthonius (marble, Vatican)

Qysh në kohët e hershme skeptri -që rrjedh nga fjala greke skiptro (σκήπτρο)- është një nga simbolet më të qarta të pushtetit. Rrënjët e këtij simboli vijnë që prej lashtësisë së hershme, dhe jo rastësisht edhe në Egjipt, edhe në Greqinë antike, edhe në Romë, edhe në perandorinë bizantine, ky nocion lidhet me traditat baritore. Në të gjitha këto fe perënditë shihen si barinjtë që komandojnë/udhëheqin turmën e dhenve, por edhe qentë. Skeptri që shoqëron çdo shfaqje të tyre publike, rrjedhimisht vjen si pasardhës legjitim i shkopit të çobanit (organ i pushtetit në mbarëvajtjen e rregullit, por edhe shprehje e dhunës, forcës dhe brutalitetit pushtetar).

Saint Peter (encaustic, 93 x 53 cm, early 7th century AD , Sinai)

Në mjaft raste limitet ndërmjet shkopit të çobanit dhe skeptrit janë kaq të shkrira mes tyre dhe kaq të sfumuara, sa është tërësisht e vështirë të mund t'i dallosh nga njëri-tjetri. Kështu p.sh. na duken po aq autoritarë edhe skeptri mistik i perëndisë egjiptiane Osiris, edhe skeptri vezullues i Zeusit, edhe shkopi baritor i Jezu Krishtit.

Anonymous "The Archangel Michael" (icon on wood, 14 AD)

Duke iu kthyer veprës së Edisonit ajo që ka një interes të veçantë është këndvështrimi/perceptimi tejet personal, që e bën artin e tij unik dhe të papërsëritshëm. Tek "Metalurgu" i Ramadan Karanxhës, heroi kryesor që mban shufrën e hekurit në dorë, është pjesë e një të tëre, ku në sfond dallojmë furrnaltën si pikën më të ndriçuar të veprës, po ashtu dallojmë dy metalurgë të tjerë tek përleshen me "llaven" e kuqe. Pra vëmë re tre punëtorë-metalurgë përgjatë proçesit të punës.

Domenikos Theotokopoulos (El Greco) "St. Joseph and the Christ Child" (oil on canvas, 109 x 56 cm, 1597-99, Toledo)

Tek vepra e Gjergos nuk ka asgjë të tillë. Piktura e tij nuk tregon motive nga puna, as furrën e shkrirjes së metaleve, as Njeriu i Ri i Partisë nuk duket kurkund, as krenaria për racën apo për kombin, as lumturia socialiste, as besnikëria politike nuk bëhet e qartë. Edisoni fokuson njeriun/individin, e vë atë në mikroskopin artistik. Metalurgu i tij nuk ka pompozitetin dhe shtirjen e heroit të Karanxhës, as devotshmërinë politike dhe shabllonizmin stilistik që hasim tek Kristaq Rama.

Domenikos Theotokopoulos (El Greco) "Disrobing of Christ (Espolio)" (oil on canvas, 285 x 173 cm, 1597-99, Toledo)

Vështrimi është i thellë, i ngrohtë, i shqetësuar. Ke ndjesinë se figura e tij njerëzore, humbet gravitetin, bëhet më e ajërt. Shufra e hekurt ulëret përmes një bluje tronditëse, që s'të kujton asgjë me rrënjë tokësore, duke u bërë e lehtë si pupël. Vegla e rëndomtë shndërrohet në një skeptër magjik, dhe njeriu në zot. E kuqja e plotë e cohës së veshjes se di pse më kujton sa herë që e shoh të kuqen e Krishtit El Greco-s tek "Disrobing of Christ (Espolio)".

Rembrandt Harmenszoon van Rijn "Self Portrait" (oil on canvas, 133.7 cm x 103.8 cm, 1658)

Vezullimet abstrakte të sfondit, tonacionet e ftohta jeshile/ blu që i lënë vendin butësisht toneve të ngrohta, si edhe kafshimet/lëpirjet e trupit prej dritës, të qartësojnë mendimin se pikërisht në atë moment po bëhesh dëshmitar i një të vërtete të madhe; pikërisht atëherë ndoshta për herë të parë (dhe të vetme) në periudhën e regjimit nacional-komunist, njeriu shqiptar është krejt i lakuriqtë, pa mburojat propagandistike/dogmatike dhe tërësisht i zhveshur prej kanoneve ideologjike.

Jean-Auguste-Dominique Ingres "Napoleon on his Imperial Throne"(oil on canvas, 259 x 162 cm, 1806)

Kemi përpara një "perëndi" të lodhur, të shfronësuar, të kredhur në mendime, që më tepër i përafron autoportretit me skeptër (të vitit 1658) Rembrandt-it, se sa me Napoleon-in e Ingres. Heroi i Gjergos ka njohje të limiteve të tija njerëzore, mbart me vete fatalitetin e ekzistencës, dhe jo mendjemadhësinë e atyre që sytë ua err pushteti. "Perëndia" e tij është tokësore, e prekshme, e plagosur, por jo e vrarë. "Metalurgu" i E. Gjergos është një analizë në thellësi të piramidës së vlerave të sistemit politik dhe të shoqërisë njerëzore në të cilën rrojti. Eshtë aktinografia më e vlertë e shkallës së shenjtërisë së atij sistemi politik.

Kristaq Rama "Metalurgu" (bronze)