23 June 2009

CheapArt -Thessaloniki 2009 (ekspozita)

"CheapArt -Thessaloniki", Kodra former Army Camp, Thessaloniki, Greece (photography by Toni Milaqi, Jun 2009)

Ekspozita "CheapArt -Thessaloniki" e cila u inagurua dje është një aktivitet mjaft i pasur ndërkombëtar, ku bie në sy pjesëmarrja e 140 artistëve të përzgjedhur, ndërmjet tyre 34 të ftuar nga Italia. Evenimenti në fjalë përkon kronologjikisht me Bienalen e Selanikut, dhe së bashku me të janë ndër aktivitetet më interesante vizuale të këtij viti në kryeqytetin maqedon.

"CheapArt -Thessaloniki", Kodra former Army Camp, Thessaloniki, Greece (photography by Toni Milaqi, Jun 2009)

Ajo që është me të vërtetë tërheqëse në këtë ekspozitë, është territori dhe ambientet ku zhvillohet. Bëhet fjalë për një ish kamp ushtarak (Kodra), i cili vitet e fundit është kthyer në një celulë mjaft bujare arti, kultivuese dhe frymëzuese e mjaft aktiviteteve artistike. Përmes simbolikës tepër të mprehtë, vendi ku deri dje ishte sinonimi i dhunës, brutalitetit dhe prepotencës ushtarake, sot bëhet mbartës i bashkekzistencës, i paqes, harmonisë ndërnjerëzore.
E ardhmja nuk ka nevojë për armë dhe instikte primitive/të kushtëzuara militare; ajo ka nevojë për kulturë dhe dije, për mirëkuptim dhe tolerancë, për sa më shumë qytetari, vëllazëri dhe dashuri. Në këtë aspekt kjo ekspozitë tregon kordinatat gjeografike të rrugës drejt së ardhmes...

"CheapArt -Thessaloniki", Kodra former Army Camp, Thessaloniki, Greece (photography by Toni Milaqi, Jun 2009)

"CheapArt -Thessaloniki", Kodra former Army Camp, Thessaloniki, Greece (Jun 2009)

"CheapArt -Thessaloniki", Kodra former Army Camp, Thessaloniki, Greece (Jun 2009)

"CheapArt -Thessaloniki", Kodra former Army Camp, Thessaloniki, Greece (Jun 2009)

"CheapArt -Thessaloniki", Kodra former Army Camp, Thessaloniki, Greece (Jun 2009)

"CheapArt -Thessaloniki", Kodra former Army Camp, Thessaloniki, Greece (Jun 2009)

"CheapArt -Thessaloniki", Kodra former Army Camp, Thessaloniki, Greece (Jun 2009)

18 June 2009

Mbi Vlerat

Edison Gjergo's Art at National Gallery of Arts, Albania (photography by Gëzim Panariti, 2009)

Ishte kënaqësi sot e-mail-i që mora prej mikut tim Gëzim Panariti (menaxher arti dhe kordinator i mjaft aktiviteteve në GKA). Duke shkelur disi (me dashje) privatësinë, desha ta publikoj atë, i shtyrë nga nevoja që kemi për të dëgjuar zëra dhe mendime të tilla. Më shkruan Gëzimi:

Toni përshëndetje dhe shpresoj të jesh mirë.

Po të shkruaj pasi një ditë po mendoja për Edison Gjergon, dhe ndërkohë pashë edhe shkrimet e tua në internet për të. Më erdhi shumë mirë që nuk jam vetëm unë që mendoj se është një artist i madh.

Para shumë vitesh kam nxjerrë në linjë "Metalurgun" dhe më vinte mirë kur vizitorëve i bënte përshtypje të thellë, kjo statujë e lirisë shqiptare. Po të dërgoj fotot e punëve të ekspozuara në GKA dhe ndoshta i bashkojmë forcat një ditë për të ekspozuar dhe folur më shumë për veprën e tij. Galeria e Beratit është e gatshme ti vërë emrin Edison Gjergo Galerisë së Arteve (për momentin Edward Lear...). Duke të uruar çdo të mirë!

Gëzim Panariti


Edison Gjergo "The Young Girl" (1972, National Gallery of Arts, Albania)

Mendimet e mia për artin e Gjergos i kam shprehur mjaft herë edhe në këtë blog. Ajo që më befason është çdo gjurmë e re, e panjohur për mua që has kohë pas kohësh prej gjithësisë së tij artistike. Me portretin e mësipërm të vajzës së re me shami në kokë (ndoshta veshje popullore - por kjo e fundit pak rëndësi ka), isha njohur qysh kur fotoja ekspozohej në faqen elektronike të Galerisë Kombëtare, e cila tanimë nuk funksionon. Një portret-bocet, i shpejtë, i shkathët, i cili sendërtohet prej një vizatimi tepër virtuoz, dhe freskisë së teknikës pikturale. Bien në sy thjeshtësia në modulimin e vëllimeve, sipërfaqet e sheshta, dhe forca e ngjyrës. Ka raste që më kujton disi personazhet e Modilianit.

Duke parë fotografitë e bashkangjitura me e-mail-in, ajo që më ngacmoi është piktura "Metalurgu". Është e pamundur të japësh vlerësim për një vepër arti përmes internetit, dhe aq më tepër kur fotografia nuk merr përsipër të sjellë tek shikuesi të fshehtat e veprës origjinale. Në këtë rast ajo që provokoi fotografia e Gëzimit tek unë, ishte një lloj cytjeje dhe padurimi të brendshëm për të parë, studiuar dhe shijuar këtë vepër nga afër në një të ardhme sa më te shpejtë.

Sa për Edisonin, nuk ka ai nevojë për ne, s'është më këtu. Nuk mund ta burgosim më, as ta internojmë, as të shkërmoqim më personalitetit e tij njerëzor, as ta përbuzim dhe ta injorojmë më nuk mundemi; ai shtegëtoi rrugicave qiellore. Jemi ne, ata për të cilët përbën boshllëk i pafalshëm, mosevidendimi i artit të tij. Shoqëria jonë do të ishte shumë më e varfër pa mundur dot të deshifrojë artistë, mendimtarë, intelektualë dhe njerëz si Edison Gjergo. Duke vendosur veprën e Edisonit në ballin e vlerave të artit shqiptar, nuk qetojmë shpirtin e tij (që ne vetë e vramë), qetojmë shpirtrat tanë. Duke zbuluar dhe njohur madhështinë e tij krijuese, si edhe universin e tij artistik, nuk pasurojmë atë, pasurojmë veten tonë...

Edison Gjergo's Art at National Gallery of Arts, Albania (photography by Gëzim Panariti, 2009)

Dhe diçka e fundit, që më erdhi ndër mend tek lexoja rreshtat e e-mail-it; arti vërtet bëhet nga njerëz si Edisoni, nga qënie fluturake, ëndërrimtare, vetëshkatërruese, nga krijesa që posedojnë dhunti dhe aftësi te adhurueshme, por arti nuk mund të rrojë pa përkujdesjen, mënçurinë dhe dashurinë e njerëzve si Gëzimi.

Arti vërtet lind si rezultat i nevojës për shprehje të artistit përmes proçesit të krijimit, por rron në kohë si rezultat i nevojës së shoqërisë/komuniteteve për njohje, dije, komunikim, si shprehje e kërkimeve filozofike/spirituale/estetike, si edhe në sajë të dashurisë dhe përkushtimit njerëzor.

Veprat e artit kanë nevojë për dashuri. Nëse fillojmë të mendojmë në këtë mënyrë, do të bëhemi shumë herë më të ditur, më të fuqishëm, e më të mençur nga ç'jemi; vetëm kështu do të bëjmë hapa përpara si individë dhe si bashkësi njerëzore...

Dashuria- thuhet se një ditë do të shpëtojë botën...

17 June 2009

CheapArt -Thessaloniki 09

Ftesë

Kam kënaqësinë -për të gjithë ata që kanë mundësinë, dëshirën dhe predispozitën- t'ju ftoj në ekspozitën kolektive/ndërkombëtare "CheapArt -Thessaloniki 09", në të cilën jam pjesëmarrës. Ekspozita organizohet nga galeria CheapArt, me përkrahjen e Prefekturës së Selanikut, Bashkisë së Kalamaria-së, Ambasadës Italiane në Athinë, dhe Alitalia-s. Evenimenti artistik do të zhvillohet nga data 22 qershor -10 korrik 2009, me pjesëmarrjen e 140 artistëve grekë dhe të huaj, në ish kampin ushtarak Kodra. Inagurimi 22 qershor 2009, ora 21.00 .

Toni Milaqi

15 June 2009

Mbi Pavdekësinë

Toni Milaqi "The Aging Process -I-" (photography, 2009)

Nëse do të konsideronim mplakjen fizike, por edhe shpirtërore, si lajmëtarët e parë të vdekjes, dhe këtë të fundit si armikun kryesor të çdo gjëje të gjallë, a mundet vallë të bënim kompromis me to?

Kush është ajo veprimtari njerëzore që mund të garantojë jetëgjatësinë e ekzistencës - fizike e shpirtërore- dhe njëkohësisht të vonojë sa më shumë proçesin e vdekjes?

Toni Milaqi "The Aging Process -II-" (photography, 2009)

Nëse me të sjellurit në jetë të fëmijëve (trashëgimtarëve), do të mund të thoshim se bëmë detyrën tonë në raport me vazhdimësinë e species njerëzore, ç'mund të thuhet për jetëgjatësinë e universit tonë të brendshëm (meditativ dhe emocional)? Apo mos vallë ai zhduket me largimin fizik të njeriut nga jeta?

Mendoj se jo. Të gjithë veprimtaritë intelektuale të njeriut, si edhe çdo përçapje e re që i kundërvihet errësirës rrethuese, padyshim që largojnë vdekjen, dhe sigurojnë më së miri vazhdimësinë e ekzistencës.

Toni Milaqi "The Aging Process -III-" (photography, 2009)

Por duke folur për njeriun dhe pavdekësinë, kush më mirë se arti dhe artisti do të mund të ilustronin këtë argument? Kush mund të thotë se shpirtrat e Omerit, e Shekspirit, e Velaskesit, e Betovenit, e Delakruasë, e Klesë, e Pollok, etj, nuk gjenden në çdo qelizë, në çdo emocion apo mendim që ngjizet dhe që buron prej veprave të tyre?
Kush mund të thotë se Leonardo nuk ngjallet nga çdo buzëqeshje e Mona Lizës? Kush mund të pohojë se Vivaldi nuk merr frymë pas çdo tingulli dhe note muzikore, sa herë kemi fatin të dëgjojmë diku veprat e tij? Kush mund të thotë se pas çdo nazi erotik të personazheve në pikturat e Karavaxhios, nuk gëlon sensualiteti përvëlues i vetë krijuesit të tyre? Kush mund të thotë se Gogeni nuk na shkel syrin, sa herë hasim siluetat grishëse të mulateve të tij?

11 June 2009

Qorrsokaku

Ancient Greek Art "Vaze with Erotic Scenes" (Rim of an Attic red-figure kylix, c. 510 BC, Louvre Museum)

Përse sot artet nuk kanë lulëzimin që kishin -bie fjala- një shekull më parë?! Kur them artet e kam fjalën kryesisht për pikturën, skulpturën, letërsinë, muzikën, teatrin…

Ekzistojnë shumë faktorë në përgjigjen e kësaj pyetje. Një syresh -nga më thelbesorët- është raporti që kanë sot njerëzit me artin. Ka të bëjë me kushtet dhe mënyrën e të jetuarit, me nevojat njerëzore.
Në të shkuarën arti ishte përveçse bagazh dijeje, kulture dhe njohjeje e botës, edhe një mënyrë argëtimi, jo shumë e kushtueshme. Në operat e Verdit mund të ndeshje edhe njerëz të varfër (sigurisht ne vendet e rezervuara për ta). Një ekspozitë të impresionistëve në Paris mund t’a vizitonte kushdo. Çdokush gëzonte të drejtën të kryente ritualet kishtare, duke kontaktuar në këtë mënyrë me shenjtët e Xhotos, madonat e Rafaelit, apo ëngjëjt e El Grekos. Në një tragjedi antike greke, spektator mund të ishte çdo qytetar, akoma edhe ai më modesti. Po kështu arti i Fidias dhe i Praksitelit gjendej rrugëve, duke u bërë kështu pronë e të gjithëve. Në shekujt pasardhës prej leximit të një libri, mund të mësoje, e në të njëjtën kohë të shtegëtoje, të vizitoje njerëz dhe vende të ndryshme (dhe të gjitha këto pa shpenzime të mëdha).

Pra arti gëzonte edhe karakteristika të tilla si ajo e informacionit, e argëtimit, e diturisë, e komunikimit ndërnjerëzor, e kërkimeve spirituale; sigurisht kishte edhe vlerën e tij monetare -të të qënurit njëkohësisht mall.

Në relacionin artist-publik (turmë), elementi kryesor ishte ai i komunikimit. Jap dhe marr. Artisti bënte të shpërthenin (përmes veprës së tij) emocione, ndjenja, imazhe, mendime, problematika, shqetësime, përpiqej të analizonte frikat, dëshirat, tabutë, nevojat; dhe merrte nga publiku duartrokitjen (që do të thoshte të ardhura dhe vazhdimësi), ose fishkëllimat apo refuzimin (që do të thoshin uri dhe vështirësi ekzistenciale).

Me kalimin e kohës, me hyrjen në jetën tonë të aparatit fotografik, të kameras, të mediave, të radios, të televizorit dhe internetit, të gazetave dhe revistave, të standartit më të lartë ekonomik, ndryshuan dhe relacionet shoqërore njeriut me artin. Ky i fundit humbi rolin e tij “si një dritare për të njohur dhe vëzhguar botën”, pra rolin e tij informues. Humbi rolin e tij dokumentues; po ashtu edhe atë argëtues. I vetmi element që trashëgoi dhe që lulëzoi kryesisht këto vitet e fundit, është ai i anës së tij monetare; duke i dhënë përfundimisht një grusht të fuqishëm vlerave, si edhe kërkimeve të mirëfillta artistike.

Në ditët tona pak rëndësi ka cilësia e veprës së artit. E rëndësishme është që produkti i prodhuar të shitet. Sistemit të sotëm të vlerave nuk i interesojnë risitë, apo gjetjet artistike. Nuk i intereson të hedhë dritë dhe të fokusojë mbi arritjet. Për të parësore është aftësia që mund të posedojë prodhimi-malli (i ashtëquajtur artistik) në tregjet komerciale dhe bursat e artit. Nuk i interesojnë kërkimet dhe hulumtimet, por fitimi.

Në këtë aspekt shoqëria e sotme globale ka edhe ajo piktorët e skulptorët e saj; edhe shkrimtarët e poetët; edhe muzikantët e dramaturgët e vërtetë. Ajo që nuk posedon kjo shoqëri është "nevoja për artin". Arti sot nuk është informacion. Nuk është argëtim. Nuk është dokumentim i kohës. Nuk është nevojë. Arti sot është lluks; ky është qorrsokaku dhe fatkeqësia e tij më e madhe…

05 June 2009

Shfaqja e Re e Cirkut te Vjetër

Toni Milaqi "Are You Ready?" (acrylic on canvas and mixed technique, 30x24 cm, 2009)

Një përshëndetje të përzemërt trupës së cirkut që do të përfaqësojë Shqipërinë dhe artin shqiptar në Bienalen e Venecias '09!
Duhet shtuar se aktiviteti i mësipërm vjen menjëherë pas suksesit të paparë -të shënuar përgjatë turneut të ri europian- në Bienalen e Pragës.
Shpesh duke vëzhguar kllounët e kësaj trupe shëtitëse, nuk mund të mos pranoj se më ndihmojnë mjaft për të kuptuar më mirë limitet e arsyes dhe të llogjikës njerëzore. Por s'janë vetëm kllounët, ështe e tërë atmosfera mbizotëruese e arenës çudibërëse. Janë akrobatët e çdo tipi, me tasa në duar, me garuzhde, lugë, shishe, e kusi; janë kafshët nevrastenike që dridhen e spërdridhen nën tingujt e muzikës dhe fshikëllimat e kamzhikëve; janë padronët e tyre që korrin frytet e të qënurit i fuqishëm .

Në sulm përpara drejt fitoreve të reja! Kjo shfaqje e re e cirkut të mirënjohur, sigurisht që s'duhet humbur.

25 May 2009

Kronikë e një Vdekjeje të Paralajmëruar

Toni Milaqi "The Lake" (acrylic on paper, 85x65 cm, 2006)

Një zë në shkretëtirë

Shkas për këto radhë u bë shkrimi mjaft prekës i Fatos Lubonjës me titull: "Liqeni jemi ne". Them prekës pasi nëse një njeri/shkrimtar/artist është në gjëndje të përçojë përmes mendimeve, apo veprës së tij, ato ç'ka turma ndjen dhe mendon, atëherë atë (krijuesin) shumë bukur mund t'a përfytyrojmë si zëdhënësin shpirtëror të saj; Dhe duke folur kaq rrjedhshëm për sentimente të tilla si p.sh. ai i Liqenit në mendësinë e kryeqytetasve, s'ka se si të mos ngacmojë edhe ndjenjat e tyre. Qëllimisht përdora termin shkrimtari/artisti, dhe jo gazetari/analisti, pasi analiza dhe qëndrimi kritik në vëzhgimin e realitetit janë pjesë përbërëse e hulumtimeve edhe e të parit, ndërsa skalitja e fjalës së shkruar (që vihet re tek Lubonja) s'është e thënë të jenë objekt kërkimesh apo domosdoshmëri për të dytin.

Në rastin e Lubonjës aftësia për të krijuar një realitet paralel përmes shkrimeve të tij, i cili shpesh i shpall luftë realitetit vrastar/banal, bëhet me një formë të tillë shprehjeje dhe me një freski të tillë krijuese (ndonëse konçize, e të kursyer), e cila shumë pak të përbashkëta ka me një vështrim të pangjyrë analitik/teknokrat.

Toni Milaqi "Painter by the Lake" (acrylic on canvas, 100x80 cm, 1996)

Qyteti

E pranoj se më pëlqeu fakti që dikush foli në mënyrë publike kaq qartë mbi këtë temë, e cila më ka preokopuar vizualisht prej kohësh, dhe mbi të cilën kam shkruar një vit me parë tek "Arratisja". Mendoj po kështu, se problematika mbi Liqenin është një nga temat më imediate të së ardhmes, të asaj se çfarë do t'i ofrojë banuesve të tij qyteti i Tiranës, dhe se çfarë fisiognomie karakteristike do t'i shfaqë ai vizitorit të huaj.

Toni Milaqi "The Dance" (acrylic on canvas, 100x80 cm, 2001)

Nuk dua të flas në këtë shkrim për akset e tjera mjaft shqetësuese të qytetit, si p.sh. : problemet kaotike urbanistike, apo amoku i pashoq i manisë për të ndërtuar vend e pa vend, apo tek krimet që jane bërë dhe bëhen sot e kësaj dite ndaj hapësirave arkitekturore, vizuale dhe estetike të kryeqytetit tonë të dashur, apo tek mish-mashi konceptual i ndërtimeve në Tiranë. Dua të ndalem vetëm tek Liqeni Artificial dhe kodrat përreth tij...

Toni Milaqi "Sex" (acrylic on canvas and mixed technique, 120x90 cm, 2003)

Dualizmi

Ka një paradoks brenda meje, që prej 17 vjetësh jetoj larg Tiranës-qytetit tim të lindjes. Provoj një dualizëm habitës emocionesh sa herë që kthehem për së largu. Mezi pres të prek tokën amë, të çmallem me gjithçka që më mungon nga vendi ku linda, ku kalova fëmijërinë, adoleshencën time, dhe pikërisht në çastet që mbërrij e zhytem në jetën e qytetit, një forcë e çuditshme demoniake më bën të dua të iki sa më larg dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Diçka më largon, më shtyn tutje, a thua se urëzat që më lidhnin me atë tokë janë këputur njëherë e përgjithmonë.

Toni Milaqi "Conclusion" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2006)

Metamorfoza

Asgjë nga qyteti i sotëm s'ka shijen që kishte dikur në fëmijërine time. Asgjë s'më krijon sensin e diçkaje të njohur dhe intime. As Sahati, as Muzeu Historik, as Banka, as monumenti i Gjergj Kastriotit, nuk janë më të njëjta. As rrugët s'janë po ato, as njerëzit, as ritmet e jetës, as ajri që pluskon mbi ne. Gjithkund ke ndjesinë se fantazma e Tiranës së dikurshme që vërtitet në kokën tënde, s'është aspak reale, dhe se ekziston si e tillë vetëm tek ti.

Toni Milaqi "Couple" -II- (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2007)

Egoizmi

Tek shkruaj këto radhë nuk ushqej iluzionin që ato sa them mund ti hyjnë në punë ndokujt, as nuk jam nga ata që nuk mund të rrojnë dot me të tashmen, apo dhunën e pamëshirtë të saj përmes ligjeve të evolimit. Thjesht këtu flas për qytetit tim të fëmijërisë, dhe të askujt tjetër. Për shokët e mi, për rrugët e mia, për shkollën time, për mësueset e mia, për femrat që unë desha, për bliret dhe manjolat e mia, për plepat dhe pishat e mia, për dhimbjet dhe dashuritë e mia. Dhe kur të gjitha këto i sheh të thyera, as vetë s'e kupton se sa shpejt ligështohesh...

Toni Milaqi "Waiting for the Barbarians " (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2008)

Liqeni

Në mes të gjitha këtyre, Liqeni ishte diamanti më vezullues i Tiranës. Ishte oazi, ekstaza natyrore (ndonëse me fillesa artificiale) prehja, gëzimi, ngjyra, aroma, ikja, përvjedhja, romantika, muzika, thembra e Akilit kryeqytetas. Aty ku jo vetëm natyra, por edhe njerëzit, përjetonin ringjalljen e madhe. Ishte mushkëria ekologjike e qytetit.

Me të drejtë Lubonja në shkrimin e tij thotë: "Liqeni jemi ne". Nëse do t'a përfytyronim këtë oaz natyror si mushkërinë gjigande të qytetit, pikërisht tani kur thuajse gjysma e Liqenit është tharë e helmuar, kur pemët janë prerë e janë lënë në mëshirë të fatit, dhe ndërtimet barbare janë shtuar si kërpudha, pikërisht tani kur sëmundja ka gllabëruar tërësisht mushkëritë e sfilitura, a mundet vallë të jetë Tirana e shëndetshme?

Toni Milaqi "Bacchanal" (acrylic on canvas, 120x90 cm, 2008)

Tek Unë

Për sa i përket artit tim, Liqeni i Tiranës ka qënë gjithnjë një muzë natyrore. Thonë se atdheu është ai vend, në të cilin ke kaluar fëmijërine tënde. Disa shembuj të punëve të mia -ndër vite- bazuar mbi këtë subjekt, mund të shihen edhe në këtë postim.
Vështirë të shkundësh nga supet e tua dashuritë e mëdha, dhe padyshim në jetën time Liqeni Artificial i Tiranës ishte një e tillë...

Toni Milaqi "The Painter by the Lake" (acrylic on canvas, 100x80 cm, 2009)